SITUATA NË DREJTËSI: GJYQTARËT NUK KANË KOHË (OSE DËSHIRË) AS PËR TU TRAJNUAR, DENONCIMI I NJË SALLE BOSH
02/07/2024 Shpërndaje

SITUATA NË DREJTËSI: GJYQTARËT NUK KANË KOHË (OSE DËSHIRË) AS PËR TU TRAJNUAR, DENONCIMI I NJË SALLE BOSH

Sot në Shkollën e Magjistraturës ishte parashikuar një trajnim me gjyqtarët mbi ligjin dhe praktikën e konkurrencës. Fotografia e një salle të zbrazët të Shkollës së Magjistraturës, ku ishte parashikuar të zhvillohej trajnimi, dhe denoncimi i Denar Bibës si Kryetar i Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës tregojnë se vetëm dy gjyqtarë u paraqitën për të marrë pjesë. Trajnimi dështoi.

Denar Biba, Kryetari i Komisionit të Konkurrencës në Autoritetin e Konkurrencës, shpreh shqetësimin e tij për situatën. “Është e papranueshme që një nga degët më të sofistikuara të drejtësisë, si drejta e konkurrencës, të mbetet një fushë e pak shprehur dhe e pambështetur nga sistemi gjyqësor,” tha Biba.

Ky denoncim vjen pas disa përpjekjeve për të organizuar trajnime të specializuara për gjyqtarët, të cilat kanë përfunduar me pjesëmarrje minimale. Në fakt, sipas reagimeve të fundit, gjyqtarët vlerësojnë se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të angazhuar në trajnime të tilla për shkak të ngarkesës së tyre të lartë pune, duke shpjeguar pse pjesëmarrja është kaq e ulët.

Për Autoritetin e Konkurrencës, që ka një ekip prej më shumë se 30 specialistësh të angazhuar në hetime të gjata dhe vendime të sofistikuara, ky është një problem i vërtetë. “Ne punojmë për të siguruar që çdo vendim që del nga zyrat tona të jetë në përputhje me standarde të larta të analizës ekonomike dhe ligjore,” shtoi Biba. “Por, për të arritur këtë, është e domosdoshme që gjyqtarët të kenë një nivel të mirë të njohurive në drejtësinë e konkurrencës.”

Ndërkohë që shqetësimet rriten, ky denoncim shtron sfida për sistemin gjyqësor të vendosë prioritete dhe të mbështesë nismat për të përmirësuar njohuritë dhe sensibilizimin në drejtësinë e konkurrencës. Ndërkohë që reagimet e shumta nga komuniteti juridik tregojnë një nevojë të qartë për reforma dhe investime të mëtejshme në këtë fushë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të vendit.

REAGIMET

I pari që ka reaguar ka qenë avokati Ermal Nazifi me një tjetër denoncim: “Para disa vitesh mbaj mend që një kolege e nderuar më tha që kishte aplikuar si trajnere e trajnimit vazhdues te Shkolla e Magjistraturës në fushën e të drejtës së konkurrencës, ishte përzgjedhur, kishte lidhur kontratën në mënyrë shumë serioze duke paraqitur një numër dokumentesh, certifikatash etj. por akoma s’ka bërë asnjë trajnim.”

Edhe Denar Biba ka pranuar se ky i sotmi do të ishte i pari trajnim pas 9 vitesh: “Është e vërtetë që gjyqtarët janë jashtëzakonisht shumë të ngarkuar (veçanërisht ata të Tiranës); Është e vërtetë që e drejta e konkurrencës prodhon fare pak çështje për gjykim e për pasojë shihet si periferike e pa interes për tu zgjedhur nga gjyqtarët; Është e vërtetë që gjyqësori shqiptar, ndryshe edhe nga ai kosovar madje, nuk ka gjykata/dhoma të specializuara për të gjykuar çështjet e konkurrencës; Është e vërtetë që e drejta e konkurrencës konsiderohet nga doktrina ndërkombëtare si një nga degët më abstrakte e të sofistikuara të së drejtës. Arsyeshëm, nuk mund të ‘masterizohet’ vetëm me ca leksione përçiptaz në universitet dhe/ose ShM.”

© 2024, Pozitivi. All rights reserved.