S’duan fatin e Arielës, 200 femra denoncojnë meshkujt
Rreth 200 femra në Shqipëri janë përndjekur nga ish-bashkëshortët apo ish-i dashuri brenda një viti. Burime pranë policisë thanë për Tv Klan se që nga janari i 2017 deri në janar të 2018 rreth 200 femra kanë denoncuar se përndiqen, ndërsa vetëm muajin e fundit ka pasur 5 denoncime
Shifrat e dhëna nga policia janë shqetësuese, pasi tregojnë nivelin e lartë të tendencës së meshkujve për të ushtruar dhunë. Ndërsa në anën tjetër, guximi i grave dhe vajzave për ta denoncuar një veprim të tillë, tregon zhvillim dhe emancipim.
Hapi i parë, i domosdoshëm që femrat të mbrojnë veten është të denoncojnë personin që i përndjek, kërcënon apo që ushtron dhunë ndaj tyre. 200 prej tyre e kanë bërë gjatë vitit të fundit, dhe ndikim në nxitjen e tyre për të denoncuar dhe parandaluar ndonjë fatkeqësi, kanë pasur rastet tragjike të vrasjes së vajzave dhe grave nga meshkujt vitin e fundit.
Dhuna, një problematikë që sado që shoqëria shkon përpara, vazhdon ta ndjekë nga pas. Rasti më i fundit që tronditi shoqërinë, ishte vrasja e studentes së drejtësisë 21 vjeçares Ariela Murataj, nga 23 vjeçari Aldison Belulaj për shkak të një dashurie të mohuar nga vajza. Belulaj pasi vrau studenten qëlloi me një plumb dhe veten, dhe u nda nga jeta një javë pas ngjarjes, që ndodhi pranë Fakultetit të Mjekësisë në Tiranë.
Ariela kërcënohej prej kohësh nga 23 vjeçari. Ajo nuk e kishte denoncuar në polici për të marrë mbrojtje por ndërroi numrin për të mos u shqetësuar më prej tij. Studentja e drejtësisë s’e parandaloi dot vrasjen e saj, por çdo vajzë që kërcënohet duhet ta bëjë, si fillim ta denoncojë agresorin në polici.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
