Thjesht, ji vetvetja!
Nga Greta Beqiri
Të gjithë i duam pa masë linjat e bukura, plot forma, apo fytyrën perfekte pa akne dhe pika të zeza. Qetësohuni vajza, perfeksioni nuk ekziston! As vetë modelet në revista, në realitet nuk janë vërtetë po ashtu siç i shohim aty gjetkë mbi kopertinë.
Ditët e sotme, në saj të teknologjisë së sofistikuar, informacioni shpërndahet më shpejt se grimcat e dunave të rërës në shkretëtirë. Çdo gjë ndodh dhe shihet sa hap e mbyll sytë me një ´touch´ të mollëzës së gishtit që duket se po kontrollon botën virtuale, por jo vetëm këtë të fundit, por tashmë edhe mendjen tonë.
Mjafton vetëm pak minuta ´scrolling´ në rrjetet sociale dhe vajzat nuk janë më të kënaqura me veten e tyre, nuk e duan më trupin e tyre, as fytyrën e tyre. Shkurt u neveritet vetja! Si pasojë e kësaj sjelljet e tyre psikologjike dhe fizike fillojnë të ndryshojnë, duke frekuentuar një stil tjetër të të veshurit veshurit, duke kërkuar rroba më shtrenjta, duke mos preferuar më të jenë vetvetja. Për vetë faktin adoleshenca është një fazë delikate, vajzat e kësaj grupmoshe janë të prirura që kjo pakënaqësi t´i çojë drejt depresionit, apo vetëvrasjes, vetëm se silueta e tyre nuk i premton shumë për dëshirat e tyre kur shëmbëllehen përpara pasqyrës. Vajzat adoleshente mendojnë se asgjë nuk është e pamunudur për t´u arritur, madje shpenzojnë pa kriter shuma marramëndëse për tu dukur fashioniste apo si modele e Victoria´s Secret.
“Bukuria” vjen radhë të parë, duke arritur në një sërë anomalish që nisin me dieta të rrezikshme për organizmin, pa ngrënë për ditë të tëra, konsumimi i suplementëve të rrezikshëm me përmbajtje të mëdha proteinash në palestër, lënia e shkollës për në plan të dytë, sepse vendi i punës në të ardhmen fitohet në saj të të dukurit bukur. Të dukesh normale tashmë është jashtë mode dhe tejet demode. Është mëse e frikshme të shohim vajza 14, apo 17 vjeçare të duken si 25, apo 30 vjeç që i injektojnë trupit silikon për pak vithe më shumë, apo gjinj për të tërhequr vemëndjen. Buzë të trasha, vetullat tatuazh,hundë kockëthyer, mollëza të ngritura, dhëmbë me faceta, qerpika fals, veshë të ngjitur, flokët ekstenshën, bjonde platin, thonjë me tipsa të stërgjatë, brinjë të hequra për një bel sa më të hollë dhe një iPhone në dorë. Ky është termi perfekt i ditëve të sotme për t´u quajtur e bukur. Të mos njohësh më vetveten në shëmbëllimin tënd para pasqyrës, quhet arritje.
Kjo arritje e dështuar e botës së bukurisë po vret çdo ditë e më shumë rininë e cila mendon se gomari ka vesh dhe mund të fluturojë. Po skadon një brez që duhet të jetë e ardhmja e frymëzimit dhe jo e bisturisë dhe silikonit. Po përdhunon psikologjinë fshehurazi përmes luksit fals të pamasë në rrjetet sociale, po vret kohën, dëshirat, ëndrrat. Rinia po pëson mutacione të frIkshme që duhen ndalur e për t´i thënë stop këtyre fenomeneve të rrezikshme që po çekuilibrojnë dhe vërvitin përtokë çdo gjë të bukur që natyra e krijoi, duke i veshur me një fasadë mashtrimi, me buzqeshje kllouni të shtirur përplot shenja injeksionesh mbi trup.
Për të gjitha këto më sipër, ndryshimi fillon nga vetja dhe kurrë nuk është vonë për të ndryshuar e për t´iu larguar së “bukurës”.Dashurojeni veten me të mirat dhe defektet tuaja dhe do të shikoni sesa bukur është të jetosh, sesa bukur është të njohësh veten në pasqyrë dhe të ndihesh TI. Reklamat mbeten reklama, fama, famë, por jeta dhe bukuritë e saj nuk kanë të shpaguar. Thjesht, ji vetvetja!
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
