Nga mësuese, e pa punë, sot një sipërmarrëse që po ngjit majat
Kur mbyllet një derë, hapet një tjetër…
Stela Tosku, është 36 vjeç, ka lindur dhe jetuar në qytetin e Shkodrës. Është diplomuar për bio-kimi dhe për vite me rradhë ka punuar mësuese në shkolla të ndryshme në Shkodër. Gjatë një interviste për pozitivi.org, Stela rrëfen ndodhitë e papritura, të pakëndshme në jetën profesionale, që në një farë mënyre e “detyruan” të ralizojë ëndrrën e saj.
Nga mësuese, së fundmi punoi për 4 vite si sekretare në “Drejtorinë Rajonale të Tatimeve Shkodër”, ndërsa më vonë e pushuan dhe mbante statusin e papunë. Stela shprehet për pozitivi se pasi e hoqën nga puna nuk kishte asnjë ide për të ardhmen, por filloi të merrej më shumë me punimet artiznale, me të cilat punonte në kohën e lirë që prej 10 vitesh. “Me hoqën nga puna duke më lënë pa asnjë ide se me çfarë mund të merresha tashmë”.
36 vjeçarja sot është bërë një ndër artizanet më të njohura në Shkodër dhe jo vetëm, pasi filloi të përkushtohej intesivisht në këtë punë që prej 2 vitesh. “ Ka më shumë se 10 vite që unë realizoj në kohën e lirë objekte të ndryshme për ambjentet e shtëpise apo për dhurata por që merrem intensivisht ka vetem 2 vite”. Biznesin e ka hapur në ambientet e shtëpisë, siç thotë dhe Stela “pa kosto dhe pranë familjes”. Ngaqë kishte shumë kohë të lirë, nga një mësuese u kthye në një artizane, e ky fakt e bën tepër krenare pasi tashmë ka mundësi të realizojë ëndrrën e saj, të jetë një sipërmarrëse. “Fjala artizane më bën të ndihem krenare…”.
“Tashmë po bëj reklamimin e punimeve dhe faqes time “Creativity zone by Stela” në të gjithë Shqipërinë dhe më pas do punoj për hapjen e një shoë roomi në Shkodër ku nuk do të ketë vetëm punimet e mia por të të gjithë artizanëve të Shkodrës dhe më gjerë. Atëherë do të jem një sipërmarrëse!”, tha Stela për pozitivi.org.
Intervistë ekskluzive me Stela Tosku për pozitivi.org:
Pozitivi: Së fundmi identifikoheni si sipërmarrëse, si i keni ngjitur shkallët për të arritur këtu ku jeni sot?
Stela: Sipërmarrëse më duket fjalë e madhe…jam e vetëpunësuar. Për të arritur deri këtu më është dashur shumë përkushtim dhe dashuri për punën që bëj, mund të them me plot gojë që punimet e mia janë të punuara me dashuri (made with love).
Pozitivi: Keni pasur pengesa? Nëse po, cilat kanë qenë dhe si i keni përballuar?
Stela: Pengesat janë të shumta dhe të përhershme në një biznes apo në perfundimin me sukses të një porosie apo një punimi të veçantë apo unikal sepse shumë punime të mijat janë një dhe s’ka të tjerë, por pengesat e vërteta janë në gjetjen e lëndës së parë p.sh gurë në formën e duhur degëza pemesh, ngjitësa të ndryshëm për materiale të ndryshme e të tjera… por Shkodra është e bekuar nga ana gjeografike dhe nga artizan të ndryshëm të cilët punojnë dhe ndërtojnë bashkë me mua punimet e veçanta të cilat unë vendos t’i realizoj.
Pozitivi: Si njihet Stela përpara se të bëhej “business women”?
