Pleqtë e rinj duan luftë
09/01/2018 Shpërndaje

Pleqtë e rinj duan luftë

Treģim nga Ilir Kadia
Kiçi Thanasi e kaloi shumë të vështirë natën e parë të jetës si pensionist. Kolla e mbyti. Djersët i qullën çarçafët. Një dhimbje në kraharuar, tek vendi afër zemrës, thua ja çau kraharorin. Piu ç’gjeti nga ilaçet e sirtarit të komodinës dhe afër mëngjesit e ndjeu që ato bënë efekt se e kish zënë gjumi.
Por në orën shtatë e zgjoi i biri, sipas porosisë, që i kish dhënë që në mbrëmje.
Do të shkonte të pinte kafenë e parë të jetës së re me grupin e pleqve të rinj. Kështu e kishin quajtur veten komshijtë e tij që nuk ishin më shumë se 70 vjeç dhe që luanin domino në stola guri gjithë ditën në qoshen e pallatit.
Në ditët e fundit të punës në zyrë atij i ishte shtuar shumë zilija për qetësinë e jetës së tyre.
Ja erdhi dita të qetësohesh edhe ti. Ke një jetë me halle të kota, por ja, ja mbrrite! -i thosh vetes kur shihte nga xhami i autobuzit grumbullin e pleqve të rinj.
Pleq të rinj se grupi i pleqve të vjetër ish tretur me shuarjen, në vjeshtën e shkuar, të më të riut të tyre, 83 vjeçarit Nadir Qafa,që nuk kish mundur dot të zbriste shkallët e të formonte një grup të ri qëkur përdhesi e nguli në shtrat.
-Kiçi Thanasi, një ditë më parë financieri me emër i kontrollit të lartë të shtetit tani plak plak i ri! – ju prezantua fytyrës së vet në pasqyrë para se të fillonte të shtronte shkumën e rrojes.Qeshi me dhimbje.
Doli nga shtëpia pa i thënë gjë të birit se ç’vuajtje kish hequr në natën e parë të pensionit.
Po Kudret Shalës, mikut që i hapi vend në katërshe, më plakut të pleqve të rinj, ju hap kur e pyeti si ishte gdhirë. « Keq », i tha, « shumë keq !Kollë,djersë,dhimbje zemre, keq !”.-”Mos u mërzit” i tha më plaku i pleqve të rinj, Kudret Shala:”Nesër më keq do gdhihesh! Kjo është rruga jonë deri tek ai vendi! ».
Kiçi Thanasi,në vend të trembëj, ja dha të qeshurës. Qeshën edhe miqtë e rinj ata duke i uruar mirëseardhjen në gurët e dominose mbi gurët me karton arkash bananesh, për bythët.
I ndanë gurët e dominosë. Kiçit i ra radha të vinte gurin e parë.
-Të kesh të vritesh në luftë shpëton ! – tha ai sa për të kaluar radhën e muhabetit.
Tre pleqtë e rinj ndalën lojën e panë njëri tjetrin duke u pyetur me sy :”Nga e dinte ky, i riu fare, planin e tyre?”
Kudret Shala pasi u sigurua se Kiçi Thanasi ja kish futur ashtu kot vuri dhe ai gurin e rradhës mbi karton dhe e pyeti:
-Si do të deshe të vriteshe ti në luftë, Kiçi Thanasi ?
Kiçi Thanasi, që po ndjente të ftohtët e gurit nga poshtë, nuk e priste këtë pyetje.
Por tre shokët e dominosë ndalën lojën dhe prisnin përgjigje.
– Po ja, si të them…Të vritesha me… shpërthim ndoshta. Kot them…
– Kamikaz ? – pyeti Mihal Mziu, një plak i imët në fytyrë, si shqarth.
– Po një lloj kamikazi…
– Në Irak ? – ndërpreu Mziu.
– Po në Irak…a në Avganistan…a… – bëlbëzonte Kiçi Thanasi krejt pa menduar ç’po thoshte.
