Pasqyrë moj pasqyrë, cila është më e bukur?!
05/05/2021 Shpërndaje

Pasqyrë moj pasqyrë, cila është më e bukur?!

Shila Shahinasi është 21-vjeçarja, e cila ka krijuar pasqyrën që i kthen përgjigje pyetjeve drejtuar asaj. Pasqyra e krijuar nga Shila prezantohet në emisionin “Gen Z” në Euronews Albania

Pasqyrën e kam krijuar gjatë universitetit, pasi si vajzë që isha shihesha në pasqyrë dhe mendoja sikur të më kthente përgjigjë. Një ditë mendova pse të mos e bëj që kjo pasqyrë të më kthejë përgjigje mua, të më thotë se si dukem,”- thotë programuesja Shila Shahinasi.

Këtë ide Shila arriti ta realizonte dhe pasqyra që i kthen përgjigje pyetjeve tani është realitet.

“Për momentin gjërat që afishohen tek pasqyra janë bazike të tregojnë çfarë dite është, si është moti jashtë që të përgatitesh para se të dalësh nga shtëpia apo të thotë dhe disa shprehje që të bëjnë të ndihesh më mirë, të motivohesh në mëngjes,” – rrëfen Shila Shahinasi.

Shila vazhdon të punojë me projektin e pasqyrës, pasi sipas saj duhen rregulluar edhe disa detaje të vogla.

“Tani jam duke zhvilluar një software, një program që të arrijë ta drejtojë dhe të komunikojë me pasqyrën njësoj siç komunikon me X-boxin. Jam deri në pikën që e drejton ose komandon duke pasur një dorezë me ngjyra të ndryshme. Ky projekt është në zhvillim e sipër dhe e kam shumë përzemër,” – tregon programuesja Shila Shahinasi.

Pasqyrën që ka krijuar Shila e provoi modelja Kristina Baki duke i bërë pyetjen e famshme të filmit të Borëbardhës, se kush është më e bukur dhe përgjigjia e pasqyrës konfirmoi bukurinë e Kristinës.

“Nuk më kishte shkuar në mendjen për një pasqyrë që flet. Ndodh që mendoj para pasqyrës dhe është shumë mirë që ajo të më kthejë përgjigje. Pasqyrën që ka krijuar Shila do doja ta merrja me vete duke qenë se mund të jam e pasigurt në një moment nëse jam e bukur apo jo. Në këtë mënyrë pasqyra do më kthejë përgjigjë dhe nuk do lodh njerëzit përreth nëse dukem bukur,” – thotë modelja Kristina Baki.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.