RRËFIMI I REZARTA DELISULËS: SI I ZGJOJMË ÇDO DITË SHQIPTARËT ME RITMIN DHE PËRKUSHTIMIN E STAFIT TË EMISIONIT “MIRËMËNGJES SHQIPËRI”, NË RTSH.
Ajo është një gazetare me më shumë se dy dekada eksperiencë mbi supe. Është “tironsja” e flaktë, ashtu siç shumë e njohin, por është edhe autore librash. Po flasim për Rezarta Delisulën, një nga emrat e spikatur në gazetarinë shqiptare, që prej kohëve kur lajmet shkruheshin me dorë në fleta letrash e për të marrë një intervistë duhet të rrije dyerve të institucioneve me orë të tëra. “Gazeta Shqiptare” ka qenë dashuria e saj e parë në media. Por një karakter ambicioz dhe energjik si i Delisulës, nuk mund të ndalej vetëm në median e shkruar pa provuar emocionet e televizionit. Aktualisht ajo mban autorësinë e “Mirëmëngjes Shqipëri” në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Për këtë eksperiencë dhe të tjera plane të saj, ne të pozitivi.org, i morëm këtë intervistë:
Rezi, prej pothuajse një viti ke nisur një rrugëtim të ri në karrierën tënde në Televizionin Publik Shqiptar. Si do ta përshkruaje këtë eksperiencë?
Në fakt kjo punë erdhi në momentin e duhur. Para se të nisja punën në RTSH, prej afro 3 vitesh isha pjesë e televizionit Euronews Albania, ku realizova emisionin “Destinacion”, përmes të cilit kisha hapësirë ta punoja historinë me kujdes. Kjo sigurisht kishte shkallën e vet të vështirësisë për shkak të udhëtimeve të përjavshme dhe gjetjes së materialeve shoqëruese. Ndërsa i kisha marrë maksimumin kësaj esksperience, më erdhi propozimi për të marrë autorësinë e emisionit të mëngjesit në RTSH. Ai është emision i përditshëm, 180 minuta live në transmetim, me më shumë se 8 të ftuar çdo mëngjes dhe me plot të papritura rrugës. Por gjithësesi do e përkufizoja si një eksperiencë me shumë ritëm gjë që unë e dashuroj.
Ti je autore e emisionit që zgjon shqiptarët çdo mëngjes. Si ndjehesh për këtë, çfarë energjie të jep?
Të hysh në shtëpitë e shqiptarëve çdo mëngjes, kërkon përgjegjshmëri dhe përkushtim jo vetëm nga unë, por edhe nga stafi e moderatorët, dhe jam e lumtur ta cilësoj se ky grup ka meritën e padskutueshme në ecurinë dhe në afrimin e përditshëm të teleshikuesve të rinj por dhe dëgjuesve të radio Tiranës, pasi emisionin mund ta dëgjosh edhe në radio. E gjithë substanca që i përcillet shikuesit me jep energji tejet pozitive, dhe vrullin për ta vijuar ditë pas dite me të njëjtin ritëm.
Mund të na veçosh ndonjë personazh që të ka prekur osë bërë më shumë përshtypje?
Një nga njerëzit që më ka bërë përshtypje është mjeku shqiptar në Itali Enkel Kallushi, një kardiokirurg i shkëlqyer që ka rritur emrin e shqiptarëve dhe që me kontributin e tij të jashtëzakonshëm në kirurgjinë e zemrës ka merituar plotësisht respektin e italianëve dhe tonin gjithashtu. Një mjek që i jep kurajo brezit të ri të mjekëve dhe ndihmon pa asnjë lloj favori çdokënd që ka pacient. Dhe, më vjen mirë që përmes emisionit jam njohur me personazhe të tillë shqiptarë nëpër botë që po ngrenë lart dinjitetin e popullit tonë me dijet dhe punën që bëjnë.
Ke nostalgji për shtypin e shkruar? Si e sheh sot tregun e gazetave në vendin tonë, a ka shpresë për rikuperim?
Me thënë të drejtën kam shumë nostalgji pasi siç e dimë shtypi i shkruar të jep mundësi të shprehuri shumë më shumë se televizioni, ku ritmi është shumë i rëndësishëm dhe lajmi i parë gjithashtu. Ndërsa në gazetë është cilësia e të shkruarit të lajmit dhe thellimi i tij. E dua punën në gazetë, por me keqardhje duhet të pranoj që shtypit të shkruar ia “bënë gropën” mediat e shpejta. Ndërsa njerëzit mjaftohen me lajme të shkurtra duke i bërë bojkot gazetave. Sigurisht do të uroja rikuperimin e tyre dhe mbase do të vijë një kohë që vetë lexuesit të orientohen sërish drejt gazetave e revistave.
Nëse do ishe e detyruar të zgjidhje, kë do preferoje gazetën apo televizionin?
Nuk di ta ndaj këtë pasi janë dy zgjedhje të mira, nëse bëhen me profesionalizëm.
Si të duket brezi i ri i gazetarëve dhe mesazhi që ke për ta?
Brezi i ri i gazetarëve ka më akses se brezi ynë që kemi nisur punë në një kohë që as telefoni celular nuk njihej jo më kompjuterat dhe aksesi i padiskutueshëm në internet. Megjithatë nëse gazetarët e rinj do më lexonin dua ti them që: Po të punojnë fort duke respektuar etikën profesionale dhe të kenë gjithmonë garë mes njëri-tjetrit do të arrijnë shumë shpejt të bëhen gazetarë të vërtetë.
Dhe së fundi si i ruan ekuilibrat mes karrierës dhe familjes?
Është disi e vështirë të ruash ekuilibrin mes familjes e punës, sepse puna e gazetarit nuk ka orar. A i kam munguar dhe a i mungoj familjes? Sigurisht që po! Megjithatë mundohem të rikuperoj kohën e humbur në ditët e pushimit që zakonisht preferoj ti kaloj me djalin dhe tim shoq. Pas më shumë se dy dekadash punë ende nuk mund ta them që e kam arritur të mesmen e artë, por gjithësesi jap shumë nga vetja edhe kur jam e stresuar apo e lodhur për të qenë bashkë me familjen time.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
