OSHEE/ Seanca e pazakontë e Kuvendit, nga fikja e dritave te sherri mes deputetëve për Foltoren
E pazakontë ka qenë seanca plenare e ditës së djeshme në Kuvend. Teksa ministrja Belinda Balluku po fliste për energjinë elektrike, për ironi të fatit, dritat në Kuvendin u ndërprenë. Kjo situatë u kalua me sportivitet nga Balluku e cila ironizoi edhe deputetët e opozitës të cilët e shfrytëzuan këtë rast për akuza. “Sa gëzohesh, Helidon, ti gëzohesh gjithmonë. Shiko si u kthye, patjetër, jo nuk do pres se kam punë, por do të dëgjoj. Që të mbaj atë dritën e kuzhinës se tmerroheshin kalamajtë. Helidon, pse s’ishe dje te tryeza energjetike? Unë nuk e prisja ministri hije i Energjitikës të mos ishte. Si tha, si tha? Do ma tregosh ti gjënë e anijeve se unë anijet i kam parë”.
Përplasja Rama-Berisha
Gjatë debateve në Kuvend kryeministri Edi Rama tha se nëse ish-kryeministri Sali Berisha merr drjetimin e PD-së ai ndërpret marrëdhëniet me selinë blu. Disa herë iu referua Berishës me fjalët “i vdekur politikisht”. Në replikën e tij, Berisha tha se kjo e nderon pasi tregon frikën e Ramës prej opozitës së vërtetë. Për të qenë gati në çdo moment për të debatuar me kryeministrin, Berisha u ul në rreshtin e parë të karrigeve.
Shyrja e Berishës ndaj Alibeajt
Ndërsa fjalën për të folur e kishte marrë Alibeaj, në Foltoren e Kuvendit ka shkuar edhe Berisha. Me pretendimin se kishte radhën për të folur ish-kryeministri ka spostuar duke e shtyrë me dorë Alibeajn. Ky i fundit bëri përpjekje të tejkalonte skenën në të cilën u përfshi me Berishën. Kjo skenë u dënua dhe nga ndërkombëtarët. Yuri Kim shkroi se ditët e rrahjes apo largimit të të tjerëve nga podiumet, shtrembërimit të së drejtës, dhe kërcënimit të atyre që me të drejtë thonë jo, janë skena të së kaluarës që nuk duhet të përsëriten. “Ditët e sulmit ndaj ndërtesave, rrahjes ose largimit të të tjerëve nga podiumet, kërcënimit të atyre që thonë me të drejtë “jo!”, akuzimit të të tjerëve për veprat e këqija që ka bërë, shtrembërimit të shtetit të së drejtës, mosndëshkimit – ato ditë i përkasin një të shkuare që s’duhet të përsëritet”, shkroi Kim.
Debate për ujin
Uji i pijshëm ishte një tjetër temë që shkaktoi debate mes opozitës dhe maxhorancës. Borxhi që do marrë qeveria për të përmirësuar cilësinë e furnizimit të qytetarëve të Tiranës me ujë të pijshëm u përcoll me ironi nga deputetja demokrate Jorida Tabaku. Sipas Tabakut qeveria në vend që të punojë, hedh akuza për opozitën pas 9 vitesh ndërsa theksoi se asnjë prej deputetëve nuk pi ujë në çezma për shkak të rrezikut të ndotjes. Replikat nuk munguan as nga pala tjetër.
Rama deklaroi se me të shkuar në shtëpi do pijë ujë dhe videon do e hedhë në tik tok. “Zonja foli për ujin e çezmës që askush nuk e pi. Sot me t’u kthyer në shtëpi do pi ujë nga çezma. Jam i gatshëm nëse zonja Tabaku më pret në shtëpinë e saj të shkoj edhe në shtëpinë e saj të pi ujë nga çezma. Do ta bëj video dhe ta hedh në tik tok. Jam i bindur që ti me siguri e ke ndonjë vajzë a ndonjë djalë të vogël që ta mëson tik tokun si përdoret. Megjithatë nuk ia vlen fare të hyjmë në këto lloj debatesh se kush jemi ne dhe kush jeni ju”, tha Rama.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
