Një ditë në Pallatin e Mbretit
25/11/2017 Shpërndaje

Një ditë në Pallatin e Mbretit

Prej 10 vitesh kam pasur mundësi ta vizitoj nga afër Pallatin Mbretëror, i njohur si Pallati i Brigadave ( kjo edhe për shkak të profesionit tim si gazetare ). Pritjet e autoriteteve më të larta të huaja janë bërë pikërisht në këtë hapësirë, si për ti treguar miqve, atë që shqiptarët e kanë vlerë, mikpritjen. Një Pallat Mbretëror, që gjithnjë ka qenë i lakmuar, edhe për mua që kam pasur fatin ta vizitoj disa herë. Sërish nuk ngurroj, madje shkoj me një kënaqësi të madhe në këtë hapësirë ku natyra dhe historia janë kaq në harmoni. Gjithnjë e kam menduar se ky park, në zemër të kryeqytetit do të ishte një frymëmarrje për banorët e qytetit më të zhurmshëm ë Shqipëri.

14 dhe 15 Tetori i 2017 ishin dhe ditët e para që Pallati i Brigadave kishte vizitorët, ndoshta më të dashur të tij, vetë qytetarët e kryeqytetit që si duket e kanë mirëpritur vendimin e kryeministrit që ky park të jetë i aksesueshëm edhe nga ata. Një hapësirë e madhe tashmë e prekshme edhe nga qytetarët, duket se ka sjellë një mundësi të mirë për një fundjavë ndryshe. E ashtu siç pritej, Pallati i Brigadave gumëzhinte si asnjëherë më parë nga zërat fëminorë, por dhe nga ata që siç duket kanë pritur dekada të tëra për të parë për herë të parë nga afër këtë hapësirë.

Në hyrje të Pallatit të Brigadave, qytetarët përballen me këtë tabelë ku kanë mundësi të mësojnë disa të dhëna për pallatin e Mbretit. Hapësira, viti i ndërtimit të pallatit apo dhe oraret se kur mund ta vizitojnë, të ndara në dy stinë.

Ajo është 32 vjeç, por ka hyrë në ambjentet e brendshme të parkut të Pallatit të Brigadave kohë më parë për të shënuar një nga kujtimet më të bukura të jetës së saj, për të realizuar setin fotografik të dasmës. Ka zgjedhur që në momentin e parë që ju dha mundësi erdhi ta vizitojë sërish parkun e pallatit Mbretëror, kësaj radhe më vajzën e saj.

Pozitivi.org: Është hera e parë që po vizitoni Pallatin Mbretëror?

Florenca Haxhi: Po është hera e parë që hyj si publik sepse kam hyrë dikur që kam bërë fotot e martesës. Këtë në fakt po i shpjegoja dhe vajzën që përpara ka qenë e mbyllur dhe kanë bërë shumë mirë që lejojnë gjithë njezit që të futen. Është një kopsht shumë i bukur kështu që ia vlen që dhe ne, publiku, ta shikojmë dhe fëmijët ta gëzojnë.

Pozitivi.org: Në këtë zonë është e ndërthurur historia, parku dhe natyra, cila është ajo pjesë që ju shtyu që të vini sot  që ta vizitoni?

Florenca Haxhi: Në fakt këtu erdha për vajzën, sepse e ka shumë dëshirë natyrën edhe kemi parë kopshtin zoologjik, Liqenin  Artificial, kopshtet e tjera të vogla, kështu që mu duk shumë interesante që të sillja vajzën. E lexova sot në mëngjes që ishte e hapur për publikun dhe vendosa që të vijmë menjëherë. Këtë po i thosha dhe vajzës që përveç natyrës këtu është dhe Pallati i Mbretit dhe do shkojmë ta shikojmë, nga jashtë sigurisht por do ishte mirë që të futeshim dhe brenda që ta shikonim.

