Lajmi i fundit/ Njihuni me ukrainasin që qëndron pas fjalimeve të fuqishme të Volodymyr Zelenskyt
Ai thuhet se fle vetëm 2 orë në ditë, dhe përkundër kësaj, ai gjen forcë të jetë edhe shumë miqësor. Madje shpesh ka goditur me fjalimet që ka mbajtur. Në kohë të vështira dhe nën sulmet e vazhdueshme mbi Ukrainën, presidenti Volodymyr Zelensky ka arritur të përçojë mesazhe në mbarë botën.
Madje ai pothuajse çdo ditë mban fjalime nëpër parlamente të vendeve të ndryshme të botës, duke bërë për vete shumicën e liderëve perëndimorë – nga të cilët kërkon ndihmë për dëbimin e ushtrisë ruse nga Ukraina që filloi agresionin më 24 shkurt.
Tani është mësuar se kush qëndron prapa këtyre fjalimeve të tij të fuqishme, që sjellin mesazhe të forta. Bëhet fjalë për ukrainasin 38-vjeç Dmitro Litvin, analist politik dhe ish-gazetar i cili me sa duket është i vendosur ta ruajë privatësinë.
Para se të mësohej se kush është autori i fjalimeve që janë bërë të famshme dhe janë ndjekur nga miliona njerëz në mbarë botën përmes rrjeteve sociale, Litvin kishte vetëm 200 ndjekës në Twitter, kurse sot kjo shifër nga çasti në çast po rritet.
“Mendoj se keni dëgjuar atë që kam shkruar”, thuhet në profilin e tij i cili nga fillimi i luftës shpërndau informacione për situatën në terren.
Edhe pse Dmitro është autori i fjalimeve të njeriut që po e përcjell e tërë bota, atij nuk i pëlqen shumë të flasë për këtë temë.
Litvin është pjesë e ekipit të brendshëm të presidentit dhe një prej njerëzve të rrethit më të ngushtë – e nga dita e parë e pushtimit punon shumë nga Bankova – versioni ukrainas i Shtëpisë së Bardhë.
Një prej këshilltarëve të Zelensky, gazetari Sergij Leshchenko e ka përshkruar Dmitrin, si “njeriu që çdo ditë mbledh idetë e presidentit Zelensky”.
Ai është pothuajse i panjohur në opinion, ndërsa me aftësitë e tij është njohur e tërë bota që nga fillimi i luftës në Ukrainë, dhe vazhdimin e kanë konsideruar fjalimin si armën më të fortë të Zelenskyt.
Përpos fjalimeve, një veçori tjetër e Zelenskyt është thjeshtësia. Se ai është i thjeshtë në paraqitjet e tij e tregon edhe një video e fundit e publikuar në të cilën ai shihet duke marrë karrigen me vete, derisa paraqitet para gazetarëve, para një konference për media. Jo vetëm kaq, por thjeshtësia në të folur, në të veshur, e ka bërë atë njësh me popullin ukrainas.
“Duke sjellë karrigen e tij, duke u ulur pak metra larg një turme gazetarësh, duke folur me sinqeritet dhe guxim, pa frikë nga asgjë: takoni presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, një udhëheqës i vërtetë i botës së lirë”, thuhet në një përshkrim në mediat sociale.
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