– Leri gjepurat ! Në Irak e Avganistan jo njëherë, se atje janë djemtë tanë. Harroje ! – tha Kudret Shala, ish magazinieri i Ndërmarrjes së Ushqimit Social më parë e menaxher i firmës së të birit, për ca kohë, para se të ulej njëherë e mirë në gurët me karton ku luhej domino deri në mbrëmjen e ditës dhe të jetës.
Kudret Shala ishte kosovar me origjinë dhe kish ardhur në Fier fëmije, pesë vjeç kur Zogu, mbreti i asaj kohe i pranoi një dyzinë familjesh kosovare të strehoheshin në fushat moçalore të Shqipërisë në vend të moçaleve të Turqisë ku i dërgonte serbi.
Ai dhe tre të tjerët, Kiçi Thanasi përfshirë domosdo, kishin qënë të vegjël në kohën e luftës partizane, dhe e ndjenin se edhe pse i lavdëronin si brez i sakrificës, prap se prap brezi i tyre nuk ishte si brezi i mëparshëm që kish bërë luftën.
-Unë për vete do doja një luftë ku të buçiste trumpeta e të rreshtohej ushtria. Zëri i mprehtë i saj të vërtitej në ajër si gjarpër i shpejtë e të sulej drejt meje, e të mi shponte tej e tej këto veshë që nuk dëgjojnë as pordhën time ! – tha Kol Kaçupi, ish kritiku trupmbledhur i letërsisë që asnjëherë në shoqërine e pleqve të rinj nuk ish mburrur se si e kish bërë fërtele një shok të tij shkrimtar që tani hiqej se kish shkruar një vepër disidente, pa dashur të kish qënë disident.
-Sidoqë të jetë lufta ka rëndësi që ajo të jetë një luftë e drejtë ! – tha Kudret Shala pa i venë veshin fjalëve të Kol Kacupit.
Ai uli një katër-gjashtë mbi karton.
Kiçi Thanasit i erdhi gur i mirë. Në dorë kish dopiogjashtën. Por nuk u nxitua. Fjalët e Kudret Shalës e vunë në mendime.
– Kaq e vështirë të gjesh një luftë të drejtë nuk besoj se është apo jo ? – pyeti më shumë veten se të tjerët.
– Gjeje aman, gjeje ! – i tha Kol Kaçupi. – Gjeje dhe të nisemi nesër!
– Po varet çfarë do quajmë luftë të drejtë, – tha Kiçi Thanasi.
– Kollaj. Një luftë ku ti të mos kesh asnjë interes. – tha Kudret Shala.
Kiçi Thanasi me dopiogjashtë në dorë zu të mendohej gjatë sërish.Nuk ishte kaq kollaj kjo lojë.
Edhe në Irak, edhe në Avganistan, edhe në Sierra Leone…edhe s’i kujtohej për momentin ku kish luftë deri mbrëmë në darkë sipas CNN-enit…por sidoqoftë në gjithë këto vende po të shkonte me armë në dorë, nuk kuptonte se çfarë interesi kish ai, si plak i ri nga Shqipëria.
Po druhej, megjithatë, ta thoshte mendimin e tij.
Vendosi të lirohej në fillim nga dopia gjashta dhe fill pas saj të pyeste:
– Po çfarë interesi kam unë nëse shkoj në Irak apo në Avganistan apo në Sierra Leone…
– Apo në Liban ? – plotësoi pyetjen Kol Kuçupi me shpejtësi.
– Po, makar në Liban. Nuk kam asnjë interes. Shkoj të vras pleqërinë time dhe kaq !
– Që ditën e parë ? – pyeti Kol Kaçupi me habi.
– Po, që ditën e parë, – tha Kiçi duke sjellë në mend se ç’hoqi natën e shkuar.
– Pse interes i pakët të duket ty kjo gjë ? – ju drejtua Kudret Shala me ton, në dukje hakërrues, por thellë-thellë vlerësues për mënçurinë që plaku i ri Kiçi Thanasi shfaqi që ditën e parë të pensionit të tij, duke kuptuar atë ç’ka ish kritiku Kol Kaçupi ka tre vjet që bën sikur e kupton.

21 janar 2007

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.