Të rinjtë kundër “rrymës” në Kamëz. Vizita e Ramës dhe “përplasja” me Xhelal Mziun
Në një qytet me rreth 104, 190 banorë për herë të parë pas gjithë këtyre viteve është formuar një grup rinor i pavarur që promovon, librin, punën vullnetare, rijetësimin dhe rivitalizimin e kapaciteteve krijuese dhe intelektuale të të rinjve. Bëhet fjalë për qytetin e Kamzës dhe grupin rinor “Ata”.
“Ata” lindi në sajë të takimeve të të rinjëve me njëri-tjetrin. Pjesë e këtij grupi joformal, më së shumti janë të rinjtë e Kamzës. Nisma është marrë nga studentë të drejtësisë, komunikimit, mjekësisë e të tjerë. Prej 3 vitesh të rinjtë kanë protestuar të parët për çdo problem në qytet, duke kundërshtuar edhe kryetarin e Bashkisë Xhelal Mziu. Ata lexojnë shumë, e këtë virtyt janë përjekur ta promovojnë duke ftuar të rinj të Kamzës në takime të ndryshme, për të prezantuar ndonjë libër secili anëtar me rradhë sipas dëshirës. “Me aktivitete social-kulturore synojmë rijetësimin dhe rivitalizimin e kapaciteteve krijuese dhe intelektuale të të rinjve në mënyrë që të rikonceptohen format e reagimit qytetar me pasojë sjelljen e ndryshimit social”. Vullneti, dëshira dhe kreativiteti për gjëra të bukura nuk ka munguar asnjëherë tek të rinjtë, rrëfen për pozitivi.org Diana Malaj, e diplomuar për drejtësi, aktiviste dhe pjesë e grupit “Ata”.
Diana shprehet për pozitivi.org se grupi nuk ka një numër të caktuar, “herë tkurret e herë bymehet”, rëndësi ka që të rinjtë po interesohen çdo ditë e më shumë për kulturën, librin dhe grupet e tjera të formuara sipas grupmoshave. “Grupi ka prej gati dy vitesh që menaxhon një hapësirë alternative rinore. Grupi tkurret dhe bymehet në mënyrë të vazhdueshme. Ka ritmet e tij. Ai pret dhe përcjell njerëz. Grupit i rri ngushtë përcaktimi numerik, saktësia matematikore nuk ka qënë asnjëherë pika e fortë e jona. Nuk përcaktohet dot me numra grupi ynë. Çdo gjë varet nga çfarë kuptojmë me të jesh pjesë e grupit. Për ne, të jesh në grup mbart një kuptim tej pranisë fizike të përhershme në grup apo në organizime.
Grupi FemArt është pjesë e grupit tonë, përbëhet nga vajza të moshës 18-26 vjeç të cilat zhvillojnë takimet e tyre teorike, punëtoritë me fokus perspektivën gjinore. Projekti me fëmijët e komunitetit ka krijuar grupin më të veçantë dhe më delikat për nga mosha dhe nga nevojat e tyre specifike. Puna me fëmijët së fundmi, i ka dhënë frymëmarrje tjetër grupit”, rrëfen Diana për pozitivi.org. Qëllimi i tyre i vetëm është “rikonceptimi i formave praktike të reagimit apo rezistencës qytetare, dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet punës së vazhdueshme me komunitetin”. Nuk financohen nga askush, nuk përfitojnë asgjë monetare. Përfitojnë dije nga librat, përvojë jetësore nga historitë e njëri-tjetrit dhe kënaqësinë e të drejtimit të rë rinjëve drejt kulturës dhe botës së dijes.
Të rinjtë e Kamzës kanë ndërmarrë nisma të shumta, disa prej tyre i rrëfen Diana për pozitivi.org. “Grupi ka filluar me punën e pasurimit me libra, literaturë të bibliotekës së qytetit dhe bibliotekave të brendshme të shkollave të mesme të Kamzës. Nuk kanë munguar fushtat sensibilizuese për pasurimin e bibliotekave të shkollave nëpërmjet kontributit të komunitetit. Janë projektuar netët e kinemasë verore në fasadat e Pallatit të Kulturës. Janë organizuar shfaqje teatrale nga të rinj të qytetit, mbrëmje poetike, takime letrare me shkrimtare dhe përkthyes të njohur të vendit, janë zhvilluar takime dhe bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe të huaj. Qyteti ka gjithmonë nevojë për një koordinatë të tillë”.
