“Reforma në Drejtësi, si garanci për integrimin”
20/05/2020 Shpërndaje

“Reforma në Drejtësi, si garanci për integrimin”

Intervistoi Manjola Hasa

Reforma në sistemin e drejtësisë është një ndër kushtet themelore për procesin e integrimit të vendit, dhe një ndër pritoritetet kyçe të qeverisë shqiptare për të ecur përpara me këtë reformim institucional.

Finalizimi i krijimit të strukturave të pavarura dhe të posaçme të gjyqësorit; Këshilli i Lartë Gjyqësor(KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë(KLP), Këshilli i Emërimeve në Drejtësi(KED). Këto institucione të parashikuara në reformën që në vitin 2016 (votuar unanimisht mazhorancë-opozitë) janë tashmë funksionale dhe vazhdojnë punën e tyre për të nxjerrë nga sistemi gjyqtarë, prokurorë që kanë probleme me ligjin duke mos justifikuar pasuritë e tyre. Gjithashtu u finalizua puna (2019) për funksionimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Insitucionet e Vettingut vijuan punën për të vlerësuar profilet e anëtarëve të zyrës së Prokurorisë Speciale për krijimin e organeve të specializuara brenda SPAK.

Bazuar mbi rezultatet e anketimit “Eksploro BE”, realizuar me mbështetjen e Bashkimit Evropian, nga 1000 të rinj që u përfshinë në të, 70% e tyre mendojnë se procesi i integrimit në strukturat e BE-së është i vështirë për t’u realizuar për shqiptarët. Dhe kjo bazuar edhe mbi disa arsye, aq më tepër përceptimin public drejtësia ishte një ndër sektorët më problematik.

Raporti i Komisionit Europian (2 Mars 2020) vlerëson përmbushjen e detyrave kushtetuese dhe ligjore duke garantuar qeverisjen e pavarur të gjyqësorit, që paraqet një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi. Po cilat janë sfidat e këtij sistemi dhe pritshmëritë e qytetaëve shqiptarë, për këtë biseduam me Deputetin, anëtarin  e Komisionit Parlamentar të Ligjeve dhe profesorin e Fakultetit të Drejtësisë Adnor Shameti.

Shameti, Reforma në drejtësi është një ndër kushtet themelore të procesit të Integrimit të Shqipërisë. Pas “PO” së dhënë në Mars të këtij viti nga Ministrat e Jashtëm të BE për çeljen e negociatave, vijon puna për rezultatet konkrete. Si e keni parë të gjithë procesin e krijimit dhe ushtrimit të funksionalitetit të institucioneve të reja të drejtësisë?

Është e rëndësishme të theksohet se pothuajse është kompletuar ngritja dhe konstituimi i të gjithë institucioneve të reja të drejtësisë (Institucionet e sipërpërmendura). Drejtësia e re është duke funksionuar. Aktualisht me rëndësi është edhe kompletimi kushtetues për realizimin e kuorumit të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese.

Reforma ka nevojë për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese. Po punohet në këtë drejtim por a krijoi gjithë kjo kolaps në sistemin gjyqësor?

Po, të gjitha janë në proces. Për sa i takon Gjykatës Kushtetuese ajo përbëhet nga nëntë anëtarë dhe sot e ushtrojnë funksionin e tyre vetëm katër anëtarë. Anëtarët e tjerë janë në proces përzgjedhjeje nga KED (organ ad-hoc) për tre vakancat në Gjykatën Kushtetuese, nga të cilët dy i takojnë nominimeve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë dhe një nominim i takon Kuvendi të Shqipërisë. Thirrjet për kompletimin e vakancave janë përfunduar dhe gjithashtu ka përfunduar aplikimi për të gjithë personat e interesuar. Në përfundim të procesit, KED bën edhe Vettingun, pra verifikimin e profileve të tyre të anëtarëve. I gjithë ky proces merr kohë, ndaj është duke ecur me ritme të kësaj natyre. Po edhe sikur të zgjidhen vetëm dy anëtarë, Gjykata Kushtetuese nis funksionimin normal.

