Nga getoja në Gucci, ironia e artë e Hip Hopit
Nga Mahir Elshani
Mesazhe të ashpra dhe të fuqishme, por me referenca melodike; djem dhe vajza nga rruga, “të rrezikshëm”, të vendosur për të thënë diçka; dhe një ritëm që vë në lëvizje çdo trup njeriu. Afërsisht, kjo mjafton për të përshkruar një grup apo peformues të mirë Hip Hop — një lëvizje kulturore që arriti popullaritet të gjerë në vitet 1980 dhe 1990. Por, gjërat janë më të thella se kaq.
Hip-hop-i përfshin repimin dhe këto dy terma përdoren shpesh si sinonime, por në të vërtetë Hip Hop përfaqëson një nënkulturë të tërë. Në muzikë, ai ka sjellë risi si: turntablism, scratching, beatboxing, rap dhe pjesë instrumentale jokonvencionale. Shkëmbimi kulturor ka qenë gjithmonë qëllimi qendror i këtij zhanri në mbarë botën.
Nuk mund të përcaktohet saktësisht se kur lindi Hip Hop, por dihet me siguri se ku lindi. Në përgjithësi, ai filloi të përhapej nga gjysma e dytë e viteve ’70, në jug të lagjes Bronx në Nju Jork, dhe në thelb përfaqësonte një mënyrë të re shprehjeje për komunitetin zezak vendas. Në fillim të viteve 1970, Bronksi po kalonte një krizë financiare, e cila bëri që shumica e banorëve të largoheshin nga distrikti. Vetëm njerëzit më të varfër, në margjinat e shoqërisë, mbetën në blloqet e rrënuara dhe të braktisura. Këta ishin kryesisht afrikano-amerikanë dhe portorikanë. Rrugët e Bronksit u shndërruan në një vatër bandash, prostitucioni dhe dhune.
Si rezultat i migrimit të banorëve nga Karaibet, trendet muzikore xhamajkane filluan të depërtonin në lagjet afrikano-amerikane të Nju Jorkut. Kjo përfshinte veçanërisht nënkulturën e sistemeve të zërit të DJ-ve. Mënyra xhamajkane e të bërit DJ konsistonte në përzierjen e këngëve të ndryshme në disqe, eksperimentimin me riprodhimin dhe inkurajimin e dëgjuesve për të vallëzuar ose për të përsëritur slogane.
Që në fillim (dhe ende sot), karakteristika kryesore e Hip Hop ishte shqiptimi i shpejtë i fjalëve dhe fjalive – në thelb, një lloj recitimi – mbi një sfond të ngadaltë instrumental të zhanreve rhythm and blues ose funk.
Ky sfond krijohej me ndihmën e gramafonëve (zakonisht të markës Technics) dhe pultit të miksimit, ndërsa në vitet ’80 u shtuan edhe pajisje si sekuencerët dhe samplerët (më së shumti të markës Akai).
Sekuencimin manual të këtyre incizimeve, me gjasë, e “zbuloi” xhamajkani i Nju Jorkut, Kool Herc. Gjatë festave shtëpiake në gjysmën e parë të viteve ’70, ai zhvilloi të ashtuquajturin break-beat DJ-ing, duke nxjerrë dhe izoluar ritme nga disqet – sidomos nga këngët funk – dhe duke i luajtur këto pjesë për valltarët entuziastë.
DJ Kool Herc, ishte një xhamajkian, i cili u zhvendos në Bronks me familjen e tij. Më 11 gusht 1973, ai demonstroi stilin e tij të veçantë të të bërit DJ para një audience lokale, duke shkaktuar një valë të pakontrollueshme entuziazmi që i dha jetë hip hopit.