Diana rrëfen se shpesh janë hasur me indiferentizmin e të rinjëve të qytetit dhe heshtjen e banorëve. “Jo rrallë përballemi me apatinë rinore. Dhe nuk e mohojmë që ndodh të pezmatohemi nga kjo kulturë e mospërfilljes. Nuk mundemi ta relativizojmë konceptimin e “të përbashkëtës” si nocion të largët, e shpesh herë si të huaj, ndaj të gjithë këtë mungesë mobiliteti, frekuentimi apo pjesëmarrjeje në jetën komunitare e replikojmë duke mbajtur ritmet e grupit. Megjithatë, ajo ç’ka na entuziasmon është rritja e interesit të të rinjve në vazhdimësi”.
Edhe kryeministri Edi Rama është njohur me frymën pozitivie rinore të të rinjëve të Kamzës gjatë një bashkëbisedimi me ta disa muaj më parë, takim të cilin e përshkruan dhe Diana gjatë inervistës për pozitivi.org. Diana flet dhe për marrëdhënien me kryetarin e Bashkisë pas vizitës së Ramës, madje ka dhe një ftesë, “ftesa u shkon të reflektojnë”. Diana tregon se në kuadër të shumë aktiviteteve kanë ftuar në prezantime librash, aktivitete kulturore, aktorë të ndryshëm të shoqërisë, nga bota e artit dhe jo vetëm. Për të mësuar më shumë rreth të rinjve energjikë, të palodhur e për t’u marrë shembull me nismat vullnetare që kanë realizuar për të pasuruar botën letrare dhe jo vetëm të qytetit dhe të rinjve të Kamzës, lexoni intervistën e plotë për pozitivi.org me Diana Malaj.
Intervista ekskluzive me Diana Malaj për pozitivi.org :
- Kush është Diana?
Diana është aktiviste me formim në ligj, në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.
- Kush janë Ata?
Ata është një grup rinor joformal që funksionon prej më shumë se 3 vitesh në qytetin e Kamzës. Fusha e veprimit fokusohet në aktivizmin kulturor. Të gjitha aktivitetet social-kulturore synojnë rijetësimin dhe rivitalizimin e kapaciteteve krijuese dhe intelektuale të të rinjve në mënyrë që të rikonceptohen format e reagimit qytetar me pasojë sjelljen e ndryshimit social.
- Si lindi ideja e një grupi të tillë?
Një mike e mirë e grupit dhe studuese në Institutin e Antropologjisë dhe Studimeve të Artit ka thënë se “Ideja është në vetvete një ngjarje e të menduarit në momentin e takimit me tjetrin (qytetarin, komunitetit, qytetin, grupin shoqëror, etj). Pra, një ide nuk lind kurrsesi e mëvetësuar. Ajo është, për nga natyra sociale dhe relacionale.” E tillë ka qënë ideja e krijimit të grupit. Pas disa takimesh ciklike teorike mes të rinjve të qytetit, lind nevoja për të konkretizuar aktet dhe veprimin direkt në shoqëri. Diskutimet teorike e miqësore nuk kënaqnin më nevojat e grupit dhe as të qytetit. Nevoja imediate për ndryshim social nuk justifikonte më lehtësinë e fjalës, ishim të etur për të vepruar.
- Sa persona jeni në grup?
