OSBE “thirrje” Shqipërisë/ Përmirësim të ligjit për median online
Media online është një risi e viteve të fundit që po merr një vrull të madh krahasuar me mediet e tjera tradicionale. Në vendin tonë ka një numër të lartë portalesh, mbi 650, por rregullat kufizuese apo normat ligjore për median e re mungojnë. Një ligj i ri për median online i njoftuar nga qeveria Rama që në korrik, që ndryshe është quajtur ‘paketa anti-shpifje’ ka marrë kundërshtime pafund
Versioni i parë i këtij ligji të ri, i paraqitur në 2018-ën, që lejonte Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) të mbyllte çdo faqe online pa urdhër gjykate, u kundërshtua si nga media dhe organizatat lokale, ashtu dhe ato ndërkombëtare.
Edhe pse ligji i ri nuk lejon që AMA të mbyllë një faqe interneti, përveç rasteve të mirëpërcaktuara, ai e zgjeron më shumë rrjetin e mediave që preken nga ligji.
Gjatë konsultimeve mes Zyrës së Përfaqësuesit të Lirisë së Mediave të OSBE-së dhe qeverisë gjatë hartimit të legjislacionit, është bërë një analizë ligjore analizë ligjore për median online në vendin tonë dhe është arritur në konkluzionin se ka nevojë për përmirësim të mëtejshëm të ligjeve.
Përfaqësuesi i Lirisë së Mediave të OSBE-së Harlem Desir rekomandon përmirësime e mëtejshëm të ligjeve mbi median online, ndërsa i kërkon Qeverisë shqiptare rishikim për ndryshimet më të fundit në Ligjin për Media Audiovizuale në Shqipëri dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike.
“Unë vlerësoj bashkëpunimin e gjatë dhe konstruktiv që kemi krijuar me autoritetet e Shqipërisë gjatë procesit të hartimit të ndryshimeve të reja të ligjit për median audiovizive. Ishte gjithashtu e rëndësishme të sigurohej që agjensia rregullatore, Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), nuk do të ketë të njëjtat kompetenca për përmbajtjen e publikimit në internet si kompetencat e gjera që ka aktualisht në sistemet e transmetimit”- ka thënë Desir.
Sakaq Harlem thotë se projektligji i qeverisë që synon të disiplinojë median online ka nevojë për përmirësime të tjera.
“I dërgova qeverisë në Shqipëri një përmbledhje të re ligjore mbi Ligjin për Median Audiovizive dhe Ligjin për Komunikimet Elektronike në të cilin rekomandoj përmirësime të mëtejshme”, shkruan Desir, bashkëngjitur, deklaratës së tij të plotë.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.
