Publikohet studimi demografik dhe shëndetësor 2017-2018: Trend pozitiv në aksesin në shërbimet shëndetësore
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Instituti Kombëtar i Statistikave (INSTAT) publikojnë rezultatet e Studimit të dytë Demografik dhe Shëndetësor Shqiptar (ADHS2). Gjetjet tregojnë trend pozitiv të rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore.
Ky studim ofron të dhëna për modelet demografike, lindshmërinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, njohuritë mbi HIV, ushqyerjen dhe fuqizimin e gruas, tendencat dhe mënyrën e jetësës, të cilat janë jashtëzakonisht të dobishme për ata që kërkojnë të kuptojnë situatën aktuale në vend dhe për planifikimin e politikave dhe programeve të duhura nga institucionet qeveritare dhe jo vetëm.
“Studimi Demografik dhe Shëndetësor është një mjet kyç për krijimin e një baze të dhënash për të molnitoruar progresin e bërë në arritjen e objektivave kombëtare, përfshirë Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (Axhenda 2030) dhe integrimin në Bashkimin Europian.” – nënvizoi Brian Williams, Koordinator i Përhershëm i OKB në Shqipëri.
Nëndrejtori i UNFPA për Rajonin e Europës Lindore dhe Azisë Qendrore, Ian McFarlane vuri në dukje: “Nga perspektiva e UNFPA, të dhënat dhe gjetjet e këtij studimi konsiderohen si shumë të rëndësishme për të prioritizuar fushat ku duhet të fokusohemi dhe të kontribuojmë me ekspertizën dhe burimet tona në Shqipëri, një gjë shumë e rëndësishme kjo edhe nga perspektiva rajonale dhe globale.”
Ndërkaq Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu e cila ishte e pranishme në këtë prezantim shtoi se: “Studimi demografik dhe Shëndetësor 2017-2018 konfirmon trendin pozitiv të rritjes së aksesit në shërbime shëndetësore afër vendbanimit të qytetarëve. Të dhënat e gjeneruara prej tij na ndihmojnë ne që buxhetin për shëndetësinë ta orientojmë vetëm sipas nevojave reale, për të bërë investime efikase, në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit shëndetësor”.
Drejtoresha e INSTAT Delina Ibrahimaj prezantoi disa elemente dhe gjetje kryesore të studimit. ADHS 2017-2018 mbështetet në të dhënat e mbledhura nga një numër familjesh përfaqësuese të të gjithë popullatës. Studimi i kryer gjatë një periudhe prej 6 muajsh në terren nga mesi i shtatorit 2017 deri në shkurt 2018 intervistoi afërsisht 15,823 familje, nga të cilët 10,860 femra të moshës 15-49 vjeç dhe 6,142 meshkuj të moshës 15-59 vjeç.
Gjetjet kryesore të ADHS 2017-2018 të prezantuara tregojnë trende pozitive në aksesin në shërbimet shëndetësore si: 88% e grave që kanë lindur fëmijë gjatë 5 viteve të fundit kanë marrë kujdes antenatal nga personel i kualifikuar shëndetësor; 78% e grave e kanë marrë më shumë se 4 herë këtë kujdes.
Rreth 99% e lindjeve janë realizuar në maternitete dhe në 100% të rasteve kanë qenë të asistuara nga personel shëndetësor i kualifikuar.
Njohuritë mbi planifikimin familjar janë pothuajse universale në Shqipëri, ku rreth 97% e individëve të intervistuar ishin në dijeni të të paktën një metode kontraceptive. Prezervativi është metoda kryesore kontraceptive e përdorur.
Ka një përmirësim të dukshëm të gjendjes nutricionale të fëmijëve 0-5 vjeç në krahasim studimin e parë të 20007-08. Aktualisht, vetëm 11% e fëmijëve janë stunted (të shkurtër për moshën), 2% janë ëasted (të dobët për gjatësinë e tyre), 16% janë mbi peshë dhe vetëm 2% janë nën peshë.
Gjithsesi, ka ende nevojë për investim, zbatim më të mirë politikash dhe ndërgjegjësim të popullatës në disa fusha si Planifikimi Familjar apo HIV dhe AIDS.
Studimi u krye nga Instituti i Statistikave (INSTAT) dhe Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), me financimin e Zyrës së Bashkëpunimit Zviceran (SDC), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA), Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijë (UNICEF) dhe UNWomen. Asistenca teknike për të siguruar cilësinë e studimit dhe për të ndërtuar kapacitetet lokale u sigurua nga ICF MACRO International.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
