“Shoqëria, dashuria, miqësia nuk rrëmbehet me dhunë, por me mirësjellje, respekt dhe dashuri”
22/01/2018 Shpërndaje

“Shoqëria, dashuria, miqësia nuk rrëmbehet me dhunë, por me mirësjellje, respekt dhe dashuri”

Ngjarja e rëndë e shënuar ditën e djeshme përpara portës së Fakultetit të Mjekësisë, ku Aldosen Belulaj qëlloi me 5 plumba studenten e Juridikut, Ariela Muratin më pas edhe veten, ka troditur mbarë opinionin e gjerë.

Ariela Murati 21 vjeç studente në Fakultetin e Drejtësisë dhe Aldosen Belulaj infermier, njiheshin prej kohësh së bashku, madje kanë përfunduar shkollën në të njëjtin gjimnaz, në Zharrëz, te Sotir Kapo. Mohimi i dashurisë, për të disatën herë nga ana e vajzës ka bërë që 23 vjeçari të humbasë toruan.  21-vjeçarja ndërroi jetë, ndërsa sot është dërguar në banesën e fundit mes dhimbjes së familjarëve e të afërmëve. Kurse Belulaj, i cili qëlloi edhe veten me plumb në kokë aktualisht ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.

Reagimet për këtë tragjedi kanë qenë të panumërta, nga qytetarë dhe aktorë të ndryshëm të shoqërisë, por ne të Pozitivit zgjodhëm këtë postim të bërë nga pedagogia Edlira Mali, e cila përcjell një mesazh të fortë për të gjithë, veçanërisht për nënat. “Nëna mësojuni fëmijëve se… shoqëria, dashuria, miqësia nuk rrëmbehet me dhunë, por me mirësjellje, respekt dhe dashuri”.

“Diku lexova se sot është dita ndërkombëtare e përqafimeve dhe fillimisht u gëzova që egziston një ditë e tillë, duke shpresuar që përqafimet shërbejnë për të ulur tensionet dhe për të rritur dashurinë midis njerëzve. Por nuk kaloi shumë dhe u pezmatova kur dëgjova se Arielës 21 vjeçare, sot jo vetëm që nuk i dhuruan përqafime, por i hoqën përgjithmonë të drejtën që t’i dhurojë e t’i marrë ato dhe e gjitha kjo për shkak të një sedre të lënduar të një djali, pasi ajo nuk pranoi një lidhje sentimentale me të.

Ndaj vendosa që këtë status t’ja kushtoj shoqeve, mikeve dhe të njohurave të mia dhe të gjitha mamave të tjera që kanë djem, duke ju përgjëruar që tu mësojnë fëmijëve të tyre duke filluar që kur janë të vegjël se jo çdo gjë që ata shikojnë mund tu përkasi vetëm atyre, jo çdo lodër që pëlqejnë mund ta bëjnë pronë. Gjithashtu, ju lutem mikesha, mësojini fëmijët tuaj që njerëzit nuk janë as lodra dhe as pronë e askujt, dhe dashuria nuk është një kapriço, ndaj ata nuk mund të përplasin këmbët, të qajnë apo të shkrehin armët sa herë që të tjerët nuk ju binden. Shpjegojani ju lutem se shoqëria, dashuria, miqësia nuk rrëmbehet me dhunë, por me mirësjellje, respekt dhe dashuri.

Shpenzoni pak më shumë kohë me fëmijët tuaj duke luajtur me ta, duke i dashur, përqafuar e puthur pa kushte që edhe ata ta kuptojnë se dashuria dhe vëmendja ndaj tyre nuk është një favor që po ju bëhet, por është një ndjenjë njerëzore që lind dhe përjetohet me emocione dhe jo me dhunë e krisma armësh. Ju lutem bëjeni këtë, jo vetëm për të shpëtuar jetën e vajzave që ata do të takojnë gjatë jetës së tyre, por edhe për tu siguruar djemve tuaj një jetë të mbushur me emocione të bukura e dashuri, të cilat do t’jua transmetojnë edhe të tjerëve, por sidomos fëmijeve të tyre. Pra siguroni që zinzhiri i lumturisë të mos shkëputet, duke mos lejuar të krijohet stres dhe depresion tek fëmijët që në moshë të vogël, i cili do t’i shoqërojë ata gjatë jetës.  Dhe mos harroni, përqafohuni edhe me partnerët tuaj në sy të fëmijëve tuaj, sepse kjo ju transmeton fëmijëve siguri”, shkruan Mali.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.