Tërmet i fuqishëm me viktima, rajoni solidarizohet me Shqipërinë
26/11/2019 Shpërndaje

Tërmet i fuqishëm me viktima, rajoni solidarizohet me Shqipërinë

Tërmetet e fuqishme që kanë tronditur vendin tonë mëngjesin e sotëm kanë sjellë viktima, qindra të plagosur dhe dëme të shumta materiale. Më i fuqishme ka qenë ai i orës 03:54 minuta, me magnidutë 6.4, ndërsa 5.4 ballë ka qenë një tjetër tërmet rreth orës 7 të mëngjesit.

Epiqendra ka qenë në qytetin e Durrësit, ndërsa zyrtarisht raportohet se numri i viktimave ka shkuar në 13 persona mes tyre edhe 2 fëmijë. Pavarësisht bilancit të deritanishëm, ende ka persona të shumtë që kanë mbetur nën rrënojat e disa pallateve të vjetra të shembura në Durrës. Aktualisht sipas Ministrisë së Shëndetësisë nga lëkundjet e forta janë lënduar rreth 325 persona të cilët po marrin mjekim.

Me situatën e rënduar në të cilën ndodhet vendi ynë janë solidarizuar shumë vende të rajonit, të cilët po sjellin ndihma të ndryshme drejt Shqipërisë. Qeveria Rumune ka nisur mjete të posaçme për operacionin e kërkim shpëtimit të personave që kanë mbetur nën rrënoja, gjithashtu pritet të mbërrijnë ekipe të specializuara nga Italia dhe Turqia për të dhënë kontributin e tyrë në ndihmim dhe stabilizim të situatës aktuale.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj përmes një postimi në rrjete sociale ka shprehur gatishmërinë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, duke ofruar ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. “Kosova bashkëndjenë me të gjithë qytetarët e saj dhe me qytetarët e Shqipërisë që sot u tronditën dhe e pësuan nga tërmeti që goditi Tiranën, Durrësin dhe një pjesë të Kosovës. Menjëherë pas këtij lajmi, i kam shprehur shqetësimet dhe gatishmërinë tonë për të ndihmuar të gjithë të prekurit, Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Kam udhëzuar Gjenaralin e FSK-së, Rrahman Rama dhe Drejtorin e Policisë, Rashit Qalaj që të vënë kontakte me homologët e tyre, për të ofruar çdo ndihmë të nevojshme. Në të njëjtën kohë, bazuar në kompetencat tona, Qeveria e vendit do ta ndihmojë Shqipërinë, me një ndihmë financiare për t’i evituar dëmet. Të gjithë të lënduarve u dëshirojmë shërim të shpejt dhe për ata që pësuan do të jemi në dispozicion të plotë“, shkruan Haradinaj.

Edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi përmes një postimi në “Facebook” thotë se ka telefonuar menjëherë homologun e tij shqiptar, Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama, ku më tej thekson gatishmëri për t’i ardhur në ndihmë vendit tonë në këtë situatë të vështirë. “Me shqetësim mora lajmin për pasojat e tërmetit që ndodhi sot në Shqipëri. Në biseda telefonike me presidentin Ilir Meta dhe kryeministrin Edi Rama ju shpreha solidaritetin e shtetit dhe popullit të Kosovës, si dhe ua ofrova ndihmën tonë të pakursyer për tejkalimin e situatës. Kam kërkuar po ashtu nga Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, që FSK të jetë në gjendje gatishmërie. Të lënduarve nga shembjet e shkaktuara prej tërmetit iu uroj shërim sa më të shpejtë”, shkruan Thaçi.

Kryeministri i Greqisë Kyriakos Mitsotakis përmes një postimi në “Twitter” bën me dije se komunikoi me homologun e tij krysministrin Edi Rama për të dhënë ndihmën e shtetit helen në përballimin e katastrofës së sotme, me punonjës të Shërbimit Kombëtar Zjarrfikës të Greqisë të cilët do të asistojnë autoritetet shqiptare për të ndihmuar në shpëtimin e qytetarëve të bllokuar poshtë rrënojave të banesave të shembura nga tërmetet.

Pas Kosovës, qeveria e Maqedonisë së Veriut do japë një shumë prej 6 milionë denarëve ose 100 mijë euro si ndihmë fillestare për Shqipërinë si dhe do të dërgohen për të marrë pjesë në operacionet e shpëtimit një ekip prej rreth 30 personave.

Kjo situatë e shkaktuar pas tërmetit të orëve të para të mëngjesit është pasqyruar edhe nga media të ndryshme botërore si ‘La Repubblica’, ‘BBC’, ‘AFP’ etj, të cilat shfaqin pamje që tregojnë situatën dramatike, me banesa të shembura viktima dhe qindra të plagosur e të zhdukur nën rrënoja.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.