Muzika që luhej dhe sampullohej (shtresohej) për të shoqëruar performancat rap ishte zakonisht e huazuar. Mbreti i soulit dhe funkut, James Brown, madje nisi një proces gjyqësor kundër krijuesve të sfondit muzikor të rapit për të drejtat e autorit, të cilin në fund e fitoi. Ndër artistët e tjerë që u “përdorën” për rap mund të përmendim të paktën George Clinton-in apo Kraftwerk, si dhe drejtime muzikore si dub-i, souli i lëmuar (sidomos ai nga Detroiti) apo rock-u futuristik gjerman.
Këngët krijoheshin përmes një procesi të quajtur “looping”, që do të thotë se nga një pjesë e shkurtër e sampulluar, e shoqëruar me një ritëm tipik hip hop, krijohej një lak që luhej vazhdimisht. Dhe mbi të flitej ose rapohej. Me vetë vinilet eksperimentoheshin shpesh – me manipulime të zgjuara të disqeve arriheshin efekte interesante zanore. Mund të luheshin për shembull mbrapsht ose të ndaleshin ritmikisht, çka përbën teknikën që sot njihet si scratching. Kjo teknikë u bë gradualisht truku më i përdorur i DJ-ve. I gjithë ky repertor trukesh DJ-ësh quhej turntablism.
Pjesa më e varfër e të rinjve artistë me ngjyrë ishte e detyruar të përdorte të ashtuquajturin human beatbox, që në thelb është krijimi i sfondit muzikor me gojë. Rrahjet ritmike dhe të thella krijoheshin thjesht me buzë dhe gojë, dhe shpesh ishte e habitshme çfarë tingujsh mund të prodhoheshin në këtë mënyrë. Beatbox-erët në njëfarë mënyre vazhduan traditën e këngëtarëve të varfër zezakë të viteve ’50 dhe ’60, të cilët këndonin në rrugë me stilin “doo-wop”, pra imitimin e instrumenteve muzikore me zë.
Të folurit ritmik është një praktikë e lashtë, e kodifikuar për herë të parë nga grekët. Fjala Hip Hop është, përdorur për një sëri vallëzimesh qysh nga fundi i shekullit 17 për herë të parë në novelën “Rehersal” nga poeti anglez George Villers. Një variant i tjetër i “hip hop” ishte “hippity hop”, i cili ishte në përdorim të gjerë që nga shekulli 19. Në një poemë nga viti 1882 katër fëmijë këndojnë, “Hippity hop to the candy shop!” Ishte një refren i zakonshëm në lojërat me vallëzim. Nga shekulli 18-të, “hop” filloi të përdorej në mënyrë të ndërsjellë me “dance” si emër dhe si folje.
Rrënjët e repit në muzikën afrikano-amerikane gjurmohen lehtësisht te griotët në kulturën afrikano-perëndimore. Në muzikën perëndimore të shekullit 20 kjo ishte një praktikë e përdorur gjerësisht në gjithçka, nga predikimet në kishat e shteteve jugore të Amerikës — ku mes lutjeve, priftërinjtë predikonin me muzikë — deri te Talkin’ Blues.
E gjithë kjo histori tregon se rruga ka qenë e gjatë, deri sa Hip Hop-i mbërriti fillimisht në rrugë, e më pas nga rruga në studiot muzikore.
Gjurmët muzikore të rap-it gjenden kudo në muzikë – në fuzionin e toast-it xhamajkan, që ishte recitim mbi një instrumental apo dub të ndonjë kënge reggae, me funk-un njujorkez dhe gjithashtu në traditën e poezisë së recituar mbi bazë jazz-i. Por funk-u ishte më i përshtatshëm – reperët e kanë përdorur gjerësisht nëpër sample-e, për të mos përmendur faktin që kënga “Dr. Funkenstein” e grupit Parliament të Clinton-it konsiderohet nga shumë vetë si kënga e parë rap ndonjëherë (edhe pse Evropa kontinentale polemizon dhe përmend këngëtarin italian Adriano Celentano dhe singëll-in e tij nga viti 1972 me titullin e çuditshëm “Prisencolinensinainciusol” ku ai këndon fjalë të pakuptimta që tingëllojnë si anglishte amerikane.