Grupi ka prej gati dy vitesh që menaxhon një hapësirë alternative rinore. Grupi tkurret dhe bymehet në mënyrë të vazhdueshme. Ka ritmet e tij. Ai pret dhe përcjell njerëz. Grupit i rri ngushtë përcaktimi numerik, saktësia matematikore nuk ka qënë asnjëherë pika e fortë e jona. Nuk përcaktohet dot me numra grupi ynë. Çdo gjë varet nga çfarë kuptojmë me “të jesh pjesë e grupit”. Për ne, të jesh në grup mbart një kuptim tej pranisë fizike të përhershme në grup apo në organizime. Janë disa që kujdesen për anën organizative të qëndrës rinore, disa të rinj të tjerë që merren veçanërisht me klubin e librit dhe aktiviteteve të tij. Grupi FemArt është pjesë e grupit tonë, përbëhet nga vajza të moshës 18-26 vjeç të cilat zhvillojnë takimet e tyre teorike, punëtoritë me fokus perspektivën gjinore. Projekti me fëmijët e komunitetit ka krijuar grupin më të veçantë dhe më delikat për nga mosha dhe nga nevojat e tyre specifike. Puna me fëmijët së fundmi, i ka dhënë frymëmarrje tjetër grupit.
- Çfarë fushe i përkasin anëtarët e grupit?
Anëtarët e grupit kanë formim kryesisht në ligj, në histori, shkenca komunikimi, ekonomi, mjekësi etj.
- Çfarë keni bërë deri tani për Kamzën?
Çdo përpjekje për të përmbledhur nismat e grupit. “Ata” na duket deri diku reduktuese. Proçesi jetësor për të shkuar deri tek konkretizimi i nismës ka rëndësinë e vet. Megjithatë, grupi ka filluar me punën e pasurimit me libra/literaturë të bibliotekës së qytetit dhe bibliotekave të brendshme të shkollave të mesme të Kamzës, nismës modeste për ndërtimin e një biblioteke në shkollën e mesme në zonën e Zallmnerit “Sulejman Elezi”. Nuk kanë munguar fushtat sensibilizuese për pasurimin e bibliotekave të shkollave nëpërmjet kontributit të komunitetit. Janë projektuar netët e kinemasë verore në fasadat e Pallatit të Kulturës. Janë organizuar shfaqje teatrale nga të rinj të qytetit, mbrëmje poetike, takime letrare me shkrimtare dhe përkthyes të njohur të vendit, janë zhvilluar takime dhe bashkëpunime me artistë shqiptarë dhe të huaj. Vendosmëria, guximi dhe dedikimi për ta mbajtur hapur qëndrën rinore, pavarwsisht të gjitha vështirësive, me kalendarin e saj të aktiviteteve është kontributi më i madh që mund t’i bëhet një qyteti. Qyteti ka gjithmonë nevojë për një koordinatë të tillë.
- Si ka qenë interesi i të rinjve të Kamzës për aktivitetet tuaja?
Jo rrallë përballemi me apatinë rinore. Dhe nuk e mohojmë që ndodh të pezmatohemi nga kjo kulturë e mospërfilljes. Nuk mundemi ta relativizojmë konceptimin e “të përbashkëtës” si nocion të largët, e shpesh herë si të huaj, ndaj të gjithë këtë mungesë mobiliteti, frekuentimi apo pjesëmarrjeje në jetën komunitare e replikojmë duke mbajtur ritmet e grupit. Duhet krijuar si fillim tradita e një organizimi rinor, dinamik e i qëndrueshëm që të mund pasohet në vijim me shpeshti frekuentimi. Megjithatë, ajo ç’ka na entuziazmon është rritja e interesit të të rinjve në vazhdimësi.
- Si e kanë gjykuar grupin tuaj banorët?
Qyteti na sheh. Ka mënyrën e tij të të vështruarit. Deri tani ka preferuar të bëjë në heshtje, që është mënyra më e zgjuar për të njohur tjetrin. Mundet që t’i gëzohen ekzistencës sonë, mundet ta interpretojnë me lehtësinë e një mendimi të cekët, mundet që të krijojnë pritshmëritë e tyre të cilat ndoshta ne s’do jemi në gjendje t’i kënaqim, por nuk kemi ndjerë ndonjëherë ofendim apo paragjykim. E gjitha kjo ç’ka po bëhet kërkon kohën e vet.
- Çfarë përfitoni ju nga kjo “kala” që keni ngritur? Ose më saktë pse e bëni?
