Të rinjtë i bashkohen projektit të Pozitivit, për gazetarinë konstruktive
26/01/2019 Shpërndaje

Të rinjtë i bashkohen projektit të Pozitivit, për gazetarinë konstruktive

Infinit Plus ka nisur zbatimin e projektit më të ri të pozitivi.org, me gazetarët e rinj për të zhvilluar dhe promovuar gazetarinë konstruktive. Takimi i parë informues u realizua ditën e hënë më 26 nëntor, me studentët e vitit të parë master shkencash në Departamentin i Gazetarisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.

Gjatë takimit gazetarët e rinj u njohën me idenë e projektit për t’u bërë pjesë e disa trajnimeve të njëpasnjëshme për të  vënë fokusin te ndryshimi i medias dhe orientimi drejt rolit konstruktiv. Të rinjtë shfaqën interes për t’u bërë pjesë e këtij projekti që mund t’u mundësojë edhe një hapësirë të posaçme te pozitivi.org për të shkruar mbi tema të caktuara.

Gazetaria konstruktive është një fushë në zhvillim brenda gazetarisë. Ajo bazohet në raportimin e lajmeve të fokusuara në zgjidhje, në vend që të rrotullohen vetëm rreth tregimeve negative dhe të bazuara në konflikte.

Ashtu si në projektin e pozitivit, ideja që vjen pas gazetarit konstruktiv është ta tregojë historinë duke i dhënë më shumë sfond dhe ta bëjë lexuesin e lajmit më inteligjent.

Në fokusin e këtij projekti është të nxisë gazetarët e rinj të bëjnë një raportim të saktë dhe të plotë në të gjitha dimensionet, që njerëzit janë më në gjendje të krijojnë një pamje realiste të botës. Si fillim të rinjtë janë orientuar drejt rregullave që duhet të ndjekin për t’i vënë ata më pas në zbatim me shkrimet që do bëjnë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.