Shqipja bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni, politika shqiptare reagon për vendimin historik
11/01/2018 Shpërndaje

Shqipja bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni, politika shqiptare reagon për vendimin historik

Ditën e sotme është miratuar ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, me 69 vota pro dhe asnjë kundër. Gjuha shqipe pas shumë debateve që nga shtatori i vitit të kaluar kur është propozuar, këtë të mërkurë është bërë gjuhë zyrtare në të gjithë territorin e Maqedonisë, përfshirë pikat kufitare, institucionet locale dhe qendrore, dokumentacionin etj.

Mësohet se gjatë seancës në Kuvend munguan deputetët e VMRO-DPMNE-së por ligji u votua vetëm nga deputetët e LSDM-së dhe partitë shqiptare. Miratimi i ligjit është mirëpritur dhe përshëndetur nga politikanë dhe aktorë të ndryshëm në Shqipëri. Vendimi është pëshëndetur nga Rama, Berisha, Meta, Basha, Kryemadhi, Bushati etj.

Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas miratimit të ligjit për ta bërë shqipen gjuhë zyrtare, në Maqedoni, duke e quajtur vendimin një arritje historike.  “Miratimi nga parlamenti në Shkup i ligjit të gjuhës shqipe një arritje historike për shqiptarët që demokratizon e forcon vetë Maqedoninë”, tha Rama.

Sakaq edhe ish-kryeministri Sali Berisha ndërsa përshëndet vendimin e quan një fitore që vjen në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit. “Votimi i ligjit për gjuhën shqipe në Parlamentin e Maqedonisë, një arritje e madhe! Të dashur miq, sot Parlamenti i Maqedonisë në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit miratoi ligjin për përdorimin e Gjuhës Shqipe në territorin e Republikës së Maqedonisë. Duke përshendetur këtë akt të rëndësishëm dhe të gjitha ata që bënë të mundur votimin e tij, theksoj se zbatimi i këtij ligji do shënonte një fitore historike për shqiptarët e Maqedonisë dhe kombin shqiptar në tërësi! Sb”, shkruan Berisha.

Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati mes të tjerash shton se miratimi i ligjit ka rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik. “Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është një arritje e rëndësishme për shqiptarët si popullsi shtetformuese dhe hap përpara për demokratizimin e forcimin e rrugës euroatlantike të Maqedonisë.

Miratimi i ligjit garanton një akses më të mirë e më të drejtë në shërbime dhe një përfshirje të shqiptarëve në mirëqeverisje, politikat zhvillimore dhe ndërtimin e një shoqërie të hapur, pa mure ndarëse, e të bazuar në vlerat europiane. Miratimi i ligjit është një investim me rëndësi të veçantë për forcimin e demokracisë, respektit dhe mirëkuptimit ndëretnik.Në të njëjtën kohë, ky akt është një gur themeli për një të ardhme më të mirë e më të sigurtë euroatlantike të fqinjit tonë, për çka shqiptarët në Maqedoni kanë qenë dhe janë mbështetës të palëkundur”, tha Bushati.

Presidenti Ilir Meta po ashtu përshëndet vendimin, si një akt që shërben për të ardhmen evropiane të Maqedonisë.“Mora lajmin e gëzueshëm se Parlamenti i Maqedonisë ka miratuar ligjin për përdorimin e gjuhës shqip,. një akt i rëndësishëm jo vetëm për shqiptarët por edhe për të ardhmen evropiane të Maqedonisë”, tha Meta.

Kreu i PD shkruan: “Është një hap i rëndësishëm përpara në realizimin e statusit të gjuhës shqipe në Republikën e Maqedonisë. Përshëndes këtë hap si një sukses i bashkërendimit dhe bashkëpunimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni. Vlerësoj qëndrimin e forcave politike maqedonase që mbështetën me votën e tyre këtë ligj, i bindur se kjo votë është një kontribut i rëndësishëm për bashkëjetesën etnike dhe konsolidimin e një shoqërie demokratike në Maqedoni. Partia Demokratike nxit këtë klimë uniteti mes faktorit politik shqiptar dhe bashkëpunimi me atë politik maqedonas, si një garanci për një Maqedoni të orientuar drejt standardeve dhe vlerave euroatlantike dhe europiane.”.

Ndërsa kryetarja e LSI Monika Kryemadhi për këtë hap historik shkruan: “Pas vendimit për shpalljen festë zyrtare të ditës së alfabetit, ditës së Kongresit të Manastirit, miratimi i ligjit të dygjuhësisë në Maqedoni është një hap tjetër emancipues shtetëror. Heqja dorë nga tabutë, duke përfshirë heqjen dorë nga emri historik, siç deklarohet, dhe çlirimi nga frika prej gjuhës së tjetrit, përbëjnë dukuri evropianizuese të Maqedonisë fqinje, të cilën Shqipëria e njohu e para si shtet të pavarur. Të heqësh dorë nga monolinguizmi do të thotë të pranosh barazinë me tjetrin, shumicë a pakicë qoftë. Kufiri i gjuhës nuk kontrollohet nga kufiri i shtetit! Njohja dhe pranimi i këtij realiteti është progres”.

 

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.