Rritja e çmimeve, Banka e Shqipërisë: Kriza godet shtresat në nevojë, masat dhe apeli për qytetarët
26/03/2022 Shpërndaje

Rritja e çmimeve, Banka e Shqipërisë: Kriza godet shtresat në nevojë, masat dhe apeli për qytetarët

Ditën e sotme çmimi i naftës është rritur sërish në vendin tonë. Një litër naftë po shitet me 245 lekë. Nga ana tjetër çmimi i benzinës nuk ka ndryshuar, do të vijojë të shitet me 218 lekë për litër. Po kështu edhe cmimi i gazit mbetet në 93 lekë.  Në bursën e Londrës nafta brent ka rënë sot me 2.03% duke shkuar në 116.7 dollarë për fuci.

Bordi i Transparencës ka vendosur çmimet e reja që do të jenë në fuqi deri të martën e ardhshme në mbledhjen e radhës.

Rritja e çmimit të naftës duket se do të rikthejë sërish protestat në vend. Aktivistët njoftojnë përmes rrjeteve sociale se ditën e mërkurë në orën 17:00 do të rikthehen në protesta para kryeministrisë.

Kush goditet nga periudha e krizës?

Rritja e çmimeve të produkteve ushqimore do të godasë shtresat në nevojë. Guvernatori Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka bërë apel për më shumë mbështetje për këtë kategori. Duke folur gjatë javës së parasë theksoi se lufta në Ukrainë ka shtuar presionet për rritje çmimesh që do të vijojnë deri ën vitin 2023.Kreu i Bankës Qendrore bëri apel që të bëhet kujdes edhe me kursin e këmbimit dhe të përdoret më tepër monedha kombëtare.

Sejko i kërkoi qytetarëve që të bëjnë kujdes dhe të shmangin efektin e kursit të këmbimit në kohë krizash. Për të stabilizuar rritjen e inflacionit në vend Banka e Shqipërisë ndërhyri duke rritur normen e interesit në 1% pas 11 vitesh.

Por nga ana tjetër rritja e normës së interest ndikon në kredi. Qytetarët që kanë një kredi në lekë do të paguajnë më shtrenjtë këstet e kredive ndërsa ata që kanë depozita në monedhë kombëtare do të përfitojnë interes më të lartë.

Banka e Shqipërisë vijon punën për të mbrojtur qytetarët nga kriza e shkaktuar për shkak të luftës në Ukrainë. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi një takim me delegacionin e Bankës Botërore duke pasur në fokus të diskutimeve reagimin e shteteve apo institucione për të mbrojtur qytetarët.

Takimi u zhvillua në kuadër të Misionit të Sektorit Financiar, me një fokus të veçantë në zhvillimet në këtë sektor dhe aksesin në financë.

Takimi nisi me një vlerësim të situatës makroekonomike dhe të sektorit financiar në Shqipëri, nën dritën e zhvillimeve botërore dhe konfliktit Ukrainë-Rusi. Guvernatori Sejko vlerësoi se tensioni gjeopolitik do të japë goditje mbi ekonominë shqiptare, megjithatë sipas tij ekonomia do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 e në vazhdim.

Më tej, Guvernatori shtoi se inflacioni ka shfaqur tendencë rritëse gjatë tremujorit të parë të vitit dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ai do të qëndrojë mbi objektiv gjatë pjesës më të madhe të dy viteve në vijim. Në këtë kuadër, Banka vendosi të përshtatë nivelin e stimulit monetar në ekonomi, duke rritur normën bazë të interesit në nivelin 1.0%.

Nga ana tjetër, veprimtaria e sektorit bankar zhvillohet në mënyrë normale, me tregues të mirë financiarë, bilance likuide e të shëndetshme, trend rritës të kreditimit dhe rënie të kredive me probleme.

Përfaqësuesit e Bankës Botërore vlerësuan kontributin e Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit.

Në përfundim, Guvernatori Sejko dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore diskutuan mbi vazhdimësinë e projekteve të ndërmarra dhe asistencës teknike të nevojshme për mbylljen me sukses të tyre.

/pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.