Nuk ka kohë për të humbur! Zbatim Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm për një Shqipëri më të mirë
24/10/2022 Shpërndaje

Nuk ka kohë për të humbur! Zbatim Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm për një Shqipëri më të mirë

Për të gjithë ata që duan të dinë çfarë janë Objektivat e Zhvillimit të Qendrueshëm

Dita, java e Kombeve të Bashkuara. Javët kulturore ndërkombëtare kanë mbërritur në pikën e tyre kulmore: Përtej një shteti të vetëm, Kombet e Bashkuara kanë nisur javën e tyre me fokusin te paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin.

Në një botë në telashe e trazira, me ndasi e pabarazi sfidat për një vend si Shqipëria janë të mëdha.

Një rol shprese është ai i Kombeve të Bashkuara për realizimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, me objektiv të njëkohshëm anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian

Ky rol është veshur që në qasje me shumë detyra e plane konkrete veprimi me rezultat: Angazhimin e Shqipërisë për arritjen e OZHQ-ve (SDG-ve).

Këto objektiva janë shoqëruar me një plan shumë vjeçar pune, e  disa prej tyre, do të shfaqen për publikun gjatë javës e Kombeve të Bashkuara ka nisur sot, në datë 24 tetor për të vazhduar deri në 30 tetor. Sot në Tiranë nisi me projektin “We the Peoples”.

E konceptuar me dhjetra aktivitete por edhe si një festë e madhe shëtitëse java e Kombeve të Bashkuara do të “udhëtojë”edhe në Durrës, Pukë e Përmet.

“Nuk ka kohë për të humbur!”

“Nuk ka kohë për të humbur!” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme.

Aq më pak, ka kohë për Shqipërinë, si një vend në zhvillim që po mbështetet nga OKB për arritjen e OZHQ-ve, duke i parë ato si një marrëveshje të re globale për t`u siguruar që fokusi dhe energjia të jenë te njerëzit.

Objektivat janë një plan i madh veprimi ku 19 agjenci të OKB-së në Shqipëri punojnë së bashku që ti japin fund varfërisë, të mbrojnë mjedisin e klimën në tokë dhe të sigurojnë që njerëzit pavarësist vendodhjes të mund të gëzojnë paqe e mirëqenie

Në thelb mesazhi është ky: Njerëzit të jenë në fokus të çdo investimi. Ata të përfitojnë nga rritjet ekonomike apo shëndetësia më e mirë. Pra, kur shteti fuqizon një Objektiv, ai të ketë impakt direkt te individët e tij.

Çdo Objektiv është flagship i projekteve të OKB-së për të përmirësuar nivelin e jetesës dhe zhvillimin e Shqipërisë deri në vitin 2030. 

Edhe pse nisma është globale, asnjë shtet nuk i ka realizuar të 17 OZHQ-të me të njëjtin rezultat.

Në Shqipëri kemi parë përshtatjen e tyre për ti ardhur në ndihmë vendit në momente krizash si tërmeti apo pandemia Covid-19.

Çdo vend ka vizionin e vet, ndonëse është e gjithë pranuar se Objektivi 1, lufta ndaj varfërisë përbën qëllimin kryesor.

1

PA VARFËRI

Synimi kryesor: Zhdukja e varfërisë në të gjitha format, në të gjithë vendi.

Jo më kot, rrota shumëngjyrëshe që përbën logon e Objektivave të Zhvillimit të Qendrueshëm të Kombeve të Bashkuara nis me mesazhin e kuq “Pa varfëri” për të mos pasur deri në 2030-tën askënd që jeton me më pak se 1.25 Dollarë në ditë.

2

ZERO URI

Askush të mos vuajë më nga uria, por jo vetëm kaq. Ky objektiv synon të ofrojë akses në ushqim të sigurtë, me vlera ushquese dhe të mjaftueshëm për këdo -kurdo

3

SHËNDET I MIRË DHE MIRËQENIE

Logo shumëngjyrëshe “rrotullohet” te ngjyra jeshile, ajo e shëndetit që parashikon masa konkrete për të gjitha moshat, për më pak vdekshmëri të parakohshme, më shumë akses në të gjitha shërbimet e shëndetit. Lista e ndërhyrjeve është e gjatë dhe shumë dimensionale, por në thelb puna e përditshme fokusohet te promovimi i mirëqenies.

4

ARSIM CILËSOR

Sigurimi i arsimit përfshirës dhe të barabartë dhe promovimi i mundësive të të nxënit gjatë të gjithë jetës për të gjithë.

Plani i veprimit me 7 pika synon jo vetëm arsim bazik për të gjithë, por edhe arsim të kualifikuar për të nxjerrë në tregun e punës të rinj që synojnë punësim të denjë në të gjitha nivelet.

