Këpucarja ‘duar hekur’ që ruan familjen
Duart e enjtura dhe të shpuara nga gjilpëra i kishte të lidhura me rripa lëkure. E quaj këpucarja me “duar hekuri”, sepse i ka të forta si hekuri. Ambienti përpara shtëpisë së saj ishte plot me këpucë. Bëhet fjalë për një 53 vjeçare që jeton në Krrabë, në një banesë disa metra lart njësisë administrative. Me duar të shpuara, e gjeta duke qepur këpucë për një fabrikë Italiane, në të cilën ka filluar të punojë që prej vitit 1991.
Në ditë përfundon 20 palë këpucë ose më shumë. Këpucët i qep në shtëpi. Nga fabrika merr një pagesë, që as e tillë s’mund të quhet. Merr 150 lekë (të vjetra) për një palë këpucë. Edhe pa siguracione. Për këtë shumë duron dhimbjen e duarve çdo ditë, sepse ajo është e vetmja që punon për familjen.
“Është shumë e vështirë. Duart i kam vrarë gjatë qepjes. Gjithë ditën këtë punë bëj. E kam filluar këtë punë që në 91-in dhe deri më sot, por pa siguracione. Në ditë bëj rreth 15 palë këpucë, 20 palë, sipas modelit. S’kam ç’bëj tjetër. Duhet të hamë.
Pronari i fabrikës as do t’ja dijë se si punove ti, sa e vështirë është, dhe s’të merr parasysh fare kur i kërkon të të rrisë ndonjë qindarkë. E kam fillu me 100 lekë (të vjetra) këpucën në 91 dhe që atëherë deri më tani ka shkuar në 100 e 50 lekë (të vjetra) ose 200 (të vjetra)”, thotë 53 vjeçarja për pozitivi.org.
53 vjeçarja ka një djalë dhe një vajzë. Vajzën e ka të martuar në një fshat të Tiranës. Burri dhe djali shumicën e kohës janë pa punë. Kësisoj i biri u detyrua të marrë rrugën e kurbetit dhe prej një muaji është në Greqi.
Edhe pse lodhet, motivohet të punojë më fort kur shikon që komshia ngjitur me të jeton si në mesjetë. Me dhembshuri tregon që herë pas here e ndihmon nënën e 5 fëmijëve. “Kam një komshie këtu afër dhe jeton në një kasolle. Jeton si në mesjetë. Pa shtëpi, pa asgjë. Ç’a ka marrë ndihma nga Elvis Naçi, nga disa shoqata dhe njerëzit. Po aty ka mbetur ajo. Ka 5 fëmijë, burri i ka ikur nga Greqia dhe as lekë s’i sjell.
Ajo jep e merr atje sipër, ndez zjarrin, lan kalamajtë dhe gatuan ashtu. Erdhi një ditë dhe më tregoi që kishte larë shumë rroba me dorë dhe i dhimbte mesi. E ndihmoj shpesh. Ne këtu qahemi se të gjithë për bukën e gojës punojmë, s’po bëjmë gjë tjetër, por kur shohim atë na shtohet me shume forca te punojnme pavaresisht çmimit qesharak. Ne të gjithë jemi hallexhinj, se të gjithë qepim këpucë nëpër shtëpia dhe pastaj i dërgojmë tek fabrika. Kurse pronari s’do t’ja dijë, bën sikur ne me qenë mall pa zë”, tregon zonja ndërsa vijon të qepë.
Mes ditëve të sotme dhe Komunizmit mendon se ka qenë më mirë në atë kohe, sepse njerëzit sipas saj ishin të barabartë. “Është kohë e vështirë. Jam ndesh dhe me kohën e Enver Hoxhës se jam 53 vjeç. Po prap ka qenë tjetër gjë. Ka qenë më mirë atëherë. Pse do thuash? Se ishin njerëzit të gjithë një nivel, sot se dergon dot fëmijën në shkollë sepse ta përbuz tjetri. Atëherë edhe po të mos kishe lekë do merrje bukë tek dyqani, kurse sot s’të jep njeri. S’ta jep ai se është privat”.
Biseda jonë zgjati disa minuta. Më foli për familjen e saj dhe për problemet e fshatit në tërësi. Kushtet në shtëpinë e saj i kishte relativisht të mira, por të ardhurat ishin të pakëta. Punë stabël prej vitesh ka pasur qepjen e këpucëve. Thotë se do vazhdojë ta bëjë derisa të ketë frymë sepse është e vetmja mundësi pune, në fshatin e saj.
Nga Beklie Koltraka
© 2018 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.









