A do zgjidhen/ Pranë Përroit të Gjerozës, disa familje rrezikojnë nga përmbytjet
Reshjet e shiut gjatë sezonit të vjeshtës shkaktojnë probleme për disa familje në Tiranë që ndodhen pranë zonës së njohur si “Bregu i Lumit”. Familja e Demir Hatës, me banesë pranë Përroit të Gjerozës, në rrugën “Myslim Keta” të njësisë administrative numër 4, çdo vit rrezikohet nga përmbytjet.
Gjatë një takimi të organizuar nga QKSCSH në njësinë administrative numër 4 në kuadër të projektit “Forume Qytetare”, të mbështetur nga Lëviz Albania, kryefamiljarja e familjes Hata e ngriti këtë problematikë, ndërsa i bën thirrje bashkisë të marrë masa duke ngritur mure mbrojtëse. Por nuk është vetëm familja Hata e rrezikuar, te rruga “Myslim Keta” ka edhe familje të tjera të prekura nga ky problem.
Demir Hata, kryefamiljari i kontaktuar nga QKSCSH tregon situatën dhe problemet që ndeshin çdo vit. “Nëse vjen ta shohësh vendin tek Ura e Gjerozës, ura ka qenë me 2 mure mbrojtëse kurse njërën e kanë bllokuar. Që 24 vjet që kam ardhur këtu kam marrë materiale dhe i kam futur poshtë sepse s’kemi mundësi ekonomike të bëjmë murin, sepse kur vjen uji nuk e ke idenë sesa i rrezikshëm është.
Tani janë bërë dhe këto pallatet sipër, për shkak të ujërave vjen një erë shumë e rëndë këtu. Unë e kam shpinë 10 metër larg nga Urës së Gjerozës, pa u futur te ura, pra kur shkon rrugës për Tufinë, djathtas. Tokën e kam me hipotekë mirëpo fati jonë na ra që të jemi afër përroit, prej 24-26 vjet. Para se të bëhen pallatet kemi qenë në rregull, dhe kjo ura këtu ka qenë bllokuar sepse ka qenë me 2 ndarje. Nuk është vetëm problemi i urës, po kur vjen uji këtu se ke idenë si bëhet. Me të thënë të drejtën do kisha ndërhy vetë po s’kam mundësi ekonomike. Bashkia siç ka bërë një pjesë të Lanës, mund të bëjë dhe këtë krahun tonë këtu”, thotë Demir Hata.
Kryefamiljari më tej shton se ka banesa që përmbyten çdo vit në këtë zonë, megjithëse uji në shtëpinë e tij asnjëherë nuk ka depërtuar brenda. “Po ka shumë raste që jemi përmbytur, te shtëpia na kanë filluar plasaritjet, por s’kemi çfarë të bëjmë. Në periudhën e vjeshtës kur ka shumë shira ka përmbytje, çdo vit. Uji nuk futet brenda në shtëpi, por lagështirë ka. Banesa ime vetëm plasaritje ka. Kurse dy banesa këtu përballë meje në kohë shirash përmbyten dhe uji u futet brenda. Me të thënë të drejtën unë jam pak më mirë, se të tjerët janë dhe më keq. Janë nja 3-4 banesa që rrezikojnë”.
Para 26 vjetësh ka ardhur nga Dibra. Mundësitë ekonomike nuk i kanë shumë të mira, pasi punon vetëm e shoqja, sanitare tek njësia numër 4. “Unë jam pa punë. Vetëm gruaja është në punë. Djali është 24 vjeç dhe ka lëvizur drejt emigrimit por që nuk ka mundur të stabilizohet diku. Kam marrë dhe kredi për me e dërgu djalin në kurbet por s’i ka ecur”. Nëse do të kishte mundësi ekonomike, Hata thotë se do kishte investuar në mure mbrojtëse te ura ose ishte larguar në një zonë tjetër, larg Përroit të Gjerozës dhe problemeve që shkaktohen në stinën e shirave.
Në një nga zonat më të degraduara në periferi të kryeqytetit pranë zonës së Dajtit, ndodhen këto 4 familje. Shtëpitë e tyre janë pranë përroit. Qytetarët që jetojnë aty e quajnë një nga fatkeqësitë më të mëdha, sepse banesat e tyre kanë pësuar dëmtime, plasaritje apo edhe përmbytje, sidomos në kohë me shi.
Banorët e kësaj njësie kanë disa kërkesa dhe probleme që duan të rregullojnë. Qytetarët kërkojnë hapjen e një çerdheje dhe kopështi në zonën 3007, tek rruga “Shefqet Kuka”. Të tjerë shohin të nevojshme në zonën e Kinostudios investime në sheshe, parqe lojërash, vendpushime, stola për të moshuarit etj.
Problemi i paraqitur nga sanitarja e njësisë numër 4 e cila jeton në zonën e bregut të lumit, tek përroi i Gjerozës, u mbështet edhe nga qytetarët e tjerë. Ata e quajnë “një situata alarmante, dhe se duhet të vihet dorë nga Bashkia me muret pranë shtëpive të tyre, në mënyrë që të paktën të mos rrezikohen më nga përmbytjet në kohë me shi”.
Problem tjetër që prek zonat urbane ende të pasistemuara është ndriçimi, thotë një tjetër qytetar. Këtë e hasim kryesisht tek zona e Freskut, ku në disa rrugë janë shtyllat kurse në disa të tjera jo. Gjithashtu vërehet mungesa e një tregu. Administratorja e njësisë Liri Gjoshi gjatë takimit të “Forume Qytetare” theksoi ne së projektbuxhetin ne ardhshëm përfshihen investime në Urën e Gjerozës. Gjithashtu edhe rikonstruksion i ambienteve rekreative, ndërtimi i nje tregu për fruta-perime, investime në rikonstruksion kopështesh dhe çerdhesh, shkolla dhe rrugë.
Administratoja theksoi se gjatë këtyre 3 viteve janë bërë goxha investime, por më kryesori në këtë njësi mbetet investimi në zonën e Bregut të Lumit, që ka qenë tejet problematike. “Zona më e keqe e njësisë numër katër sot është kthyer në një miniqytezë në plotë kuptimin e fjalës”, tha ajo, duke premtuar zgjidhjen e problemit te Përrroi i Gjerozës.
Pas evidentimit të problematikave nga banorët vëmë re se ka akoma shumë për të bërë në këtë njësi. Redaksia jonë jo vetëm do të ngrejë shqetësimet e qytetarëve, por do të ndjekë se sa prej tyre do të marrin zgjidhje.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
