
Elsa Skënderi: Mosrespektimi i normës drejtshkrimore problem i njohur në praktikat shkrimore
Gjuhëtarët dhe akademikët tanë tërheqin vëmendjen vazhdimisht për kujdes në mirëshkrimin dhe mirëshqiptimin e shqipes, e cila, për fat të keq nuk është në ditët e saj më të mira. Për pozitivi.org Elsa Skënderi Rakipllari, zëvendësdekane në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Universiteti i Tiranës pohon që mosrespektimi i normës drejtshkrimore është një problem i njohur në praktikat shkrimore, qoftë në tekste, në gazeta, në dokumente zyrtare dhe kjo vjen si pasojë mosnjohjes së rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Vitet e fundit është diskutuar shumë në media për rrezikun e deformimit të gjuhës shqipe. Si e vlerësoni përdorimin aktual të gjuhës zyrtare shqipe?
Diskutimet për deformimin e gjuhës shqipe janë të kahershme, mjafton të kujtojmë që një shqetësim të ngjashëm, ka edhe Frang Bardhi në fjalorin e tij “Dictionarium latino-epiroticum” (1635) me anë të së cilit kërkon t’i vijë në ndihmë gjuhës, që po “bdaretë e po bastardhohetë”. Në të gjitha epokat e zhvillimit të gjuhës shqipe dhe veçanërisht gjatë konsolidimit të vetëdijes kombëtare, mbrojtja e gjuhës është konsideruar si formë për ruajtjen e identitetit kombëtar. Ndaj, diskutimet për rreziqet që do ta cënonin integritetin e gjuhës nuk janë risi e kohëve tona e ca më pak e viteve të fundit.

Jemi dëshmitarë të gabimeve të shumta që hasim nëpër libra, media dhe në institucionet e ndryshme drejtuese. Çfarë mendoni, pse gjithë ky joprofesionalizëm?
Mosrespektimi i normës drejtshkrimore është një problem i njohur në praktikat tona shkrimore, qoftë në tekste, në gazeta, në dokumente zyrtare etj. Ky mosrespektim i normës me gjasë vjen prej njohjes së pamjaftueshme të rregullave të drejtshkrimit dhe kulturës së pakët gjuhësore të atyre, që në fakt, kanë një përgjegjësi jo thjesht morale, por institucionale për të hartuar dhe botuar libra, tekste, dokumente në përputhje me normën drejtshkrimore ekzistuese.
Nga çfarë kërcënohet gjuha shqipe dhe cilat janë gabimet më shpeshta që bëhen në shkrimin e gjuhës shqipe?
Fjala kërcënim është tepër apokaliptike në këtë rast, ndonëse e përdorur gjerësisht në ligjërimin publik, kur bëhet fjalë për gjuhën. Por më shumë se për të përshkruar ndonjë rrezik objektiv, kjo fjalë përdoret me ngjyresa të skajshme për ta zmadhuar pohimin dhe për të krijuar efektin e alarmit. Gabimet në të shkruar, për të cilat ju flisni dhe të cilat i hasim jo rrallë, nuk janë në fakt kërcënim për gjuhët. Gjuhët kërcënohen (të mos ekzistojnë më), kur kërcënohet komuniteti i folësve të tyre. Çka do të thotë në një rast rreziku potencial ndaj shqiptarëve, do të kërcënohej dhe rrezikohej edhe shqipja. Një tjetër “kërcënim” ndaj gjuhëve është dalja e tyre nga përdorimi në situata të caktuara ligjërimore. Pra, nëse do të vijë dita që shqiptarët, që e kanë shqipen gjuhë amtare, të mos e përdorin atë, por një gjuhë tjetër, në shumicën e situatave ligjërimore, atëherë shqipja do të jetë e kërcënuar. Përndryshe, sa kohë që shqiptarët e flasin gjuhën shqipe, e përçojnë dhe e trashëgojnë shqipen te brezat e rinj, e mësojnë atë në shkollë, e kultivojnë përmes veprimtarive botuese, letrare, profesionale, fjala kërcënim është e pavend për t’u përdorur.
Sa iu takon gabimeve në të shkruar lista do të ishte e gjatë dhe vështirë të ishte shteruese. Por ndër gabimet më të shpeshta që hasen janë mospërdorimi saktë i trajtave të shkurtra të bashkuara, problemet me ë-në fundore, mosrespektimi i rregullave të drejtshkrimit sa iu takon mbaresave rasore, trajtave të shumësit të emrave dhe mbiemrave etj.

Një tjetër dukuri është përdorimi i panevojshëm i fjalëve të huaja, kryesisht i fjalëve nga anglishtja nga një kategori njerëzish, si ndikon kjo në ruajtjen e gjuhës shqipe?
Përdorimi i fjalëve të huaja është një dukuri e njohur për gjuhët. Në fakt pretendimi se ekziston një gjuhë krejtësisht e pastër është në rastin më të mirë një ideal teorik i epokës së romantizmit e nacionalizmit dhe në rastin më të keq një rravgim profan. Folësi është ai që vendos sa i takon “nevojës” për ta përdorur një fjalë të caktuar të huaj në ligjërimin e vet. Në disa grupe folësish dhe lloje ligjërimesh, si për shembull në ligjërimin e të rinjve, mund të vihet re përdorimi më i dendur i fjalëve në gjuhë të huaj. Në rastin e të rinjve ata mund të përdorin fjalë të huaja, duke mëtuar ta bëjnë më tërheqës apo më interesant ligjërimin e tyre, në raste të tjera duke kërkuar të mos kuptohen plotësisht nga të tjerët që mund të kenë përqark. Pra, përdorimi i fjalëve të huaja dhe ndryshimi i kodit gjuhësor gjatë një bisede, në fakt është i motivuar dhe nuk ka pse të jetë në vetvete faktor që ndikon në ruajtjen e gjuhës. Çështja e ruajtjes së gjuhës është çështje që lidhet në radhë të parë me ideologjinë për gjuhën dhe besimet që masa e folësve ka për gjuhën/gjuhët që ata përdorin.
A ka ndikuar teknologjia në një lloj deformimi të gjuhës?
Teknologjia po jep mundësi të jashtëzakonshme për ta dokumentuar gjuhën, përmes korpuseve elektronike të gjuhës së folur dhe të gjuhës së shkruar, për ta studiuar atë përmes metodave të reja të hulumtimit psikolinguistik, sociolinguistik, pragmalinguistik etj., që integrojnë teknologjinë në kërkimin gjuhësor. Nga ana tjetër, sot më shumë se kurrë më parë kemi një kontakt dhe ndërveprim mes vetë varieteteve të gjuhës (dialekteve e nëndialekteve) që vjen fjalë zhvillimeve teknologjike. Mediat e reja dhe mediat sociale kanë krijuar hapësira të reja ndërveprimi dhe njohjeje me të folme të ndryshme të gjuhës shqipe, kudo ku ka shqiptarë e shqipfolës.
© 2023, Pozitivi. All rights reserved.