“Njerëzit ndryshe nuk duhet të kritikohen”, videoja prekëse e një fëmije
Të gjithë e njohin fenomenin global të quajtur bullizëm. Tashmë ky koncept nuk është thjesht një fjalë e huaj por një realitet i prekshëm kryesisht për fëmijët, të cilët bien pre në ambientet e shkollës.
Të flasësh duke u bazuar vetëm në informacionet teorike është shumë ndryshe nga realiteti me të cilin ndeshen çdo ditë fëmijët. Bullizmi mund të ndodhë kudo dhe në çdo kohë. Prezenca ose jo e një mësuesi, prindi apo psikologu në shkollë nuk e shmang dot këtë fenomen por sigurisht që mund të kontribuojnë në uljen e numrit të rasteve që ndodhin.
Për ta demostruar këtë fenomen sjellim rastin e Keaton Jones, një djalë që e ka kaluar këtë sprovë. Historia e tij e trishtë se si shokët talleshin me të çdo ditë në shkollë ka bërë xhiro nëpër botë për të ndërgjegjësuar shumë të tjerë dhe për të treguar pasojat e bullizmit.
Mes lotësh e ëma ka treguar sa të vështirë e ka pasur për ta ndihmuar. Shokët talleshin në shkollë për pamjen fizike të Keaton si dhe për faktin që ishte ndryshe nga tjerët. Jo më pak e vështirë ka qenë për djalin i cili shprehet se nuk e kupton pse të tjerët s’i pranojnë njerëzit ndryshe.
“Thjesht nga kureshtja dua të di pse po më ngacmojnë? Cili është qëllimi i tyre? Pse kënaqen duke ngacmuar njerëz të pafajshëm? Si mund të jenë të këqinj me të tjerët. Kjo nuk është në rregull. Njerëzit që janë ndryshe nuk duhet të kritikohen për këtë gjë. Nuk është faji i tyre”, shprehet ai duke qarë.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