Edhe në këngën e Jimmy Hendrixit “Crosstown Traffic” gjenden elemente të rap-it, ashtu si edhe në “Give Peace a Chance”, ku John Lennon bërtet në mënyrë (jo)ritmike në strofa të shkurtra. Mund të përmendim gjithashtu edhe Bob Dylan-in me “rapimin” ose “toastimin”- (stil i recitimi me origjinë prap nga Jamajka) e tij në Subterranean “Homesick Blues” – një këngë që, me shumë mundësi, është frymëzuar nga e ashtuquajtura talking blues, domethënë recitim mbi një sfond blues-i.
Muhammad Ali, legjenda e boksit botëror, i dha famë gjithashtu hip-hop-it të hershëm. Në vitin 1963, ai realizoi albumin “I’m the Greatest”. Ky album ndihmoi në krijimin e reputacionit të Aliut si një “folës pallavrash” me elokuencë poetike.
Ai është identifikuar gjithashtu si një shembull i hershëm i muzikës hip-hop. Fjalët e Aliut patën një ndikim të madh në këtë zhanër muzikor. Aliu njihej si një “mashtrues që rimonte”, për shkak të interpretimit të tij të çuditshëm, mburrjeve karakteristike, bisedave të pahijshme dhe frazave të paharrueshme. Shumë prej monologëve të tij ishin improvizime freestyle, të cilat më vonë do të bëheshin një aftësi thelbësore për reperët e hip-hop-it të hershëm.
Vetë fjala rap ka disa kuptime në anglishten amerikane, por është mjaft domethënëse që, në thelb, ka dy fusha kuptimi: të folurit dhe problemet me ligjin. Rap mund të nënkuptojë pallavra, biseda, debate, kritika, por është gjithashtu një term zhargon për vrasje, arrestim, akuzë ose ndëshkim. Termi rap është gjithashtu një shkurtim për R.A.P., që qëndron për Rhythmic American Poetry. Nga pikëpamja kulturore dhe sociologjike, repi ishte gjuha e shtresave të varfra të komunitetit afro-amerikan dhe u bë një nga pjesët e një spektri të gjerë aktivitetesh artistike, të cilat sot konsiderohen si pjesë e kulturës hip-hop. Në këto aktivitete, pa asnjë dyshim, përfshihet edhe shprehja vizuale, e ashtuquajtura grafiti, ose “pikturë” me spraj mbi gjithçka që metropoli mund t’i ofrojë artistit – ndërtesa, mure betoni, gardhe metalike, trena të metrosë.
Me kulturën hip-hop ishte (dhe është) e lidhur edhe vallëzimi i egër, rrugor dhe aspak i sigurt, i quajtur break dance, i cili nuk përdor vetëm këmbët për kontaktin fizik me tokën, por edhe pjesë të tjera të trupit, përfshirë kokën. Në fakt, është një aktivitet shumë i vështirë, sportiv dhe gjimnastikor. Që një valltar i mundshëm të mund të kërcejë break dance kudo dhe në çdo kohë, i duhej një magnetofon i madh portativ me kaseta, i ashtuquajturi ghettoblaster, me inçizime të përshtatshme. Magnetofoni i madh u bë, gjatë viteve ’80, pothuajse një nga simbolet e kulturës hip-hop.
Stili solli gjithashtu elementë tipikë të dizajnit dhe veshjes. E para ishte veshja sportive: xhaketa kamoshi të zeza dhe të bardha, pantallona sportive dhe atlete. Më vonë, hip-hopistët filluan të vishnin pantallona të gjera (xhinse ose kanavacë) me një ije të ulët. Ata alternuan atletet Adidas (më vonë Nike) me çizme punëtorësh nga marka Timberland, që paralajmëruan epokën e ashtuquajturës veshje pune ose modë proletare. Elemente të njohura ishin gjithashtu kapelat e bejsbollit dhe zinxhirët masivë me logo makinash — kryesisht përsëri të markave gjermane, si Mercedes apo Volkswagen. Tifozët e hip-hopit quheshin “B-boys”, ndërsa homologët e tyre femra “Flygirls”.
