Kosovë/ Qeveria subvencion prej 100 eurosh për punëtorët e sektorit publik dhe privat
100 euro më shumë për punëtorët e sektorit privat, publikm të moshuarit dhe studentët në Kosovë. Qeveria e kryeministrit Kurti ka miratuar këtë shumë për të mbështetur qytetarët dhe familjet për muajin prill
Në një konferencë për shtyp, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Financave, Hekuran Murati, prezantuan masat e reja në kuadër të paketës për mbështetjen financiare për qytetarët. Kurti tha se për muajin prill do të dyfishohet vlera e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë.
“Në prill do ta dyfishojmë vlerën e asistencës sociale për të gjitha familjet që përfitojnë nga kjo asistencë. Pensionistëve do t’ua ndajmë nga 100 euro shtesë për muajin prill, nga kjo do të përfitojnë të gjithë at që marrin pension bazik, pension kontribut pagues, për aftësi të kufizuar, të veteranit etj. Për herë të parë do të mbështesim me 100 euro të gjithë punëtoret e sektorit privat pra rreth 300 mijë punonjës, e në kuadër të kësaj mbështetje për të punësuarit do të ndajmë 100 euro edhe për mbi 80 mijë zyrtarë publikë”.
Ai shtoi se dhe pensionistët do të përfitojnë 100 euro më shumë, dhe për herë të parë do të përfshihen në këtë paketë ndihme të gjithë punëtorët e sektorit privat; por dhe mbi 18 mijë zyrtar publik. Gjithashtu po të njëjtën shumë do të përfitojnë dhe studentët e familjet në nevojë. Këto të fundit do të marrin dhe pako me ushqime.
“Të gjithë studentët do të përkrahim me 100 euro, nga kjo mbështetje përfitojnë rreth 80 mijë studentë. Për shtresat më të cenueshme kemi filluar zbatimin e programit për shpërndarjen e mbi 40 mijë pakove ushqimore ndërkaq do të vazhdojmë mbështetjen për ofrimin e shujtave në kuzhina popullore”, tha Kurti.
Përfaqësues të opozitës e kanë cilësuar si qesharake këtë shumë. Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, tha se kriza aktuale financiare nuk kalohet me një muaj e as me lëmoshë prej 100 eurosh.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
