PËRJETIMET E NJË GAZETAREJE GJATË TËRMETIT NË TURQI. AIDA TOPALLI: “LASHË LOT NË SYTË E MILIONA NËNAVE, BABALLARËVE”.
Ajo njihet si gazetarja që mbulon ngjarjet e kronikës prej disa vitesh e në disa media. Por këtë herë do të shfaqim një anë tjetër të saj, që e zbuloi në fakt jashtë kufijve të Shqipërisë. E kemi fjalën për Aida Topallin, një gazetare e re në moshë, por që e nisi rrugën e gazetarisë së terrenit hershëm, ndërsa vijonte studimet. Aty ku ka ngjarje është gjithmonë edhe Aida, me kontaktet dhe burimet e saj të panumërta dhe informacionin që siguron në kohë reale.
Vetëm se këtë muaj ajo provoi një eksperiencë të re, që rrallë i ndodh një gazetari. U bë zëri i raportimit nga tërmeti që përfshiu Turqinë e Sirinë ditë më parë. Ashtu e vetme, mori inciativën të shkonte në zonat e prekura nga tërmeti dhe të raportonte jo vetëm për portalin e ri që ka hapur replika.al, por edhe për sa e sa media e kolegë të saj të portaleve dhe televizioneve të tjera.
Sot për pozitivi.org ajo ndan eksperiencën dhe përjetimet nga shkatërrimi dhe humbjet e jetëve gjatë tërmetit të fuqishëm në Turqi e Siri.
Aida, si e more vendimin të ikje në Turqi menjëherë pasi rënies së tërmetit atje?
Faleminderit që më dhatë mundësinë për të folur deri në detaje për një nga rrugëtimet më të pazakonta si nga ana njerëzore, ashtu edhe nga ana profesionale. Mëngjesi i datës 6 shkurt 2023 është ngulitur tashmë në mendjen e gjithësecilit anembanë botës, si dita që shkaktoi një nga tragjeditë natyrore me përmasat më të mëdha të shekujve të fundit. Sa herë që ndodhin fatkeqësi të tilla, ne gazetarët kemi një ndjeshmëri dhe një reagim ndryshe nga pjesa tjetër. Padyshim, profesioni na kërkon që të jemi gjithmonë aty ku ka ngjarje, aty ku popujt po përballen me probleme. Gazetaria është mision. Pra ne gazetarët jemi misionarë. Këtë i kujtova vetes para se të pres biletën e nisjes për në Turqi. Unë e nisa rrugëtimin në ditën e gjashtë pas tërmetit. Më datë 12 shkurt 2023. Përtej pamjeve që kisha parë në media apo në rrjete sociale, kur u nisa, nuk e dija mirë se ku po shkoja. Pra, nuk e dija realitetin me të cilin do të përballesha atje. Megjithatë, një gjë ishte e sigurtë, që ky do të ishte raportimi dhe misioni më i vështirë për mua, në kaq vite si gazetare. Përveç misionit, ishte edhe një sfidë që i vendosa vetes, se sa unë mund të raportoj realitetin në një situatë kaotike, të jashtëzakonshme. Sa do të mundja të gjeja kontaktet e duhura për të krijuar urat e komunikimit me qëllim, padiskutim, shkëmbimin e informacioneve të vlefshme. Sa do të mundja të depërtoja në përjetimet e tmerrshme të atij populli, pa u ndikuar emocionalisht. Pra ishin një sërë qëllimesh që ia vura vetes, para se të merrja këtë rrugëtim.
Cilat ishin vështirësitë e para që u përballe?
Që sa zbrita në aeroportin e Stambollit, edhe pse kishin kaluar 6 ditë, paniku vijonte të ndihej. Radhë njerëzish të cilët ju drejtoheshin aeroporteve të vendeve të prekura nga tërmeti. Shumica, për t`iu gjendur pranë të afërmve të tyre. Zona e parë që ndalova ishte Gaziantep-i. Qytetin e gjeta të shkretuar. Të boshatisur. Gjithçka ishte e mbyllur. U gjenda e vetme në një vend që nuk kisha qenë kurrë më parë. Dhe për më tepër, në një vend që sapo ishte përballur me një katastrofë. Pasi kërkova në gjithë qytetin, munda të gjej të hapur vetëm një lokal. Një vend ku gatuanin ushqim për qytetarët në nevojë. Vështirësitë nisën që me gjuhën. E gjithë zona e prekur nga tërmeti, pothuajse nuk flisnin fare anglisht. Mu deshën disa orë të gjeja dikë me të cilin të kuptohesha. Përveç kësaj, ndjesia që të jepte ajo qetësi që kishte pllakosur atë qytet, ishte shumë e hidhur. Përjetimet e njerëzores sa vinin dhe më bllokonin.