Tekstet e repit ishin shumë specifike, kryesisht merreshin me marrëdhëniet brenda nënkulturës hip-hop, duke lavdëruar tiparet e saj. Ato ishin shumë të lidhura me festat, seksin (machismo), si dhe me drogën. Shpesh kritikoheshin shumë hapur aparati i pushtetit me komponentët e tij represiv. Më vonë, tekstet u mbushën drejtpërdrejt me tema më militante, “Gangsta Rap” (rap gangster).
Ndoshta “poeti” më i mirë i periudhës së parë të repit ishte adoleshenti Grandmaster Caz në fund të viteve shtatëdhjetë, veçanërisht në lidhje me grupin The Cold Crush Brothers. Fatkeqësisht, nuk ka inçizime nga ajo kohë. Problemi i këtij dhe grupeve të tjera të ngjashme nga Bronksi ishte se ajo që i interesonte më shumë ishte performanca, festat, dhe ata refuzuan të bënin ndonjë incizim zanor në një album – pasi nuk do të ishte më underground. Jo se dikush donte që ata ta bënin. Por, në momentin që repi depërtoi nga Bronksi në Manhattanin “e bardhë”, pati një interes për incizimet e repit dhe ishte e qartë se kushdo që do të publikonte këngën e parë rep do të bëhej yll. Dhe GM Caz nuk u bë një i tillë dhe u habit kur zbuloi se edhe ata që u bënë yje kishin disa nga sloganet e tij në tekstet e tyre.
Në kthesën e viteve 1970 dhe 1980, depërtimi i DJ-ve dhe reperëve nga Bronksi në Manhatanin e bardhë solli përhapjen e hip-hopit mes të rinjve të bardhë, të apasionuar pas zhanreve si new wave dhe punk. Për shembull, Debbie Harry nga grupi Blondie interpretoi këngën “The Rapture” me elemente rap— e para në SHBA në të cilën një artiste e bardhë repoi, video klipi ikonik i Blondie konsiderohet si i pari i zhanrit Rap i emituar në MTV më 31 Janar 1981. Ky ishte një nga momentet kyçe kur repi mori hov të madh në arenën botërore.
Më vonë po atë vitë kur grupi The Funky Four + 1 More performoi break dance në shfaqjen televizive Saturday Night Live, filloi të rritej interesi për kulturën hip-hop. Më pas, në vitin 1986, u publikua inçizimi dhe videoklipi i përbashkët i grupit hard rock Aerosmith dhe grupit rap nga New York-u, Run-D.M.C., me këngën “Walk This Way”, e cila e bëri repin jashtëzakonisht të popullarizuar në mbarë botën.
Në atë kohë, grupet e këtij zhanri filluan gradualisht të shfaqeshin edhe jashtë Shteteve të Bashkuara, në vende si Britania e Madhe, Hollanda, Meksika, Franca, Gjermania dhe Japonia – duke u quajtur shpesh “rep i huaj”. Një tjetër pikë kthese ishte publikimi i albumit të Beastie Boys, “Licensed to Ill”, i cili dëshmoi se repi i fuqishëm dhe i mprehtë mund të realizohej edhe nga artistë të bardhë. Beastie Boys ishte grupi më provokues i New Yorkut, që përziente hip-hopin me hard rock-un e viteve 1970. Tingulli i tyre u ndikua gjithashtu nga Rubin dhe Simmons, producentë dhe bashkëthemelues të Def Jam Recordings, shtëpi diskografike e njohur për hip-hop, të cilët e përsosën idenë për të kombinuar big beat-in e fortë me repin, ashtu siç bënë me Run-D.M.C.
