REKORDMENIA E GJOBAVE RRUGORE. RRËFIMI I VAJZËS QË KA MARRË 15 GJOBA NË NJË MUAJ.
Mendoni se keni marrë shumë gjoba nga policia rrugore? Prisni sa të njihni personazhin tonë. Ajo është një vajzë e re që është rrëfyer në një intervistë për pozitivi.org se vetëm brenda një muaji ka marrë 15 gjoba. E imagjinoni dot? Një ditë po, një ditë jo merrte gjoba. Madje ka pasur raste kur ka marrë edhe 3 gjoba brenda ditës. Dhe arsyeja kryesore pse gjobitej ishte se nuk kishte ku të parkonte makinën. Parkonte në vende të ndaluara dhe kur kthehej i ishte prerë fleta e gjobës nga policia rrugore në Tiranë.
Personazhi ynë pretendon madje se as nuk është njoftuar nga policia për gjobat që ka marrë. Fleta e gjobës ka shkuar në adresën e saj në qytetin e lindjes, duke rritur kështu kamatvonesat për mospagesë në kohë të detyrimit.
Pozitivi.org u interesua në polici, për mënyrën se si lajmërohen drejtuesit e automjeteve për gjobat që vendosen online. Në shkresën me përgjigjen zyrtare nga policia (foto më poshtë), thuhet se rruga që ndiqet për vendosjen e gjobave online është e tillë: pasi radari konstaton shkeljen nga drejtuesi i mjetit, të dhënat trasmetohen në kohë reale në serverin e Sallës së Monitorimit të Trafikut Rrugor. Pas verifikimit të rastit nga operatorët e sallës, gjoba printohet në dy kopje, njëra prej të cilave i shkon në mënyrë elektronike shkelësit dhe tjetra i shkon në adresën postare. Ky me sa duket ka qenë edhe rasti i personazhit tonë, që ka ndryshuar adresën e banimit.
Me investimet e fundit në Tiranë, qytetarët po hasin vështirësi në gjetjen e parkimeve. Ndaj edhe në shumatoren e gjobave të policisë rrugore mbizotëron kjo shkelje e kodit rrugor.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