Transporti nga qyteti në qytet ishte vështirësuar shumë. Ishte e vështirë të bindje edhe taksistët që të të dërgonin në zonat e tërmetit, sepse rrugët ishin shkatërruar dhe shumëpak donin që të shikonin realitetin shkatërrues atje. Megjithatë, ia dola. Munda të bind dikë që të më zhvendoste nga Gaziantep-i në Hatay. Rruga ishte shumë e gjatë. Largësia nga qyteti në qytet ishte më shumë se 3 orë. Pas mbërritjes në Hatay, atje ku asgjë nuk kishte mbetur në këmbë, ishte e vështirë të gjeje një vend ku të flije. Falë ndihmës së taksistit që më shoqëronte, munda të strehohem pas disa negociatave, në qendrën e emergjencave turke, AFAD. Fjetja në çadrat e ngritura nga këta të fundit ishte një tjetër sfidë. Mungesa e kushteve minimale të jetesës, e bëri këtë rrugëtim të paharrueshëm për mua. Por kur mendoja se populli turk do të kalonte muaj në të njëjtën situatë që unë qëndrova vetëm disa ditë, ishte më mirë ta pranoja dhe të solidarizohesha.
Na trego për përjetimet e tua të para, sapo hyre në zonën e rrënuar nga tërmeti.
Hyrja në qytetin e Hatay-t, një nga përjetimet më të tmerrshme. E kam ende të fotografuar në memorien time impaktin e parë. Në atë vend nuk kishte më jetë. Një gjendje apokaliptike. Mu krijua një gjendje ankthi, paniku. Aq sa për një moment e harrova profesionin dhe kërkova të më largonin nga aty. Madje kërkova të zhvendosesha në një qytet ku kishte jetë. Një situatë që zgjati disa minuta. Por normalisht, m’u desh t’i rikujtoja vetes përse kisha udhëtuar deri atje. Kisha rrugëtuar për një mision dhe duhej të pranoja atë realitet të hidhur. Duhej që të përcillja në media atë se çfarë kishte ndodhur atje. Për të dhënë edhe mesazhe. Mesazhe që kanë të bëjnë me jetën dhe rëndësinë e saj.
Në të njëjtën natë, u afrova në qendër të qytetit. Një re e madhe tymi e pluhuri kishte mbuluar gjithë zonën. Zhurmat që dëgjoheshin ishin gërrmimet e fadromave, ekipet e kërkim shpëtimit që thërrisnin emra njerëzish që ndodheshin poshtë rrënojave. Ishte si një endërr e keqe nga e cila mezi prisja të zgjohesha. Por ky përjetim zgjati për 5 ditë me radhë. Nga mëngjesi në mëngjesin tjetër, flitej dhe shikoje të njëjtat gjëra. Të njëjtat veprime. Të vetmet momente lumturie, ishin kur merrje vesh se nën rrënoje kishte ende jetë.
Çfarë të preku më shumë nga ajo që pe atje?
Në ato qytete të prekte gjithçka. Fakti që aty kishte patur jetë, njerëz, e që sot shumë prej tyre nuk jetonin më. Ishin nxjerrë të vdekur nga rrënojat. Shumë ishin poshtë tyre e pritej të nxirreshin nga momenti në moment. Edhe ata që shpëtuan, morën me vete përjetime tmerri. Disa të tjerë shpëtuan por humbën familjarët e tyre.
Më prekte pafund momenti kur shikoja familje të tëra që qanin sepse nuk dinin ku kishin njerëzit e tyre. Të tjerë që prinsin tok me ekipet e kërkim shpëtimit nxjerrjen e trupave nga rrënojat, me shpresën se dikush do të dilte gjallë. Shpresa që zbeheshin dita ditës.
Ekipet e lodhura, që panë tmerre në rrënoja. Nxorrën prej tyre mijëra njerëz. Atyre do ju duhet një kohë shumë e gjatë të rimarrin veten, të harrojnë ato imazhe të frikshme.
E lashë atë popull në një situatë të trishtë. I lashë në çadra, pa kushtet minimale higjiene. Në të ftohtë.
Lashë lot në sytë e miliona nënave, baballarëve.
Si e gjete ekuilibrin mes pjesës njerëzore dhe “ftohtësisë” që kërkon raportimi në të tilla tragjedi?
Kur merr rrugën për të shkuar në një vend ku gjithçka është shkatërruar, ku kanë humbur jetën mijëra njerëz, ku poshtë rrënojave janë mijëra të tjerë, ku miliona kanë mbetur të pastrehë, padiskutim nuk është e lehtë. Ndjeshmëria njerëzore dominon herë pas here dhe ta bën shumë të vështirë kryerjen me profesionalizëm të punës.
Dy ditët e para ishin nevojë e domosdoshme që të pranoje realitetin. Që në raportime të mos përfshihesha emocionalisht.
Gjeta një mënyrë. Dola dhe pashë nga afër çdo godinë të shkatërruar. Takova njerëz që kishin humbur familjarë. Pashë ekipet teksa kërkonin. Fillimisht pa prani kamerash. U mësova, le të themi, me historitë e tyre.
Kjo më ndihmoi që të kapërceja panikun, ankthin, emocionin.
Sigurisht në atë situatë është e pamundur ta kapërcesh 100%, por arrin të raportosh deri diku e pandikuar.
Më duhet të them që nuk është e lehtë të raportosh nga aty. Aspak.
Është me të vërtetë një sfidë. Nga ato të rrallat, e që uroj të mos përsëriten kurrë ngjarje të tilla, të përmasave tragjike.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.