Trioja Beastie Boys ishte fillimisht një grup hardcore punk. Më vonë, të gjithë filluan ta pëlqenin hip-hopin dhe të luanin me elektronikë. Kur ata u morën në dorë nga dy producentë progresivë, mësuan të dëgjonin gjithë spektrin e rokut, gjë që është e dukshme në singlin e tyre të parë, “Rock Hard” (1985), dhe veçanërisht në albumin e tyre të shkëlqyer debutues, Licensed to Ill (1986), i cili u bë një nga albumet më të rëndësishme të viteve ’80 dhe, ndër të tjera, stimuloi shfaqjen e crossover-it (që arrin me sukses audiencat jashtë bazës tradicionale të fansave të hip-hopit), shpesh duke përzier elementë të zhanreve të tjera. Ai përmban këngë të mëdha si “Fight For Your Right”, “No Sleep Till Brooklyn”, “Rhymin’ & Stealin’”, “The New Style”, “Slow and Low”, “Girls” dhe është plot me rifë, truke dhe ide të vjedhura bukur (mostra nga AC/DC dhe Led Zeppelin). Revista Rolling Stone doli me titullin e famshëm: “Tre idiotë krijojnë një kryevepër”.
Pika përfundimtare e kthesës ishte presioni i suksesshëm mbi industrinë e muzikës për të krijuar një kategori të re në çmimet Grammy për artistët e repit – gjë që ndodhi në vitin 1988.
Megjithatë, kontributin më të madh në popullaritetin e repit e dha MTV, e cila po atë vit filloi të promovonte interpretues hip-hop që deri atëherë ishin anashkaluar në valët e saj, përmes emisionit “Yo! MTV Raps”. Ky ishte një moment vendimtar për zgjerimin e hip-hopit në industrinë muzikore, sepse, në mesin e viteve ’80, stacionet radiofonike të drejtuara nga të bardhët ende refuzonin të transmetonin rep. Në vitet 1988–1990, repi u bë zhanri më i popullarizuar në MTV.
Periudha pasi hip-hopi u bë mainstream nga mesi i viteve 1980 deri në mesin e viteve 1990 konsiderohet si “epoka e artë” e tij. Kjo epokë karakterizohet nga rritja e diversitetit dhe inovacionit, si dhe nga zgjerimi i gjerë i ndikimit të hip-hopit. Revista Rolling Stone e përshkroi këtë periudhë pjellore si një epokë ku “dukej sikur çdo këngë e re e rishpikte zhanrin”.
Në tekstet e hip-hopit të epokës së artë spikasnin tema të forta të afrocentrizmit dhe militantizmit politik. Muzika ishte eksperimentale dhe semplimi bazohej në burime eklektike, shpesh me ndikim të theksuar nga xhazi.
Public Enemy, KRS-One, Boogie Down Productions, Eric B. & Rakim, Brand Nubian, De La Soul, A Tribe Called Quest, Gang Starr, Big Daddy Kane, Tupac Shakur,Digable Planets dhe Jungle Brothers, Snoopy Doggy Gog, Coolio, të gjithë këta u bënë artist me peshë të barabart me artistët e zhanreve tjera.
Albumet u shndërruan në tregues të rëndësishëm artistikë gjatë kësaj kohe. Vetëm viti 1987 solli albume të rëndësishme si Criminal Minded i Boogie Down Productions, Yo! Bum Rush the Show i Public Enemy dhe Paid in Full i Eric B. & Rakim. Albumi si deklaratë artistike e qëndrueshme u bë një nga matësit kryesorë të vlerësimit brenda zhanrit.
Vlerat artistike që sollën artistët si Outcast, Missy Eliot, Arested Development, dhe shumë të tjerë i dhanë një lloj pavdekshmërie zhanrit.
Në fillim të viteve 1990, komercializmi i bardhë filloi të shfaqej në rap, por muzikalisht disa kategori ishte më i dobët. Njëri prej tyre ishte aktori Marky Mark (i njohur edhe si Mark Wahlberg) nga Bostoni, një idhull i adoleshentëve dhe një subjekt i shpeshtë i revistave që u drejtoheshin atyre. Me grupin The Funky Bunch, ai regjistroi albumin “Music for the People” (1991), me hitet “Good Vibrations” – me Loleatta Holloway, “Wildside”, si dhe këngë të tjera si “Bout Time I Funk You” dhe “I Need Money”, që përfaqësonin një lloj hip-hopi disko.
