TË JESH PJESË E FAMILJES EVROPIANE NUK ËSHTË VETËM ÇËSHTJE LETRASH. EKSPERTËT TREGOJNË SE SI DO NDIKOJË JETESËN TONË INTEGRIMI.
18/11/2022 Shpërndaje

TË JESH PJESË E FAMILJES EVROPIANE NUK ËSHTË VETËM ÇËSHTJE LETRASH. EKSPERTËT TREGOJNË SE SI DO NDIKOJË JETESËN TONË INTEGRIMI.

Qytetarët duhet të dinë dhe të informohen se si procesi dhe integrimi ndikon në standardin e tyre të jetës. Në këtë rast, njohësit e mirë të procesit e lidhin me forcimin e shtetit të së drejtës dhe rritjes se performancës ekonomike, lidhur ngushtësisht me rritjen e pagave, sidomos pagës minimale.

Znj. Gjonaj: “Do të sjellë pikësëpari forcimin e shtetit të së drejtës që do të thotë funksionim më i mirë i institucioneve demokratike, respektimi i parimit të ndarjes  së   pushteteve,   respektimi   i   të   drejtave    të    njeriut    dhe    qasje    në drejtësi. Njëkohësisht, forcimi i shtetit të së drejtës dhe një gjyqësor i pavarur dhe  i paanshëm, bashkë me një kuadër ligjor miqësor për investimet e huaja do të ndikojë në rritjen e performancës ekonomike, që do të thotë më shumë vende pune, paga më të mira etj”.

Gjepali: “Hyrja në Bashkimin Evropian ndikon drejtëpërsëdrejti në rritjen e standardit të jetesës, por do të thoja dhe përpara hyrjes në BE, të gjitha kushtet që duhen plotësuar gjatë procesit të negociatave ndikojnë direkt në standardin e jetesës sepse këto kushte dhe këto standarde që ne përafrojmë çdo ditë e më shumë sjell dhe rritje të cilësisë së jetesës”.

Për sa i takon ekonomisë, procesi dhe anëtarësimi në vetvete lidhet dhe me përdorimin e monedhës Euro si në të gjitha vendet e BE.

Ish Ministrja e Financave, aktualisht deputete socialiste e Parlamentit të Shqipërisë Znj. Anila Denaj thotë se hyrja e Shqipërisë në eurozonë do kohën e saj: “Eurozona do kohën e saj dhe krijohet si rrjedhojë e integrimit dhe jo domosdoshmërisht në të njëjtën kohë, ose nëse tregu i brendshëm e ka Euron masivisht të përdorur. Në këtë rast është shembulli i Kosovës për përdorimin e monedhës Euro, por ky nuk mund të jetë një krahasim tipik sepse Shqipëria dhe Kosova janë në faza tërësisht të ndryshme”.

Znj. Gjonaj: Për këtë është e nevojshme të plotësohen kriteret e konvergjencës (ekonomike dhe ligjore) në mënyrë që ky proces te mos sjellë risqe ekonomike tek vendi anëtar që pranohet si dhe tek eurozona në tërësi. Për shembull, Kroacia ndonëse e pranuar në BE në 2013, do të pranohet në Eurozonë në janar 2023”.

Procesi i integrimit shoqërohet me kapituj të veçantë dhe detyrimeve të caktuara  për sa i përket çështjeve të rëndësishme si mjedisi apo siguria ushqimore që kanë ndikim të drejtë për drejtë me shëndetin e qytetarëve. Për Zëvendësministren e Mjedisit Almira Xhembulla do të ndiqen me prioritet zbatimet e politikave mjedisore. “Politika e mjedisit e BE-së synon të promovojë zhvillimin e  qëndrueshëm dhe të mbrojë mjedisin për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme. Ajo bazohet në masat parandaluese, në parimin “ndotësi paguan” duke luftuar dëmtimin e mjedisit në burim, në përgjegjësinë e përbashkët dhe integrimin e mbrojtjes së mjedisit në politikat e tjera të BE-së. Acquis përfshin mbi 200 akte kryesore ligjore që mbulojnë legjislacionin horizontal, cilësinë e ujit dhe ajrit, menaxhimin e mbetjeve, mbrojtjen e natyrës, pyjeve dhe biodiversitetit, kontrollin e  ndotjes industriale dhe menaxhimin e rreziqeve, kimikatet dhe organizmat e modifikuar gjenetikisht ( OMGJ ).

Ndërsa për sa i përket sigurisë ushqimore, Znj. Gjonaj thotë se legjislacioni dhe përafrimi i tij si detyrim synon mbrojtjen e konsumatorëve dhe rregullimin e funksionimit të tregut. Patjetër, pasi siguria ushqimore në BE shoqërohet nga një legjislacion i kompletuar që synon mbrojtjen e konsumatorëve, por njëherësh edhe funksionimin normal të tregut. Legjislacioni për sigurinë ushqimore mbulon aspekte që lidhen me prodhimin fillestar, kushtet higjienike në përpunimin e ushqimit, paketimin, etiketimin dhe kontrollin nga organet zyrtare mbi përputhshmërinë me standardet e sigurisë ushqimore”. Z. Gjepali thotë se gjithashtu Shqipëria duhet të investojë në infrastrukturë për të bërë të gjitha ekzaminimet, analizat për të siguruar konsumatorët mbi cilësinë e atyre që konsumojnë. Legjislacioni që është duke u aprovuar kushtëzon që produktet që prodhohen në Shqipëri apo në vende të tjera do të duhet të kenë të njëjtat standarde. Kjo rrit cilësinë, sigurinë, por rrit edhe kostot e produkteve që ne marrim pasi kërkon më shumë shpenzime, kontrolle. Nga ana tjetër, inspektorët kërkojnë përgatitje profesionale, investimet që duhen bërë nga bizneset për të arritur në standardet që kërkohen. Pra, është një efekt zinxhir i rritjeve të kostove” thekson ai.

Ekspertët ndanë mendimet e tyre në lidhje me të gjithë hapat e nevojshëm që po ndjek vendi në këtë proces të rëndësishëm dhe historik. Por, pavarësisht kësaj, ecuria e procesit varet gjithashtu nga vullneti politik që në thelb ka për qëllim që reformat t’i shërbejnë së pari vendit dhe qytetarëve.

“Ky projekt/aktivitet organizohet në kuadër të programit Tirana Kryeqyteti Evropian i Rinisë 2022 me mbështetjen financiare të Kongresit Rinor Kombëtar në bashkëpunim me Bashkinë Tiranë.”

#tirana #youth #EuropeanYouthCapital2022 #EYC2022 #ActivateYouth

#EuropeanYearOfYouth #NationalYouthCongress #CityOfTirana

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.