Pozitivi.org: Vendimi për ta lënë hapur për publikun cdo fundjavë pallatin mbretëror si ju duket?

Florenca Haxhi: Është për qytetarët një ekses plus, përveç liqenit ku qytetarët shkojnë dhe mbipopullohet të dielave ky është një opsion shumë i mirë.

Por ka të tjerë që nuk kanë mundur që ta shohin për dekada të tëra hapësirë brenda parkut të Pallatit  të Brigadave. Kësaj nëne i është dashur të presë 64 vite të jetës së saj për të parë nga brenda parkun, edhe pse ka jetuar gjithnjë vetëm pak metra lag tij.

Pozitivi.org: Është hera e parë që vini dhe vizitoni pallatin mbretëror?

Amide: Po është hera e parë. Jam 64 vjeç dhe pse shtëpinë e kam pasur gjithnjë shumë pranë vetëm në këtë moshë mu dha mundësia që ta shoh nga afër. E kam parë nga larg por sot është hera e parë qe arrita të futem.në këtë hapësirë.

Pozitivi.org: Si po ju duket hapësira këtu?

Amide: E mrekullueshme, shumë e bukur me aq sa po shohim. Sepse po të shohësh dhe pallatin brenda ndërtimet dhe këto, por boll që është gjelbërimi ajri, rregulli, gjithçka me lule, të shtohet jeta këtu.

Pozitivi.org: Hapja e kësaj hapësire është vendimi i duhur?

Amide: Po patjetër, s’ka asgjë se pse duhej të ishte e ndaluar edhe më përpara, të shuhej kurioziteti i qytetarëve që ta shikojnë.

Pozitivi.org: Përveç natyrës ky pallat mbart mbi vete dhe histori. A është dhe kjo një arsye që erdhët për ta vizituar?

Amide: Po, këta janë të gjitha të lidhura edhe historia edhe natyra. Për shembull në fillim unë lexova se sa hektarë tokë kishte, se kur ishte bërë. Ato ishin të afishuar tek dera dhe unë i lexova. Qytetarët kanë kuriozitet për ta ardhur për ta vizituar. Një fundjavë vijnë dhe e kalojnë në një hapësirë kaq të bukur qoftë dhe moshat e mëdha dhe ashtu dhe të vegjlit.

Por ka dhe të tjerë që rikthehen këtu për nostalgji. Ka qenë shumë e vogël kur i është dhënë mundësia të vizitojë nga afër Pallatin mbretëror, dhe tashmë rikthehet me nostalgji për të parë nëse ka ndryshuar diçka gjithë këto vite.

Pozitivi.org: Është hera e parë që vizitoni Pallatin e Brigadave?

Satbere Hoxha: Tani që jam e rritur po, sepse mbaj mend që kur kam qenë e vogël me kanë sjellë prindërit.

Pozitivi.org: Është një vendim i mirë që në këtë hapësirë të kenë akses dhe qytetarët?

Satbere Hoxha: Absolutisht që po, mendoj që kjo mund të ishte bërë edhe më përpara. Kjo është në të gjithë botën që pallatet që i kanë shërbyer monarkive të ndryshme janë të hapura për publikun. Kështu që ishte koha që dhe këtu të krijohej kjo mundësi që të gjithë qytetarët të kenë mundësi që ta vizitojnë.

Pozitivi.org: A është kjo  hapësirë një mundësi për të kaluar disa orë ndryshe në kryeqytet, ku natyra lidhet aq bukur me historinë.

Satbere Hoxha: Po është një destinacion shumë i mirë, me ajër të pastër, natyrë e mrekullueshme por Pallati Mbretëror është kureshtje për të gjithë besoj.

Të rinjtë shpesh janë cilësuar si dembelë, apo miqtë më të mriz të kafeneve, por sot Sara dhe Melisa, 21 vjeçare dhe studente në universitet na tregojnë të kundërtën. Janë të pasionuara të vizitojnë vende të ndryshme, të mësojnë më shumë për historinë e qytetit dhe hapja e pallatit të brigadave ishte një mundësi e mirë për to.