Stela: Stela është e martuar ka një djalë 14 vjecar. Është diplomuar në vitin 2003 në degën bio-kimi dhe ka punuar për shumë vite në shumë shkolla të ndryshme si mësuese pastaj u caktua në një post definitiv në Drejtorinë Rajonale Tatimore Shkodër ku për këtë arsye filloi të arsimohej me një fakultet të dytë në degën ekonomi-financë por fatkeqesisht siç ndodh rëndom në Shqipëri me hoqën nga puna duke më lënë pa asnjë ide se me çfarë mund të merresha tashmë.
Pozitivi: Më përshkruaj një ditë tënden në punë, si fillon dhe mbaron?
Stela: Unë punoj në ambjentet e shtëpisë dhe në fakt kjo është pjesa më e bukur sepse me pak shpenzime dhe duke qëndruar gjatë gjithë kohës afër familjes time unë kam ndërtuar një biznes.
Pozitivi: Ju jeni ndër artizanët e rrallë që bëni piktura në qeramikë, në gurë dhe në tjegull, nga u frymëzuat, pra si ju ka lindur ky pasion?
Stela: Fjala artizane më bën të ndihem krenare… unë kam më pak se dy vite e anëtarësuar në shoqatën e artizanëve me të madhe në Shqiperi e cila është shoqata e artizanëve të Shkodrës dhe tashmë jam edhe anëtare e bordit të saj. Kjo është rruga ime të cilën unë ndoshta e zbulova, ndoshta me vonesë ose ndoshta në momentin e duhur sepse shikoj që shumë nga eksperiencat e punës të mëparshme më hyjne në punë. Dëshira për të pasur një shtëpi të bukur në çdo detaj më bëri të ndërtoj objekte të ndryshme dhe të gjeja rrugën time.
Pozitivi: Sa vite ka që merreni me këtë punë?
Stela: Ka më shumë se 10 vite që unë realizoj në kohën e lirë objekte të ndryshme për ambjentet e shtëpise apo për dhurata por që merrem intensivisht ka vetem 2 vite.
Pozitivi: Cilat ishin motivet që iu shtynë në ketë drejtim?
Stela: Motivi i parë ishte sepse unë kisha identifikuar disa punime të ndryshme me materiale të ndryshme të cilat nuk ndodheshin në tregun shqiptar dhe motivi tjetër ishte se unë kisha shumë kohë të lirë pasi me hoqën nga puna.
Pozitivi: Çfarë i këshilloni një sipërmarrësi të ri sot, që ka një talent në një fushë të caktuar?
Stela: Sipërmarrësit e rinj duhet se s’bën të marrin pjesë në panaire të ndryshme në mënyrë që të testojnë dhe reklamojnë punimet e tyre!
Pozitivi: Keni konkuruar në programin “Do You Have an Idea” dhe keni qenë fituese e një çmimi. Si ishte gara dhe çfarë emocionesh përjetuat kur u shpallët fituese?
Stela: Emisioni “Do you have an idea” është një produksion i madh që i duhet se s’bën vendeve në zhvillim. Producentet, stafi dhe juria janë një kombinim perfekt për të bërë ëndrrën tuaj realitet. Mua personalisht akoma s’më besohet që i kam fondet e duhura për të ndertuar gjithçka që kisha ëndërruar!
Pozitivi: Cilat janë planet tuaja për të ardhmen?
Stela: Në këto momente po punoj fort bashkë me 3 punëtore për realizimin e 1000 tjegullave porosi të bëra nga z.Avni Ponari drejtor i përgjithshëm i “Sigal Uniqa Group Austria” porosi e bërë në emisionin “Do you have an idea”. Po bëj reklamimin e punimeve dhe faqes time “Creativity zone by Stela” në të gjithë Shqipërinë dhe më pas do punoj për hapjen e një shoë roomi në Shkodër ku nuk do të ketë vetëm punimet e mia por të të gjithë artizanëve të Shkodrës dhe më gjerë.
Atëherë do të jem një sipërmarrëse!
Nga Beklie Koltraka

© 2017 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.