Struktura e Gjykatës së Lartë përbëhet nga 19 anëtarë. Në situatën në të cilën jemi, Gjykata e Lartë ka 4 anëtarë dhe ka nisur funksionimin vetëm me dhomë këshillimi pas dy viteve ndërprerjeje. Por për ta bërë më të thjeshtë për qytetarët, situata aktuale në Gjykatën e lartë nuk i prek ata për shkak se vendimet jepen në rast apelimi nga 6 gjykata apeli në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Mosfunksionimi i Gjykatës Kushtetuese për mungesën e anëtarëve cënon besueshmërinë e publikut?

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë nuk bën pjesë në sistemin gjyqësor të zakonshëm por ajo përbën një juridiksion të veçantë, e ngarkuar të kontrollojë kushtetueshmërinë e ligjeve dhe të akteve të tjerë normative. Pra, nuk ka të bëjë me zgjidhjen e çështjeve konkrete të individëve.

Por edhe në këtë rast, mungesa e kuorumit patjetër ka ndikim në perceptimin publik ndaj ne shpresojmë që brenda disa muajve të kemi Gjykatë Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë plotësisht funksionale.

Në gjykimin tuaj, kur do të jetë funksionale Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese?

Në këtë rast nuk mund të ketë një datë të saktë. Situata në të cilën ndodhemi, pandemia globale na ka shqetësuar të gjithëve dhe ndyshoi ecurinë normale të procesit, por besoj që brenda verës do të jenë funksionale.

Në takimet zyrtare që keni patur me ekspertët evropianë që kanë një investim të drejtëpërdrejtë në reformimin e sistemit, a është menduar ose sugjeruar që ky model i vendit të ndiqet dhe përse jo të merret si një model për vendet e tjera të Ballkanit?

Një reformë e tillë në sistemin e drejtësisë nisi dhe në Serbi, por u minimizua dhe mbeti në një format të ndryshëm.

Reforma në sistemin e drejtësisë në Shqipëri ka mbështjen e drejtëpërdrejtë të SHBA dhe BE. Drejtësia e Re shihet si një projekt pilot dhe funksionaliteti i saj mund të jetë një model për vendet e tjera të Ballkanit. Në informacionet e mia, edhe Kosova ndërmori një nismë të tillë ligjore, të ngjashme me Vettingun por për shkak të situatës politike, rrëzimit të qeverisë kjo reformë është lënë mënjanë.

Çfarë do të thotë çelja e negociatave për sistemin e drejtësisë?

Nuk ka një lidhje të drejtëpërdrejtë me procesin, por efektet e reformës në drejtësi po ndihen në të gjithë vendin. Padiskutim që çelja e negociatave rrit besueshmërinë në raport me publikun dhe patjetër që pritshmëritë janë të larta. Në vetvete kjo do të thotë se çelja e negociatave do të thotë drejtësi e re pasi ka qenë një ndër kushtet kyçe për anëtarësimin e vendit.

Cilat janë pritshmëritë e BE dhe të qytetarëve shqiptarë në lidhje me funksionalitetin e këtij sistemi të reformuar?

Sa më shumë procesohet me numrin e magjistratëve, aq më të mëdha dhe më të larta janë pritshmëritë e publikut për një sistem drejtësie të pavarur. E njëjta gjë është dhe për ndërkombëtarët. Pastrimi i sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar ishte kyçi i refomës së drejtësisë.

Reformat duhet të bëhen për qytetarët së pari, më pas për prioritetet integruese. Mendoni se në fund të këtij procesi qytetarët do të kenë besim tek gjykatat dhe do ndihen në këtë mënyrë njësoj se qytetarët evropianë?

Patjetër që po! Ky ka qenë qëllimi i reformës në drejtësi. Po realizimi i ndryshimit të sistemit do kohë sepse praktikisht ne po zhbëjmë një sistem të kaluar me probleme të dukshme me një sistem tërësisht të ri, të drejtë dhe të pavarur.

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.