5

BARAZI GJINORE

Ky objektiv synon arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave. Nga dhuna, te shëndeti seksual riprodhues, apo e drejta për burime të  barabarta ekonomike, janë vetëm disa nga synimet e objektivit për ti dhënë fund të gjitha formave të diskriminimit.

6

UJË I PASTËR DHE KANALIZIME

Deri në vitin 2030, arritja universale e aksesit të drejtë, të sigurt dhe të përballueshëm për të gjithë tek uji i pijshëm. Ky është synimi kryesor i objektivit, por edhe cilësia, efikasiteti në përdorim apo sigurim të ujërave të ëmbla dhe trajtim të ujërave të zeza.

7

ENERGJI E PËRBALLUESHME DHE E PASTËR

Ky  objektiv merr peshë të jashtëzakonshme në kohën që po jetojmë. Në kohën kur kriza energjitike ka dhënë sinjale të forta e kur frika është për krizë globale në këtë drejtim. Ky objektiv synon që pavarësisht rrethanave të bëhet maksimumi që të sigurohet furnizimi me energji me kosto të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë.

8

PUNË DINJITOZE DHE RRITJE EKONOMIKE

Synimet e objektivit 8 mund të përmblidhen te këto fjalë kyçe:

  • Mbështetje rritjes ekonomike
  • Punësim të plotë e produktiv
  • Punë të denjë për të gjithë

Brenda këtij objektivi janë përfshirë edhe masat kundër punës së detyruar apo trafikimit të qenieve njerëzore.

9

INDUSTRI, NOVACION DHE INFRASTRUKTURË

Synimi është zhvillimi i infrastrukturës duke e parë atë si element kyç për rritjen ekonomike që sjell si rezultat mirëqenien njerëzore. Ky objektiv ka synim paralel edhe të nxisë zhvillimin e teknologjive vendase, e aksesin ndaj informacionit.

10

ZVOGËLIM I PABARAZIVE

Ky objektiv synon shtresën më vulnerabël të shoqërisë, ata me të ardhura të ulëta, me synim  fuqizimin e tyre jo vetëm ekonomik por edhe rolin e tyre në vendimmarrje.

11

QYTETE DHE KOMUNITETE TË QENDRUESHME

Synimi i këtij objektivi është të bëjë qytetet, të sigurta, gjithëpërfsirëse dhe të qëndrueshme. Kjo arrihet duke siguruar strehë e shërbime bazë edhe për shtresat më të varfëra.

12

KONSUM DHE PRODHIM I PËRGJEGJSHËM

Sigurim të modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit. Kjo përmes zgjidhjeve inovative, zvogëlimit të nevojës për energji, duke edukuar konsumatorët për këto përfitime.

13

VEPRIM PËR KLIMËN

Ky objektiv synon marrjen e masave për të luftuar ndryshimet e klimës dhe ndikimet e tij.

Si?

Duke përmirësuar edukimin, ndërgjegjësimin, duke rritur kapacitetet njerëzore dhe  institucionale për zbutjen e ndryshimeve klimatike, përshtatjen, reduktimin e ndikimit dhe paralajmërimin e hershëm.

14

JETA NËN UJË

Synimet kryesore për tu mbrojtur:

  • Reduktimi i mbeturinave meqenëse pjesa dërrmuese e mbetjeve që prodhohen në tokë përfundojnë në oqeane.
  • Ndalimi i qeseve plastike si shkaktari kryesor i ndotjes detare
  • Ndalimi i mbipeshkimit

15

JETA NË TOKË

Objektivi 15 fokusohet veçanërisht në:

Menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve

Ndalimin e degradimit të tokës dhe habitatit natyror

Ndalimin e humbjes së biodiversitetit.

16

PAQE DHE DREJTËSI, INSTITUCIONE TË FORTA

Promovimi i shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i aksesit në drejtësi për të gjithë dhe ndërtimi i institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet. 

Objektivi kryesor: Reduktim i ndjeshëm i të gjitha formave të dhunës dhe  niveleve përkatëse të vdekjeve kudo.

17

PARTNERITET PËR OBJEKTIVAT

Ky objektiv i dedikohet rëndësisë së stabilitetit ekonomik, dhe nevojës për të mobilizuar burimet financiare për vendet në zhvillim nga burimet ndërkombëtare.

Synimi i këtij objektivi dhe i 16 objektivave të tjerë është madhor: Të transformojë botë tonë.

Ato janë një thirrje për veprim për t’i dhënë fund varfërisë dhe pabarazisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë shëndet, drejtësi dhe prosperitet. OZHQ-të janë një thirrje për të inkurajuar çdo shtet në botë që të përmirësojë veten, ti japë fund varfërisë, të përmirësojë edukimin dhe të reduktojë pabarazitë.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.