A duhet ndaluar aborti në çdo fazë të shtatzënisë?
25/03/2022 Shpërndaje

A duhet ndaluar aborti në çdo fazë të shtatzënisë?

Në Oklahoma të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, aborti do të jetë kategorikisht i ndaluar në çdo fazë të shtatzënisë.  Ky projektvendim është miratuar së fundmi, ndërsa bën përjashtim vetëm në rast incestit, përdhunimit apo nëse jeta e nënës do të jetë në rrezik.

Një masë dhe më e ashpër se ato të miratuara në Teksas dhe Arizonë të cilat ndalojnë ndërprerjen e shtatzënisë pas javës së pesëmbëdhjetë, pa asnjë përjashtim. Ndër të tjera ligji i miratuar në Oklahoma lejon çdo qytetar të denoncojë jo vetëm ata që praktikojnë abortin, por dhe këdo që favorizon apo shtyn dikë drejt abortit.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kohën e administratës Trump lëvizjet anti abort nisën një fushatë të fuqishme për të kërkuar ndryshimin e ligjit dhe tani shtetet kanë miratuar ligje shumë të ashpra në krahasim me ato ekzistuese, pavarësisht përpjekjeve të demokratëve për të mbrojtur lirinë e zgjedhjeve të grave. Debati publik është shumë i ndezur dhe tashmë pritet një vendim i ri i Gjykatës së lartë për të kuptuar se cila do të jetë adresa për të përfituar anatomi të plotë nga secili shtet amerikan.

Kjo është interpretuar si një goditje e rëndë për lëvizjet që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës luftojnë për të drejtat e grave. Në Shqipëri aborti u lejua me ligj në vitin 1995 dhe që atëherë ka shënuar ulje të ndjeshme. Nga 1 abort në 2.2 lindje në fillim të viteve 90, ka mbërritur në 1 abort në 5.7 lindje në vitin 2017.  

Abortet

Ka dy kategori abortesh, spontane dhe të provokuara. Aborti i provokuar është një veprim i ndërmarrë me qëllim për të ndërprerë barrën kryesisht për arsye shëndetësore. Të gjitha abortet e tjera konsiderohen spontane. Numri i aborteve në vitin 2020 ishte 4.540. Abortet spontane mbajnë peshën më të madhe të aborteve duke përbërë 80,8 % të totalit, në vitin 2020. Në vitin 2020, për çdo 1.000 lindje të gjalla ka pasur 162 aborte. Raporti lindje-abort tregon se për çdo 6,2 lindje, ka ndodhur paralelisht edhe një abort. Pjesa më e madhe e aborteve kryhen nga gratë e grupmoshës 20-34 vjeç, e cila është dhe grupmosha më riprodhuese e gruas.

Raporti i abortit për grupmoshën 15-19 vjeç është analizuar në mosha teke, ku në moshën 17 vjeçare kemi vlerën më të lartë të këtij treguesi: 104 aborte për 1.000 lindje të gjalla. Në vitin 2020, nisur nga niveli arsimor i nënës, numri më i lartë i aborteve është kryer nga gratë me nivel arsimor 9 vjeçar dhe të mesëm, duke zënë një peshë përkatësisht me 31,0 % dhe 25,2 %. Peshën më të vogël e zënë gratë me nivel arsimi fillor (2,5 %), ndërsa përqindja e aborteve nga gratë me nivel arsimor të lartë zë 21,1 % të totalit. Sipas statusit martesor, 73,7 % e aborteve janë kryer nga gratë e martuara dhe 6,7 % nga gratë beqare. Abortet nga gratë e divorcuara ose të ve janë në nivele shumë të ulëta. Abortet e kryera nga gratë e papuna ose të pasiguruara, ndër vite, ndjekin të njëjtin trend dhe nivele të përafërta. Në vitin 2020, përqindja e aborteve të kryera nga gratë e punësuara shënoi një rënie prej 3,3 pikë përqindje, krahasuar me vitin e kaluar.

Pasojat psikologjike

Përfundimi i vetëdijshëm i shtatzënisë mund të ketë një impakt të fortë mbi mirëqenien psikologjike të gruas, sidomos sepse ka ndikim nga faktorët socio-kulturorë të vendit ku gruaja jeton, apo dhe nga nga mekanizmi vetëmbrojtës që ajo ka. Zakonisht simptomat post abort janë të ndryshme, nga gruaja në grua, pikërisht sepse ajo mund t’i përkasë niveleve të ndryshme kulturore, ekonomike apo të përjetojë një moment specifik në jetën e saj. Për këto arsye, disa herë, pasojat psikologjike ajo nuk i jeton, nuk i menaxhon apo kanalizon në mënyrën e duhur, duke vënë në rrezik shëndetin e saj mendor. Disa shembuj janë ulja e vetëbesimit, ndjenja e fajit, vaj i pakontrolluar, kujtime te hidhura, vështirësi në intimitet. ( Brier 2008).

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.