RRITJA E ÇMIMIT TË BUKËS UL KONSUMIN. FURRAT E BUKËS: FAMILJARËT PO MARRIN GJYSMËN E SASISË QË BLENIN MË PARË.
27/09/2022 Shpërndaje

RRITJA E ÇMIMIT TË BUKËS UL KONSUMIN. FURRAT E BUKËS: FAMILJARËT PO MARRIN GJYSMËN E SASISË QË BLENIN MË PARË.

Shqiptarët, këta konsumues masivë të bukës!


Shqipëria renditet në një nga vendet me konsumin më të lartë të bukës në Evropë. Ky produkt ishte edhe në top listën e produkteve për të cilat u shpenzua më shumë në vitin 2020. Sipas të dhënave nga Eurostat (grafiku më lartë) konsumi i saj ishte 4.8%, më i larti në Evropë. Por duket se ky realitet po ndryshon. Nisja e luftës në Ukrainë dhe pasojat që ajo shkaktoi sollën një rritje të vazhdueshme të çmimit të bukës në vendin tonë. Fillimisht rritja ishte evazive në disa nga furrat e kryeqytetit në masën e 10 lekë të rinj. Më pas rritja e çmimit vijoi në 20 lekë dhe u zgjerua gjeografikisht në të gjitha qytetet e vendit. Pozitivi.org bisedoi me një nga sipërmarrëset që ka një furrë buke në Tiranë. Ajo pohon se çmimi i lëndëve të para është rritur deri 3 herë gjatë këtyre 3 muajve të fundit.

Rritja e çmimit, uli sasinë e blerjeve të bukës

Kjo rritje çmimi është shoqëruar me një rënie të konsumit nga ana e klientëve. Erida Bonjaku drejtuesja e furrës së bukës, i tha pozitivi.org se konsumatorët nuk kanë mundësi financiare të blejnë bukë si më parë.


Rritje të çmimit nuk ka pësuar vetëm buka, por edhe produktet e pastiçerisë. Madje aty është më e ndjeshme, me 50 lekë të rinj.

Rritja e çmimit të energjisë elektrike, a do iu vijë radha edhe bizneseve?

Duke nisur nga data 1 Tetor, familjarët që kalojnë fashën prej 800 kë do e paguajnë më shtrenjtë energjinë elektrike. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, deklaroi se mbi këtë fashë OSHEE do të faturojë çdo kilovat orë me 42 lekë më shumë. Kjo është një nga masat e planit të qeverisë Rama për të përballuar krizën energjitike. Por bizneset i druhen një vendimi për rritje çmimi që mund t`i prekë edhe ata.



Erida Bonjaku, drejtuesja e furrës së bukës i tha pozitivi.org se nëse do të kishte një rritje të çmimit të energjisë elektrike, kjo do të rëndonte direkt xhepat e qytetarëve, pasi do të reflektohej në rritje të mëtejshme të çmimit të bukës.

Eksperti i energjitikës Eduard Elezi i tha pozitivi.org se nga rritja e çmimit të energjisë elektrike do preken edhe bizneset.



Edhe në kushtet aktuale Shqipëria renditet në vendet që ka çmim të lartë të blerjes së bukës në raport me të ardhurat e familjeve shqiptare.

#furrebuke #oshee #belindaballuku #rama

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.