Një udhëtim në Valbonën turistike
21/07/2022 Shpërndaje

Një udhëtim në Valbonën turistike

Të gjithë ata që janë ngopur me detin, një atraksion më bukuri të rralla natyrore ju pret për ta vizituar. Valbona nuk është thjesht një destinacion natyror i Shqipërisë, ajo është një kompleksitet dukurish interesante, si e gjithë pjesa tjetër e Alpeve Shqiptare, që ngërthen bashkë të gjitha kuptimet e së bukurës. Fundjava është parë dhe ju mund të planifikoni një udhëtim me miqtë apo familjarët tuaj. Për pozitivi.org Bledar Jubani na njeh më tepër më vendlindjen që ka zgjedhur ti shërbejë duke e prezantuar me shumë adhurures të natyrës. Prej më shumë se 12 vitesh ushtron profesionin udhërrëfyes turistik kombëtar të licensuar.

Valbona mbetet një nga atraksionet më të bukura për tu vizituar, ndërsa ti ke pasur fatin të jetosh në këtë vend ndërsa prej vitesh ke marrë përsipër ti shërbesh, duke u bërë udhërrëfyesi turistik kombëtar i licensuar, si është për ty të kthehesh në vendlindje me një detyrë jo të lehtë?

Në Valbone kam lindur dhe jam rritur. Kam qënë pjesë e turizmit që në fillimet e veta aty rreth vitit 2007 kur nuk kishte rrugë të shtruar, dritat ishin të dobta, pa valë telefoni. Tani e gjithë infrastruktura është rregulluar deri diku duke e bërë të mundur zhvillimin e një turizmi modest. Personalisht jam udhërrëfyes kombëtar i licensuar dhe për 10 vite kam qënë aktiv duke shoqëruar kryesisht grupe te huaja, punë kjo e cila nuk më ka lejuar të kaloj shumë kohë në Valbonë, por gjithmonë mëndjen e kam pasur për tu kthyer. Tashmë jam kthyer dhe kam vendosur të kaloj pjesën më të madhe të kohës këtu, përsëri i përfshirë në turizëm. Valbona të bën akoma më shumë për vete sa më shpesh që e viziton.

Cfarë mund të bësh një ditë në Valbonë?

Valbona është vendi i vetëm në Shqipëri i rrethuar nga male shkëmbore dramatike, gjysëm të zhveshura nga bimësia dhe shumë të pjerreta. Është një parajsë për ata që duan të dalin të bëjnë ecje në natyre, por edhe për ata të cilët duan të shijojnë ajrin e pastër dhe freskinë që të ofron. Përveç ecjeve në natyrë, mund të bëhen edhe shëtitje me kuaj. Ka disa vite tashmë që Valbona frekuentohet edhe në dimer, sidomos nga grupe dhe individe të huaj të cilët bëjnë shëtitje me ski, edhe pse nuk rekomandohet për fillestar pasi akoma mungon një pistë e mirëfillte.

Cilat janë pikat më vecanta turistike?

Jane disa atraksione përgjatë luginës, siç është mulliri i vjeter i cili është përdorur deri në vitet 90 nga një pjesë e mirë e banorëve të fshatit. I ndërtuar pranë lumit, uji i të cilit është përdor për ta vënë në punë. Një tjetër atraksion është vetë lumi I Valbonës, i cili njihet për ujin e pastër dhe të ftohtë, si edhe për troftën e egër. Në fund të luginës ndodhet edhe ujvara e Rrogamit e njëkohësisht edhe burimi më i larget i lumit të Valbonës, e cila frekuentohet nga një përqindje e lartë e turistëve që vizitojnë Valbonën.

Valbona dallohet dhe për ushqimet bio, cilat janë gatimet tradicionale të kësaj zone?

Valbona ka qënë dhe është fshat malor. Kushtet klimatike nuk kanë qënë të favorshme për kultivimin e frutave dhe perimeve të ndryshme, përveç fasules dhe patates. Duke qënë në këto kushte, banorët, në të shkuarën, janë bazuar tek prodhimet blegtorale si mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij. Si ushqime tradicionale janë njohur mishi në hell, fli, byrek me nëna bjeshke, leqenik, maze e zier, patate të pjekura, petulla me mjaltë, pule me qervish.

Cfarë duhet të ketë parasysh një turistë para se të niset në një udhëtim në Valbonë?

Një turist duhet të ketë parasysh së pari kushtet klimatike. Mëqe kohët e sotme ekzistojnë mekanizma të parashikimit të kohës, është mirë që kushdo që niset për Valbonë e në përgjithesi për në alpe, të kontrollojë parashikimin e kohës për ditët në vazhdim e sidomos ata që duan të dalin për ecje në natyrë. Së dyti Valbona nuk I ka qejf takat dhe kollaret. Që të ndjeheni më rehat duhet të merrni me vetë rroba të përshtatshme dhe të rehatshme për terrene malore.

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.