Revolta qytetare, pronarët ulin çmimin e karburanteve, qeveria merr masat e para
Dita e dytë e protestave masive në të gjithë vendin kundër rritjes së çmimeve të karburanteve dhe të produkteve bazë ushqimore, ka dhënë efektet e saj pozitive.
Përballë revoltës qytetare, pronarët e karburanteve janë detyruar të ulin çmimni e naftës. Një litër u shit 243 deri në 249 lekë nga 260 që ishte një ditë më parë. Megjithatë ajo që binte sërish në sy ishte fakti që çmimi nuk ishte i unifikuar në karburante.
Në lëvizje u vu edhe qeveria. Ndërsa mijëra protestues ishin para kryeministrisë, nga zyra e tij kreu i qeverisë Edi Rama zgjodhi që t’u japë përgjigje përmes një lidhjeje live në facebook-un e tij.
Ndryshe nga herën e parë që tha se qeveria nuk mund të ndërhyjë në tregun e lirë të çmimeve, mbrëmjen e djeshme Rama tha se qeveria do të publikojë planin e masave brenda 48 orësh.
Teksa poshtë dritares së tij dëgjoheshin zërat e qytetarëve që protestonin për çmimet e larta të naftës dhe produkteve ushqimore, kryeministri nga zyra ka komunikuar vendimet e qeverisë.
Rama tha se nuk pret leksione nga askush, pasi më mirë se kushdo njeh dhe jeton me problemet e qytetarëve, por u justifikua se rritja e çmimeve vjen si pasojë e krizës nga lufta në Ukrainë.
Megjithatë ai bëri publike masën e parë të qeverisë për çmimin e naftës, për të cilën tha se do të vendoset brenda 48 orëve. Bëhet fjalë për ngritjen e një bordi special që së bashku me furnitorët e naftës do të vendosë për çmimin në treg. Pjesë e e këtij bordi do të jenë edhe furnitorët.
“Brenda kësaj jave thashë që do kemi përballimet e kësaj situate. Se të thuash lufta s’ka lidhje me këtë rritje çmimesh në Shqipëri është pa lidhje. Sepse s’ka shpjegim tjetër se përse u rritën çmimet zgupthi. Disa thonë se unë nuk duhet ta çojë Shqipërinë në luftë. Rritja e çmimit të naftës gazit të miellit, nuk vjen si pasojë e faktit që Shqipëria iu bashkua sanksioneve, sepse vjen për të gjitha vendet si ato që vunë sanksione dhe për ato që vunë sanksione. Edhe Serbia ka rritur çmimet edhe pse nuk vuri sanksione. Kush thotë se këta janë në një botë tjetër flet përçart. Brenda javës dmth brenda 48 orësh do u themi se çfarë do të bëjmë dhe si do ta bëjmë për të adresuar këtë problematikë të nxehtë. Brenda 48 orësh do të shpalosim planin tonë me një akt ligjor, një bord për naftën, ku furnizohet e vendit do të jenë në tavolinë me qeverinë, dhe ku marzhi i fitimit do të përcaktohet në atë tavolinë dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet nga grumbullimi tek shfrytëzimi”.
“Një Bord Kombëtar të Administrimit të Karburantit, ku furnizuesit e vendit do jenë në një tavolinë me qeverinë për të bërë gjithë transparencën e cmimeve në mënyrë të përditshme dhe ku marzhi i fitimit do përcaktohet në atë tavolinë dhe nuk do mund të përcaktohet sipas qejfit dhe ku do të flitet për të gjitha aspektet, që nga grumbullimi, rezervimi, shfrytëzimi i depozitave, deri tek pika fundore e shitjes, deri në një moment të dytë, sipas dinamikës së kësaj lufte. Ne nuk do lejojmë që në pikën e furnizimit X apo Y me naftë të shfaqen çmime të pamiratuara në parë në Bordin Kombëtar të Administrimit të Karburanteve dhe do përcaktojmë masa drastike për çdo furnizues që do shkelë vendimet e këtij bordi super special, i cili do jetë tryezë e përbashkët vendimmarrëse e furnitorëve dhe qeverisë, për njerëzit, në këtë kohë të jashtëzakonshme lufte, ku nuk është dita për të fituar. Është dita për të rezistuar”.
Por kryeministri sqaroi se qeveria nuk ka ndërmend të ndërhyjë në taksat mbi naftën. Sipas Ramës, Shqipëria ka taksat më të ulëta në rajon
“Ne kemi taksat më të ulëta në rajon për individin dhe biznesin e vogël. Nuk mund të jetë historia hiq këtu e hiq atje dhe në fund fare me çfarë do t’i menaxhojmë këto të tjerat. Jemi shumë të qartë për hapat që do të hedhim. Ne nuk kemi nevojë të ndahemi tek faktet. Për zgjidhjet ha diskutim. Zgjidhje ideale nuk ka”.
Pavarësisht se prezantoi një pjesë nga plani i masave, nuk mungoi një apel nga kryeministri Rama i cili tha sërish qytetarëve që të lëvizin në këmbë.
“Ju thashë ecni në këmbë jo se dua unë por për të kursyer, pasi jemi në luftë, do vijë momenti që nuk do ketë energji as naftë edhe po të duam ne ta blejmë. Duhet të përgatitemi për të gjitha se lufta nuk vjen për të mira por për të sjellë dhimbje. Kjo që ndodh sot është pasojë e asaj lufte.”
Pas lëvizjes së parë mbrëmë, Rama zhvilloi sot një takim me furnizuesit e naftës për rritjen e çmimeve. Kreu i qeverisë i njoftoi ata se qeveria do të hyjë në administrimin e furnizimit me karburant.
Sipas tij nga e shtuna do të hyjë në fuqi akti normative që sanksionon që çmimi i karburantit në treg do të vendoset nga një bord të drejtuar nga drejtues të institucioneve shtetërore dhe një përfaqësi e sipërmarrësve në këtë sektor. Kush nuk zbaton çmimin e dakordësuar duhet të marrë parasysh sanksionet, që kryeministri i bëri të qarta në takimin me furnizuesit e naftës të cilët u informuan për masat e reja.
Në këtë bord do të jenë përfaqësues të qeverisë dhe 5 përfaqësues të furnitorëve me karburant. Rama njoftoi se çmimet do të miratohen nga bordi dhe kush shkel rregullin do të humbasë pikën e karburantit. Kreu i qeverisë bëri thirrje për patriotizëm dhe u shpreh se “kjo nuk është koha për të fituar, por për të rezistuar”. Protesta masive dje u zhvilluan në disa qytete të vendit, në Tiranë, Durrës, Lushnje, Shkodër, Sarandë, Korçë etj.
/pozitivi.org
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
