Prezantohet porta vendore, një dritare për të fuqizuar qytetarin
11/05/2018 Shpërndaje

Prezantohet porta vendore, një dritare për të fuqizuar qytetarin

Ditën e sotme u prezantua për herë të parë për publikun platforma multifunksionale portavendore.al e realizuar nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”, përmes mbështetjes së LëvizAlbania. Kjo platformë do të kthehet në portë udhërrëfyese për qytetarët që kërkojnë informacion mbi funksionimin e pushtetit vendor si dhe synon të fuqizojë gazetarinë vendore duke u kthyer në një dritare për më shumë lajme në nivel lokal.  Në aktivitetin e zhvilluar tek Qendra Rinore në Tiranë ishin pjesë aktorë të shoqërisë civile, grantmarrës të LA dhe gazetarë të njohur, 3 prej të cilëve Karolina Risto, Drejtoreshë Ekzekutive në InTv, Armand Mero korrespondent “ANSA” dhe Raimond Kola gazetar, gjatë fjalës së tyre vunë theksin te problemet e raportimeve në media, kryesisht në ato të gazetarisë lokale.

Në fjalën përshëndetëse drejtori ekzekutiv i OSFA Andi Dobrushi, tha se qëllimi i platformës është aksesi i qytetarëve në informacion, deri më tani të munguar, mbi funksionimin dhe shërbimet që ofron qeverisja vendore. “Problematike ishte shtrirja e këtyre shërbimeve deri në zonat më të larta të shoqërisë. Këtë problem e vuanin qytetaret për shkak të mungesës së informacioneve në lidhje me shërbimet që marrin. Kishte paqartësi në lidhje me funksionet e pushtetit vendor. Edhe organizatat vetë kishin probleme në lidhje me fushat ku duhet të kapeshin për problemet e bashkisë. Në portal do ketë dosje transparente për fushat në bashki. etj. Kjo do ti shërbejë qytetareve dhe gazetareve pasi do kete një mori faktesh për të raportuar. Kjo portë jep informacion sesi funksionon pushteti vendor dhe me se shumti është nëe shërbim të individit”, tha mes të tjerash Dobrushi.

Me një eksperiencë të gjatë në fushën e gazetarisë, mbi 20 vjeçare, Drejtoresha Ekzekutive në  InTv dhe përfaqësuesja e organizatës Infinit Plus, Karolina Risto sjell problemet e evidentuara në media nga një studim i Infinit Plus si dhe shembuj nga përvoja e saj personale në gazetari. “Do të ndalem te komponenti i gazetarisë vendore. Nga një anë siç u shpreha më parë e kam eksperiencën  direkte me gazetarinë e rretheve por kam  dhe një pjesë të eksperiencës time me redaksinë qendrore të cilën dua ta ndaj me ju. Pjesa e parë është dominimi politik në lajmet e redaksive. Si shembull të parë për të konkretizuar nevojën e vërtetë të një hapësire kushtuar lajmeve lokale do e nis me rezultatet e një studimi  që ne ekipi i Infinit Plus, organizatës të cilën unë përfaqësoj kemi bërë në 2015.

Katër televizione kombëtare janë marrë në monitorim dhe pasi janë renditur të gjitha lajmet që ato transmetojnë janë ndarë në disa grupe. Lajme në të cilat pasqyrohet politika direkte, lajme  në të cilat pasqyrohet politika në mënyrë indirekte dhe lajme të kulturës, të rretheve, aktualitetit, problemeve sociale rezultatet ishin më keq nga sa ne prisnim, sepse ne në këtë rast jemi edhe pjesë e problemit prandaj përpiqemi të bëhemi edhe pjesë e zgjidhjes. Unë po i referohem shifrave, per shembull në katër  stacionet kryesore RTSH, Klan, Top Channel, Vizion Plus në një javë ishin rreth 600 lajme, rreth 20 lajme në ditë prej të cilave 5 ishin lajme të rretheve politike në një ditë.

Por nëse shihje lajmet e tjera që ishin kulturë, sport përveç botës, të gjitha të tjerat ishin sërish lajme politike thjesht ishin futur në një mënyrë të tërthortë, që ne e dimë kur flasim për teatrin kombëtar flet ministri, kur flasim për problemet që na shqetësojnë mungon zëri i ekspertëve por në fakt secili prej përfaqësuesëve politikë  e shfrytëzon këtë hapësirë për ti bërë propagandë institucionit që përfaqëson. Një problem tjetër për mediat lokale është linja editoriale, cilësia e raportimit. Këtë e them me keqardhje, ne media mjaftohemi duke e marrë njoftimin nga zëdhënësit nuk shkojmë më tek raportimi i gazetarit. Ngjyrimet që i jepen lajmit nga pikëpamja profesionale janë shumë të pakta, mjaftohen me ngjyrimet politike dhe nuk pasqyrohet me pjesën tjetër. Imagjinoni në këtë situatë po flasim për median qendrore, çfarë kalvari duket të kalojë një korespodent që ta sjellë këtë lajmin, që të jetë i pasur dhe të ketë elementët të cilët ai ka menduar ta sjelli  deri në redaksi”, tha mes të tjerash Rista.

Ky projekt u përshëndet edhe nga përfaqësuesi i Ambasadës Zvicerane, Sokol Haxhiu i cili tha se një platformë e tillë ishte vërtet e nevojshme për qytetarët në nivel vendor. “Për të patur një platformë të tillë patëm një diskutim brenda në ambasadë, patëm një lloj reflektimi nëse është e nevojshme dhe natyrisht menduam se kishte nevojë, ka shumë hapësira dhe ka shumë gjëra që duhet të bëhen për të fuqizuar qytetarin dhe aktorë të tjerë në nivel vendor”, shtoi Haxhiu në fjalën përshëndetëse.

Korespondenti i Zërit të Amerikës, Armand Mero ndërsa u ndal te mangësitë e raportimeve në nivel vendor e mbylli fjalën duke thënë se “në fund të ditës ajo që vjen është se kemi qytetarë gjithmonë e të pa informuar”. Sakaq gazetari Raimond Kola, i cili prej 25 vitesh raporton nga terreni  thotë se gazetaria lokale është varfëruar ndjeshëm. “Gazetaria lokale është varfëruar ndjeshëm. Kur shkonim me kushte të vështira në terren e kishim shumë të vështirë të raportonim, kurse sot teknologjia na e lehtëson punën por jemi varfëruar në raportim. Një gazetar i varfër kaq shumë i jep pushtet një tjetri që është kryetari i bashkisë. Varfëria e gazetarisë lokale ka shkaktuar probleme me besueshmerinë. Nuk ka gazetari nga kondicionerët, nëse nuk shkon në terren të kapësh detajet. Unë e përshëndes këtë platformë dhe gjithçka që ka të bëjë me ringjalljen e terrenit nga afër”, tha ai. Aktiviteti u përmbyll me prezantimin e platformës në detaje si dhe me diskutime e sugjerime nga të pranishmit në sallë.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.