Shkencëtarja muslimane nga Shkodra po mahnit Italinë
24/10/2017 Shpërndaje

Shkencëtarja muslimane nga Shkodra po mahnit Italinë

Ergesa Lopiçi, mjekja muslimane nga Shkodra që thëniet e Profetit Muhamed i konkretizon në zbulime shkencore, po mahnit italinë. Lopiçi është studiuese e avancuar e mjekësisë bërthamore, e nderuar së fundmi me çmimin ndërkombëtar për kërkimet shkencore në luftën ndaj kancerit.

Tashmë prej 20 vitesh dr. Lopiçi jeton, punon dhe studion në kërkimin shkencor në shtetin fqinj. Disa nga angazhimet shkencore janë puna si mjeke në spitalin “Humanitas” në Milano, relatore për masterin e hematologjisë pediatrike në “La Sapienza” në Romë, anëtare e Komisionit Pediatrik dhe Etik në Shoqatën Evropiane të Mjekesisë.

Karriera

Egesta i përket një familjeje qytetare shkodrane të besimit islam, gjë që nuk e ka penguar atë të studiojë në Itali, madje dhe të zgjedhë të mbajë veshjen dalluese të këtij besimi, siç është shamia. Ajo ka përfunduar shkollën e mesme në gjimnazin ”28 Nëntori’ në Shkodër dhe, pasi  bëri kërkesën, fitoi të drejtën për të studiuar për “Mjekësi” në Universitetin e Bolonjës në Itali, ku ciklin e parë të studimeve e përfundon në vitin 2006 me vlerësim maksimal.

Niveli i përgatitjes së saj dhe rezultatet e larta në universitet bëjnë që ajo të ndjekë specializimin në mjekësinë bërthamore, të  cilën e përfundoi brenda pesë vitesh. Po në të njëjtin universitet, merr doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive.

Kërkimet e saja fokusohen në përdorimin e PET-it si metodë hetimi e patologjive tumorale nëpërmjet injeksionit të shënjuesve molekularë radioaktivë, i cili vëzhgon tumorin nga jashtë për të identifikuar karakteristikat e përhapjes së tij. Gjithashtu, ndër të tjera Konica shkruan se ajo kooperon me grupin italian të studimit të linfomës së Hodgkin tek fëmijët dhe është referente e mjekësisë bërthamore për këtë grup.

Së bashku me disa kolegë të tjerë italianë ndoqi një studim për tumorin dhe neuroblastomën po tek fëmijët. Është autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë, ku i fundit është  libri universitar Compendio di Diagnostica Medico Nucleare, në lidhje me diagnostikimin e sëmundjeve tumorale. Ajo ka marrë çmim nga Shoqata Evropiane e Mjekësisë Bërthamore, (EAMN).

Egesta shprehet me modesti për arritjet e saj të deritanishme, ndërsa shton se një motivim të madh ka marrë dhe përmes besimit të saj islam.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.