Elona Gjebrea: Fuqizimi i edukimit ndihmon të minimizohen rreziqet e abuzimit tek fëmijët e adoleshentët
Elona Gjebrea, deputetja e Partisë Socialiste ka sot 7 propozime se si mund të forcohet sistemi arsimor në vend, me qëllim parandalimin e rasteve të ngjashme me atë të 15 vjeçares, ngjarje që shokoi jo pak opinionin publik. Deputetja socialiste thotë se edukimi seksual i të rinjve është i domosdoshëm sipas standardeve që njihen dhe në botë, sipas grupmoshave dhe metodologjive bashkëkohore. Por me shumë rëndësi për zonjën Gjebrea është edhe trajnimi i vazhdueshëm të mësuesve që të ofrojnë më të mirën dhe si duhet për tema që kanë qenë tabu e padyshim jo të lehta për tu trajtuar.
JoTabu.al
Ju kemi parë shumë të angazhuar dhe mund të themi edhe e shqetësuar mbi rastin e përdhunimit të vajzës 15 vjeçare në kryeqytet pak ditë më parë. Për këtë arsye zhvilluat një seancë dëgjimore në Komisionin Parlamentar e gjithashtu gjatë seancës plenare mbajtët një fjale kushtuar kësaj ngjarjeje të rëndë. Mund të na thoni si e keni parë rastin e përdhunimit të 15 vjeçares?
Elona Gjebrea, Deputete e PS-së:
“Padyshim jam prekur nga ngjarja me 15 vjeçaren dhe në fakt Aleanca e Grave Deputete zhvilloi javën e kaluar një dëgjesë publike me zv Ministret e Shëndetësisë dhe Çështjeve Sociale si dhe me atë të Brendshme për situatën e dhunës në familje gjatë situatës me Covid 19.
Por padyshim shqetësimi dhe i kolegeve të mia ishte rasti i 15 vjeçares. Një histori që na shtyn të mendojmë e reflektojmë, por edhe të gjejmë rrugën e duhur për të frenuar raste të tjera në të ardhmen. Jo me kot shqetësimin tim dhe të kolegeve e shpreha dhe gjatë fjalës time në Parlament ditën e enjte. Politika duhet ti japë më shumë mbështetje punës që bëhet në fushën e mbrojtjes së fëmijëve e të ndihmojë për të korrektuar problematikat e ndryshme që hasen dhe që në disa raste të agravuara krijojnë situata të pakëndshme e shqetësuese”.
JoTabu.al
Në fakt çfarë duhet të ndryshojë në të gjithë infrastrukturën dhe menaxhimin e sistemit arsimor në vend duke pasur parasysh rrezikun që mund të kenë fëmijët në ambientet e shkollës?
Elona Gjebrea, Deputete e PS-së:
“Në fakt përmenda gjatë fjalës time disa sugjerime për forcimin e sistemit:
- Parandalimi përmes edukimit
- Forcim të gjithë strukturave në shkolla
- Vlerësim i situatës së nxënësve në çdo shkollë në bashkëpunim me psikologët dhe bashkitë
- Fuqizim të bordit të prindërve dhe diskutime në formate të gjera për rolin e familjes në shoqëri
- Rishikim të rolit të oficerëve të sigurisë në shkolla
- Rivitalizim të mekanizmit të referimit
- Komunikime dhe trajnime me mediat”.
JoTabu.al
Ka ardhur momenti që edhe sistemi arsimor të përfshijë edhe me gjrwsisht edukatën seksuale në shkollat shqiptare?
Elona Gjebrea, Deputete e PS-së:
“Në dijeninë time kjo edukatë është e përfshirë në kurrikulat arsimore. Por gjithmonë ka mundësi për përmirësime e një vlerësim të çfarë ajo ofron e si është përfitimi ndihmon”.
JoTabu.al
Si mund të ndikonte edukimi seksual i fëmijëve në mbrojtjen e tyre, duke pasur parasysh edhe rastin e fundit në kryeqytet?
Elona Gjebrea, Deputete e PS-së:
“Edukimi seksual është i domosdoshëm sipas standardeve që njihen dhe në botë, sipas grupmoshave dhe metologjive bashkëkohore. Pa harruar trajnimin e vazhdueshëm të mësuesve që të ofrojnë më të mirën dhe si duhet për tema që kanë qenë tabu e padyshim jo të lehta për tu trajtuar”.
JoTabu.al
Mirëinformimi do të sillte më shumë mbrojtje për fëmijët dhe adoleshentët?
Elona Gjebrea, Deputete e PS-së:
“Sigurisht, edukimi siç duhet i fëmijëve dhe adoleshentëve është sfidë e vështirë e ku duhet të ndërthuren kontributet e prindit, mësuesve, individit e shoqërisë. Dikur edukimi familjar, por edhe shkollor, fetar dhe shoqëror, ishte për të gjithë i njëjtë, me rregulla të përbashkëta dhe të sigurta. Sot kërkohet më tepër edukim personal dhe ndërpersonal, sipas moshës, gjinisë, aftësive, nevojave, rrethanave dhe mundësive. Në këtë kontekst një fëmijë dhe adoleshent i infomuar për situata ku mund të cënohen të drejtat e tij e mund të bie pre e abuzimeve dhe dëmtimeve ndihmon për ti parandaluar ato. Gjithsesi jetojmë në një shoqëri demokratike por dhe të paragjykuar ku individi mund të shantazhohet e intimidohet ndaj fuqizimi i edukimit ndihmon të minimizohet rreziqe të tilla, e forcon individin dhe e përgatit atë në rrugëtimin e tij të gjatë të jetës”.
© 2020, Pozitivi. All rights reserved.
