Një qasje ndaj lajmeve të kazanit
11/01/2018 Shpërndaje

Një qasje ndaj lajmeve të kazanit

Nga Ramadan Çipuri

Gjatë viteve të fundit, çështja e lajmeve të rreme është vënë në qendër të shumë pretendimeve të aktorëve të ndryshëm dhe debateve publike. Kjo situatë arriti pikun e saj pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA, ku presidenti i zgjedhur Donald Trump në konferencat e tij, që në fillim i kushtoi një rëndësi të madhe lajmeve të rreme, e sidomos teksa etiketoi edhe mediat kryesore të vendit të tij, New York Times dhe CNN. Në Shqipëri, politika jonë i veshi një tjetër emër, jo më si të rreme, por si media të kazanit. Në këto kushte, në funksion edhe të edukimit mediatik të audiencave, vlen që të analizohet raporti i këtyre lajmeve me aktorët e ndryshëm shoqëror, duke shtruar pyetjen se kush përfiton më shumë prej tyre. Përse papritur politikanët dhe mediat kanë filluar të flasin për lajme të rreme?

Ndër shumë të tjerë të mundshëm, mund të përmendim tre përfitues kryesorë, nga të cilët duket se janë ata që ankohen më shumë prej tyre.

Së pari, janë vetë këta populsitë të rinj që përfitojnë shumë nga lajmet e rreme. Janë pikërisht ata që shfrytëzojnë situatën dhe termin në fjalë për të minuar opozitën legjitime dhe për t’i rezistuar llogaridhënies ndaj pushtetit të katërt. Administrata e Trump në SHBA përdori fjalën “lajme të rreme” për të përshkruar përmbajtjen e lajmeve me të cilat nuk pajtohej. Politika jonë përdori “mediat e kazanit” për të bërë të njëjtën gjë, në një moment kur legjitimiteti i rezultatit të zgjedhjeve u përball me dyshime të mëdha. Kjo qasje bëhet veçanërisht serioze dhe alarmante kur përdoret për të justifikuar format e reja të rregullimit të medias, duke përfshirë këtu edhe kufizimin e qasjes së disa mediave në ngjarje që mund të kenë interes për publikun.

Së dyti, humbësit që në një moment të caktuar historik gjenden në anën e gabuar të zhvillimeve historike pohojnë dhe ushqejnë mendimin se ndryshimet politike dhe humbja e tyre ka ndodhur falë dezinformimit. Jo rrallë herë kemi dëgjuar të fajësohen “Lajmet e rreme” për rezultatin e dalë nga votimi i referendumit në Britaninë e Madhe për daljen nga Bashkimi Evropian, apo për fitoren e Donald Trump në SHBA. Disa madje shkojnë aq larg sa të sugjerojnë që një rezultat i bazuar në dezinformata nuk është legjitim.

Së treti, vetë mediat koncencionale janë të interesuara për debatin ndaj lajmeve të rreme.  Situata në të cilën janë zhytur mediat konvencionale duket se i ka nxitur ata për të vlerësuar konkurrentët e rinj si të rremë në përmbajtje, si dhe për të tërhequr vëmendjen e audiencave të gjera drejt tyre. Në këto kushte, është në interesin e mediave tradicionale që të përfitojë nga “kriza e lajmeve të rreme” në betejën e tyre me ndërmjetësit e rinj të teknologjisë. Duke pretenduar se këta ndërmjetësues (kryesisht Facebook dhe Google) janë burimet kryesore të kësaj krize, mediat tradicionale kërkojnë rregullimin e situatës dhe kompensimin e të ardhurave të humbura nga reklamat.

Të tre këto përfitues shfaqin interes rreth lajmit të rremë dhe e kanë përfshirë atë në agjendën e tyre. Rrethanat historike të viteve të fundit e kanë nxitur këtë debat në nivel global. Ne qemë dëshmitarë të zgjedhjeve në SHBA të lëna nën hijen e dyshimit, një referendumi në BE që përfshiu zgjedhje shumë të polarizuara, si edhe shumë rasteve të tjera brenda vendit tonë. Rëndësi ka që zgjidhja e kësaj problematike të mos gjendet përmes formave censuruese, siç pretendohet shpesh dhe ka raste të shumta, ku të kërcënohen media e gazetarë, por përmes mënyrave rregulluese të vetë industrisë së mediave.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.