Pozitivi.org:  Sara si e morët vesh vendimin që Pallati i Brigadave është i hapur për publikun dhe çfarë ju shtyu që të vini?

Sara: Lexova për parkun në një faqe në “Instagram” që thoshte se do të jetë i hapur për të gjithë qytetarët, sepse unë e dija që nuk ka qenë i hapur për qytetarët.

Melisa: Është hera e parë që jam këtu dhe më vjen mirë që na u dha mundësia. Natyra është shumë e bukur.  Është një mundësi që njohim edhe historinë. Më shumë erdha këtu për shkak të historisë.

Pozitivi.org: Në fakt kjo është fundjava e parë që është i hapur për qytetarët.

Sara: Po është fundjava e parë dhe mu duk shumë interesante sepse ka dhe natyrën dhe historinë të ndërthurura bashkë. Është një ide e mirë që edhe të relaksohemi për një fundjave por dhe të pasurojmë dhe pak bagazhin tonë me historinë e qytetit dhe vendit tonë.

Pozitivi.org: Dhe ju nuk nguruat dhe që në fundjavën e parë dhe erdhët dhe po e shikoni?

Sara: Jo sepse është krijuar ajo ideja që këtu në Shqipëri apo Tiranë nuk kemi shumë gjëra për të bërë apo për te parë edhe unë në fakt jam një natyrë që shikoj këto gjërat e veçanta dhe shkoj i ndjek pak më shumë. Kur është një koncert i ri ose një artis vjen nga jashtë kështu që edhe ky ambient mu duk shumë interesant.

Pozitivi.org: Hapja e hapësirave të tilla për qytetarët është një dritare më shumë për në fundjave. Por do tua rekomandoni dhe bashkëmoshatarëve tuaj?

Sara: Po patjetër është mirë që këtu të vish edhe me miqtë se më duket se vetëm kafeneve jemi këto kohët e fundit. Mua më pëlqeu shumë dhe do ua rekomandoj edhe familjeve por dhe shokëve e miqve të mi.

Ata që vizitonin këtë hapësirë të re në kryeqytet, ishin përgjithësisht familje, ku çiftet e reja kishin vendosur që të sillnin fëmijët e tyre, mbase për të pasur një kujtim për të parën vizitë në Pallatin e Brigadave.

Pozitivi.org: Keni ardhur familjarisht këtu për të vizituar pallatin mbretëror?

Aneida: Po kemi ardhur familjarisht, me vajzën e vogël.

Pozitivi.org: Çdo fundjave kjo hapësirë do të jetë e aksesueshme nga të gjithë qytetarët, si ju duket kjo hapësirë.

Aneida: Shumë paqe mund të themi, shumë qetësi gjithçka është shumë bukur. Duke qenë që na u dha mundësia të vijmë dhe fa shikojmë, ne erdhëm menjëherë.  Është hera e parë që jam këtu. Edhe pse në kryeqytet ka dhe parqe të tjera qartësia që është në këtë zonë nuk e gjen në asnjë vend tjetër në Tiranë është qetësi për familjen dhe familjen.

Pallati i Brigadave, filloi të ndërtohej nga Mbreti Zog I në vitin 1936. Ky pallat i projektuar nga tre arkitektë italianë do të shërbente si rezidenca e mbretit Zog. Për shkak të shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore dhe pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste më 1939, mbreti Zog u largua nga vendi dhe nuk arriti kurrë ta shihte pallatin mbretëror të përfunduar. Ndërtimi i pallatit u përfundua në vitin 1941 nga italianët, të cilët vendosën aty shtabin qendror të ushtrisë së tyre. Në këtë pallat ka qëndruar edhe mbreti i Italisë Viktor Emanueli III gjatë vizitës së tij në Shqipëri në vitin 1941.

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.