Nga kamarier në pronar restorantesh, shqiptari hap dyert për bashkëkombasit në New York
Restorantet e Alban Prelvukaj janë në top listën e Nju Jorkut. Për të kanë shkruar media të rëndësishme ndërkombëtare dhe të “ New York Times”, “Forbes”.
Në Amerikë shkoi në moshën 17 vjeçare, rreth 17 vite më parë ndërsa sot është një sipërmarrës mjaft i zoti, një nga shqiptarët më të suksesshëm. “Benjamin Stake House” rrjet i krijuar nga shqiptari është klasifikuar si një nga restorantet më të mira të New York.
Gjatë një rrëfimi për “Pasdite në Top Channel” Prelvukaj tregon ëndrrën amerikane të gjithë shqiptarëve e cila tashmë për të e bërë realitet. “Sot kam 4 restorante në Nju Jork dhe në Tokio hapa të pestin në korrik të këtij viti. Jam shqiptari i parë me restorant në Japoni. Është shumë i suksesshëm deri tani. Nuk e kam pasur ëndërr Amerikën, por kur nisi lufta në Kosovë dhe gjendja ekonomike u vështirësua, vendosëm që të largoheshim. 300 punëtorë i kam shqiptarë nga 550 në total.
Unë jam shumë i lidhur me komunitetin shqiptar, pasi dua që t’ia hap derën të rinjve, në mënyrë që të vazhdojnë jetën në Nju Jork. Babain e kam humbur që ditën që kam lindur, në aksident, dëshira e tij ka qenë të bënte një festë që kisha lindur unë, duke u kthyer në Pejë autobusi ka rrëshqitur në borë se ka qenë koha shumë e keqe dhe fatkeqësisht nuk ka mundur të shpëtojë. Emrin Alban e kam trashëgim nga babai”, tregon Alban Prelvukaj.
© 2017, Pozitivi. All rights reserved.
