Pensionet e shqiptarëve në emigrim, nga marrëveshja me Kanadanë te “blloku” i Greqisë
Duke nisur që nga 1 gushti i këtij viti, shtetasit shqiptarë që jetojnë në Kanada, do përfitojnë pensione për kontributet e tyre. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri Edi Rama, në një postim në Facebook, ku shkruan se Kanadaja ka përfunduar procedurat e brendshme për njohjen reciproke të sigurimeve shoqërore me Shqipërinë. Bashkangjitur këtij shkrimi, kreu i qeverisë ka postuar edhe një foto ku shfaqen flamujt e dy shteteve.
Por nuk është vetëm Kanadaja ajo që njeh pensionet e emigrantëve shqiptarë. Më herët ata janë njohur nga Italia e disa vende të tjera.
Italia do të njohë vitet e punës të emigrantëve shqiptarë për kohën që kanë punuar në Shqipëri. Senati italian miratoi me shumicë propozimin e qeverisë për njohjen e viteve të punës ata që kanë punuar në Shqipëri. Kjo do të favorizojë emigrantët shqiptarë që jetojnë e punojnë në shtetin fqinj duke u dhënë të drejtën e pensionit në momentin që mbushin moshën e përfitimit. Organi legjislativ i vendit fqinj vendosi se kjo periudhë kohore do t’u llogaritet shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Itali pasi të marrin pensionin. Qeveria e kryeministrit Mario Draghi ka vendosur në dispozicion 136 milionë euro për realizimin e marrëveshjes me Shqipërinë, e cila do të pranohet nga pala italiane në vijim. Kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi në vitin 2023 dhe do të funksionojë deri në vitin 2032.
Njohja e pensioneve me Kosovën
Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje për sigurimet shoqërore. Marrëveshja për Sigurimet Shoqërore u nënshkrua pas mbledhjes së përbashkët të dy qeverive në qytetin e Elbasanit. Në bazë të marrëveshjes, qytetarët e të dy vendeve do të mund të përfitojnë nga përfitimet për barrë lindje; nga përfitimet që merren në raste të aksidenteve në punë për ata që janë të punësuar, si dhe nga pensionet e pleqërisë, të invaliditetit apo pensionet familjare në të dyja vendet.
Marrëveshja mundëson që të ketë eksportim të pensioneve dhe bashkim të periudhave, në mënyrë që të sigurohet një pension sa më dinjitoz për të gjithë personat që kanë pasur mundësinë të punojnë në të dy anët e kufirit. Negociatat mes Shqipërisë dhe Kosovës për nisën në vitin 2020 dhe kaluan në dy raunde. Ato përmbyllën procesin e hartimit dhe miratimit të marrëveshjes në fushën e sigurimeve shoqërore në datat 18-19 Nëntor, në Prishtinë. Deri në fund të vitit 2021, në vendin tonë punonin 161 kosovarë, ndërsa atje punonin 543 shqiptarë.
Situata e pensioneve me Greqinë
Greqia nuk sheh asnjë mundësi për marrëveshje me qeverinë shqiptare në njohjen e ndërsjelltë të pensioneve. Duke qenë se në vendin fqinj ka shumë shqiptarë që punojnë, vlera e kontributeve është e konsiderueshme. Për këtë shkak si duket Greqia e sheh pa interes t’i njohë emigrantëve edhe vitet e punës në atdheun e tyre.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
