Të kthesh një portofol plot me euro…ndodh edhe kjo
Kush është kuksiani që befasoi zyrtarin e USAID!
“Me të thënë të drejtën e kishte portofolin plot euro”… Këto fjalë vetëm në mendim mund të tundonin këdo, por nuk e tunduan aspak një 52 vjeçar nga Kukësi që t’i fuste në xhepin e tij…
Vitet kanë kaluar por vlerat e shqiptarëve nuk janë zbehur aspak. Çdo krahinë apo individ përfaqëson qytetin dhe shtetin në të cilin ka lindur me gjestet, veprimet, kulturën dhe punën që bën. Këtë muaj Shqipërinë e ka përfaqësuar në mënyrë të denjë përpara të huajve, 52 vjeçari nga Kukësi Musli Lleshaj.
Disa zyrtarë të USAID më datë 18 Shtator kanë vizituar Shqipërinë për disa ditë. Gjatë vizitës 2 ditore, 4 zyrtarët ndaluan në një nga restorantet e Kukësit, “Bar Amerika”, e ndër to ishte dhe zyrtari Ilir Marleka, i cili ka mbetur i befasuar nga gjesti i pronarit të lokalit. Marleka ka harruar portofolin në lokal, por të nesërmen kuksiani ia ka dhënë në dorë ashtu siç e kishte lënë, të paprekur.
Marleka është befasuar nga gjesti pasi siç tregon Lleshaj për pozitivi.org, gjithë natën ishte menduar se ku e ka humbur, madje as e kishte menduar që do ta rigjejë. Ky gjest i kuksianit ka bërë që zyrtari i USAID ta marrë shembull dhe në facebook teksa tregon rastin që i kishte ndodhur. 52 vjeçari nga Kukësi gjatë një interviste për pozitivi.org rrëfen ngjarjen dhe reagimin e zyrtarit të USAID. “Ai ngeli i harlisur, më tha ku e di ti që është i imi, se mua s’më ka zënë gjumi natën. Jo mor i thash kjo është e jotja… madje i thashë që ta hapë portofolin e të shikojë mos i ka humbur gjë, sepse me të thënë të drejtën kishte të holla goxha, euro biles… Më tha mua si ka mundësi, mos janë të tuat se s’ka mundësi, pasi nuk e besoi se mund të ja kthenim të gjitha të hollat”, tha Lleshaj për pozitivin.
Lleshaj është nga Kukësi dhe prej 23 vitesh merret me biznesin e tij, ku pret e përcjell turistë të huaj dhe vendas përgjatë gjithë vitit. Gjatë intervistës për Pozitivi, 52 vjeçari tregon se ka lindur dhe jetuar në Kukës prej vitesh. Deri në 2004 ka emigruar drejt Gjermanisë, por tashmë është shkëputur komplet nga emigracioni për t’ju përkushtuar tërësisht biznesit. Ai tha se një gjest të tillë nuk e bëri për të marrë falenderime, as për famë por sepse s’ja lejon kultura dhe sedra. “Çfarë nuk është e imja nuk bëhet e imja, çfarë është e imja s’e merr njeri, ky është parimi im të cilin jam munduar t’jua përcjell dhe fëmijëve”, tha ndër të tjera Lleshaj për Pozitivi.
Intervista me Musli Lleshaj për pozitivi.org:
Pozitivi: Si e konsideroni gjestin që bëtë?
Lleshaj: Unë jam nga Kukësi dhe aty kam jetuar prej vitesh. Jam 52 vjeç dhe deri më sot s’kam marrë asgjë të tjetrit madje kur kam pasur mundësi kam ndihmuar me aq sa kam pasur në dorë.
Ai e ka harruar, por nuk janë lekët e mia janë të tjetrit. Me z.Marleka nuk është rasti i parë, ka 23 vjet që jemi në punë dhe ne i bëjmë shërbim punës tonë në rradhë të parë, me lekët e punës time dhe jo të atyre që vijnë dhe harrojnë.
Në ditët e sotme janë bërë që ti vjedhin lekët në xhep jo me ti dhënë kështu, me fol drejt. Por unë e dënoj një veprim të tillë dhe s’kam ndërmend ta bëj kushdo që të vijë. Çfarë nuk është e imja nuk bëhet e imja, çfarë është e imja s’e merr njeri, ky është parimi im të cilin jam munduar t’jua përcjell dhe fëmijëve. Më datë 18 kanë qenë disa të huaj nga USAID, ishin katër vetë e qëndruan 2 ditë.
Pozitivi: Cili ishte reagimi i parë i z. Marleka kur i kthyet portofolin?
Lleshaj: Marlekën e prita, e sapo doli nga hoteli i shkova nga pas dhe i thashë më duket se ti ke harruar portofolin. Ai ngeli i harlisur më tha ku e di ti që është i imi, se mua s’më ka zënë gjumi natën. Jo mor i thash kjo është e jotja… Madje i thashë që ta hapë portofolin e të shikojë mos i ka humbur gjë, sepse me të thënë të drejtën kishte të holla goxha, euro biles… Më tha mua si ka mundësi, mos janë të tuat se s’ka mundësi, pasi nuk e besoi se mund të ia kthenim aq shumë të holla që kishte pas. Pastaj u mundua të ma shpërblejë me falenderime…
Pozitivi: Si u ndjetë kur ju falenderoi publikisht?
Lleshaj: Po s’e kam për herë të parë në fakt. Ka pas goxha raste, njerëzit kanë harruar valixhe e portofola pafund… Kanë harru valixhe me dollar dhe ua kam dërgu në Prishtinë. Atë punë nuk e kam bë as me u lavdëru as për asgjë. Të mbash portofolin apo çfarëdolloj sendi të dikujt tjetër është gjëja e fundit që duhet të bëjë një njeri. Unë më shumë e bëra për kënaqësi pune, shërbimi, e njerzillëku jo se doja ta merrnin vesh të tjerët…
Pozitivi: Keni emigruar ndonjëherë jashtë vendit, çfarë opinioni kanë të huajt për shqiptarët?
Lleshaj: Kam qenë në Gjermani bëhet fjalë në 2004-2005. Pasi u hap lëvizja e lirë me 3 mujorsh nuk kam shkuar më për punë, i jam përkushtuar biznesit. Ne kudo që jemi përfaqësojmë vendin tonë, ne në këtë rast përfaqësuam Kukësin por edhe Shqipërinë sepse ata ishin të huaj. Njerëzit duhet ta fiksojnë që një gjë që nuk është e vetja duhet ta dorëzojë kudo që ta gjejë.

© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.
