PUNA E PAPAGUAR E RRITJES SË FËMIJËVE!
02/03/2021 Shpërndaje

PUNA E PAPAGUAR E RRITJES SË FËMIJËVE!

Të heqësh dorë nga karriera, të rrisësh fëmijët dhe të qëndrosh në shtëpi është padiskutim punë me kohë të plotë. Por, ky fakt nuk konsiderohet si i tillë dhe rrjedhimisht nuk paguhet. Gratë shpenzojnë plot 88% të kohës së tyre duke qëndruar në shtëpi dhe duke u kujdesur për familjen. Ndërsa burrat shpenzojnë vetëm 16% të kohës së tyre.

Shqipëria vijon të ketë një raport të zhdrejtë midis grave dhe burrave për kujdesen e papagauar. Këto të dhëna i referohen një raporti  të UNFPA-së në Shqipëri për politikat familjare dhe gjinore. Përfundimet e këtij raporti, vunë në dukje se 32% e grave nga mosha 15 deri në 19 vjeç nuk ndjekin shkollën, ose nuk punojnë për shkak të përgjegjësive të tyre familjare. Studimet e realizuara  theksuan se shumica e grave në Shqipëri përballen me një vendim kritik midis zgjedhjes së karrierës ose krijimit të një familjeje.

Pasojat sociale dhe ekonomike në një rast të tillë janë të dukshme duke rritur varfërinë e mëtejshme të grave dhe mungesën e pavarësisë financave të tyre. Ky hendek i pabarazisë gjinore u thellua me tej edhe për shkak të pandemisë, ku gratë kaluan më shumë kohë në shtëpi, në disa raste duke humbur edhe punën e tyre për t’u kujdesur për familjen dhe fëmijët; arsimimi i të cilëve po zhvillohej online. Për të  përmirësuar këtë hendek midisi grave dhe burrave, UNFPA në Shqipëri bëri bashkë aktorë të ndryshëm në sektorin jopublik, atë publik, sipërmarrës dhe institucione shtetërore për të parë të gjitha opsionet e mundshme të  punësimit dhe për të ndihmuar sipërmarrjen të krijoj një mjedis me miqësor për gratë në punë. Gjatë studimit u “skanuan” bizneset në Shqipëri që kishin prioritet në politikat e tyre të punësimit gratë dhe ofronin një mjedis miqësor për to. Duke e parë biznesin si një ndër aktorët kryesor të punësimit dhe partnerë të rëndësishëm për të reduktuar këtë pabarazi gjinore dhe ekonomike, UNFPA në Shqipëri synon të ndërtoj një model të mirë punësimi për t’i dhënë prioritet grave. Në këtë mënyrë rritet roli i grua në familje, në Shqipëri si dhe promovohet forca e saj në ekonominë e një vendi.

Për të analizuar situatën në vend, UNFPA në Shqipëri prezantoi rezultatet e kalimit në “sitë” të rreth 100 kompanive private, finalizoi dorëzimin e listës me 9 kompani që zbatojnë Politika Familjare të Përgjegjshme Gjinore në mjedisin e punës ndaj personelit të tyre. Të cilësuara si “Kompanitë Kampione”, bizneset e zgjedhura do të jenë partnerët kryesorë të UNFPA, duke u bërë modele pozitive në këtë nismë përmes punës së tyre, si edhe duke sjellë ndryshime konkrete për mjedise pune më miqësore për familjen, me pritshmëritë dhe optimizimin se ky model pozitiv do të ndiqet edhe nga kompani të tjera. Ky është vetëm hapi i parë i një mbështetjeje dy-vjeçare që synon krijimin e rrjeteve, rritjen e njohurive dhe të kuptuarit të koncepteve, si edhe ndërtimin e praktikave solide për mjedise pune miqësore për familjen në përfitim të punonjësve dhe punëdhënësve, por edhe biznesit në përgjithësi. “Korniza ligjore për fuqizimin e gruas, promovimin e barazisë gjinore, luftën kundër dhunës, fuqizimin e familjes, lejen prindërore edhe për baballarët, të gjitha këto janë të barazvlefshme për të gjithë sektorë. Vënia e kompanive përpara përgjegjësisë, qoftë nëpërmjet një sistemi çertifikimi që verifikon investimin në barazinë gjinore apo përmes mekanizmave që inkurajojnë bizneset të grumbullojnë dhe raportojnë të dhëna se si e integrojnë barazinë gjinore në modelin e tyre të punës – këto do të ishin kritike nëse duam të arrijmë objektivat globale mbi barazinë gjinore.” – u shpreh Elsona Agolli, Analiste e Programit Gjinor në zyrën e UNFPA në Shqipëri. Analiza e Politikave të Përgjegjshme Gjinore për Familjen në Shqipëri e hartuar dhe prezantuar nga ekspertët e UNFPA në Shqipëri, evidenton se faktorë si përfitimet, mbështetja financiare, siguria ekonomike, aksesi në kujdesin për fëmijët dhe ndarja e pabarabartë e përkujdesjes, ndikojnë në vendimin e grave dhe aftësinë e tyre për të zgjedhur midis një karriere të sigurt ose krijimit të një familje. Ndalimi i diskriminimit ndaj grave dhe vajzave nuk është vetëm përmbushje e të drejtave themelore të njeriut, por është gjithashtu thelbësore edhe për një të ardhme të qëndrueshme. Barazia gjinore duhet të jetë themeli për të siguruar rritjen ekonomike dhe lulëzimin e shoqërive, ndërsa qëndron në emër të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Një kusht kritik për arritjen e barazisë gjinore është mundësimi i grave për të pasur zgjedhje mbi familjen, punën dhe të ardhmen e tyre. Studimet sugjerojnë që zbatimi i politikave familjare në vendin e punës – duke filluar nga koha e pjesshme e punës, deri tek leja e zgjatur prindërore – ka përmirësuar qëndrimin e punonjësve, tërheqjen e talenteve më të mirë, inovacion në vendin e punës dhe madje dhe rezultate në performancë. Pra,  përfitojnë të gjithë. Fleksibiliteti në punë është në qendër të këtyre nismave, duke ju mundësuar prindërve të kenë kontroll më të madh mbi jetën e tyre në punë dhe nga ana tjetër edhe në jetën e tyre personale. Në thelb të të gjitha këtyre ndryshimeve është nevoja për norma më të barabarta gjinore. Kjo përfshin njohjen e kontributit kritik që gratë mund të japin në shoqëri, si dhe rolin që burrat duhet të luajnë në punën përkujdesëse të papaguar.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.