Metafora e kalasë nuk më pëlqen. Grupi është proçes jetësor, është stil jetese që nuk shkon drejt izolimit dhe vetëmbrojtjes, përkundrazi shkon drejt hapjes, tjetrit, relacionit, ftesës. Angazhimi me “Ata” është eksperienca jetësore më e vyer, për çdo pjesëtar të tij. Na rrëfehet jeta në mënyrën më të mirë të saj.
- Cilat janë ndryshimet që i duhen Kamzës sipas jush dhe si mund të arrihen?
Rikonceptimi i formave praktike të reagimit apo rezistencës qytetare, dhe kjo mund të arrihet nëpërmjet punës së vazhdueshme me komunitetin.
- Cilat grupmosha mblidhen tek Ata?
Nga fëmijë të moshës 6-15 vjeç (për të cilët kemi një program të vecantë që përmban kurs anglishteje falas, orët e projektimit të filmave vizatimor, orët e leximit të përrallave dhe orët e pikturës) të rinj nga mosha 17- 20; 25 vjeë- 40 vjeç.
- Sa jeni mbeshtetur nga organet vendore?
Jemi në përpjekje e sipër për të ndërtuar ura bashkëpunimi me përfaqësuesit e qeverisjes vendore. Deri tani disa prej iniciativave tona janë përcjellë me indiferentizëm, disa të tjera janë mirëpritur. Kjo luhajte vjen si pasojë edhe e ritmeve të ngadalta institucionale, por që kjo mundet të na e ketë vështirësuar punën, por jo penguar për të gjetur shtigje të tjera veprimi.
- Tek ju ka qenë edhe kryeministri Rama, kush e kërkoi këtë takim?
Ky takim nuk është kërkuar nga grupi. Edhe pse jo e domosdoshme, mund të jetë e nevojshme të saktësohet se grupi nuk e ka ndjerë asnjëherë nevojën e pranisë/vizitave të figurave të tilla që janë të veshura me pushtet politik, përkundrazi. E megjithatë, ishim dhe jemi të hapur për dialog. Për t’u rikthyer te çështja në fjalë, kryeministri, nëpërmjet personave përfaqësues të tij, shpreh dëshirën për të marrë pjesë në një aktivitet të hapur për publikun i cili konsistonte në prezantimin e punës së ndërtimit të Hartës konceptuale të Kamzës në bashkëpunim me artistët Effi & Amir. U shpreh se vlerësonte përpjekjet e grupit dhe nxiste nisma të tilla në një qytet i cili është ndërtuar jeta me shumë sakrifica.
- A keni pasur përplasje me Bashkinë pas ardhjes së Ramës tek ju, duke ditur se ajo është e palës kundërshtare?
Nuk mundemi të supozojmë pasoja duke u nisur nga premisa të tilla. Çdo përgjigje negative, apo vështirësi për të vazhduar punën tonë me organet e qeverisjes vendore nuk mundemi t’i analizojmë nën optikën e supozimeve të tilla. Një “JO” bashkiake jo detyrimisht ka ardhur si pasojë e kësaj ngjarjeje. Por, edhe nëse mund të ketë ndodhur kështu, nuk ka vend më manifestimi i papjekurive të tilla institucionale të cilat të refuzojnë për shkak të hatërmbetjeve partiake. Ftesa u shkon të reflektojnë.
- Keni marrë pjesë në protesta apo të bëni kërkesa për të ndryshuar ndonjë gjë në qytet?
Protesta e organizuar nga banorët e Kamzës të revoltuar ndaj ndotjes së jashtëzakonshme ekologjike shkaktuar nga Landfilli i Kamzës- kjo është protesta në të cilën kemi marrë pjesë. Nisma më e rëndësishme për nga kuadri ligjor ka qënë peticioni- nisma qytetare bazuar në ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” ligji 139/2015; neni 20. Firmosja e më shumë se 1% të banorëve të qytetit për hapjen e qendrës rinore në hapësirat e Pallatit të Kulturës. Kërkesë e cila nëpërmjet një procesi të parregullt administrative nuk u mor në konsideratë nga Këshilli Bashkiak.
- Plani i Ata në të ardhmen?
Të vazhdojë të ekzistojë.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.