Në mënyrë të ngjashme – ose më saktë, muzikalisht edhe më dobët – ishte Vanilla Ice (emri i vërtetë Robert M. Van Winkle) nga Majami. Ai pati sukses me hitin “Ice Ice Baby”, që përdorte një rif të marrë nga kënga “Under Pressure” e grupit Queen. Kënga u përfshi në albumin “To the Extreme” (1990), i cili përfshinte edhe hite të tjera si “Play That Funky Music” – me një rif nga Wild Cherry – dhe këngë si “Stop That Train” dhe “Ice Is Workin’ It”. Për fat të mirë ky devijim i Hip Hopit nuk zgjati shumë.
Por, kishte edhe hip-hop të mirëfilltë nga komuniteti i bardhë: trioja nga Nju Jorku, House of Pain, e krijuar nga dy irlandezë dhe një letonez ishte i tillë. Grupi drejtohej nga vokalisti dhe reperi me zë të thellë, Everlast (emri i vërtetë: Erik F. Schrody), të cilit më pas iu bashkuan Daniel “Danny Boy” O’Connor (rap) dhe turntablisti Leors Dimants, i njohur me nofkën DJ Lethal. Trioja debutoi me sukses me albumin “House of Pain” (1992)ndërsa përfundoi bashkëpunimin në vitin 1996, pas albumit “Truth Crushed to Earth Shall Rise Again”.
Në Nju Jork vepronte edhe një grup hip-hop me prejardhje gjysmë irlandeze dhe gjysmë italiane: Lordz of Brooklyn, me një stil që kujtonte disi Beastie Boys. Ata udhëhiqeshin nga reperët Scotty Edge dhe vëllezërit Adam McLeer, i njohur si ADM, dhe Michael McLeer, i njohur si MC Kaves.
Gjatë viteve 1990, ata regjistruan vetëm një album: All in the Family. Më vonë, nën prodhimin e mikut të tyre Everlast, LOB patën një hit me këngën Gravesend / Lake of Fire, nga kolona zanore e filmit të pavarur Gravesend (1997)
Mijëvjeçari i ri e zë Rapin me artistë të vërtetë nga komuniteti i bardhë. Ngjashëm si rock’n’roll-i i zi gjysëm shekulli më herët e mori “qershinë mbi tortën ” tek Elvisi i bardhë, ashtu edhe hip hopi arriti kulmin dhe u dominua nga reperi i bardhë Eminem (emri i vërtetë: Marshall B. Mathers III). Ai lindi në Misuri, por jetoi me nënën e tij në Detroit që nga mosha e adoleshencës. Ishte një individ psikologjikisht mjaft i paqëndrueshëm (gjoja si pasojë e fëmijërisë së tij të varfër), me tekste kontroverse, plot drogë, seks dhe dhunë – veçanërisht kundër grave.
Në vitin 1995, ai regjistroi këngën e tij debutuese, tashmë pothuajse të harruar dhe të dobët, “Infinite”. Me kalimin e kohës, Eminem filloi të shoqërohej dhe të miqësohej me reperë të njohur me ngjyrë, si p.sh. Dr. Dre. “Eminemomania” filloi të përhapej dhe mori hov të plotë në vitin 1999 pas publikimit të albumit me miliona kopje të shitura “The Slim Shady” LP, me hitet “My Name Is”, “Just Don’t Give a Fuck”, “Guilty Conscience”, “Role Model”, “’97 Bonnie & Clyde”. Pas mijëvjeçarit, ai u bë reperi më i suksesshëm komercialisht i të gjitha kohërave, duke tejkaluar madje edhe Madonnën në shitjet globale.
Hip Hop-i, i cili, ngjashëm si Rock ’n’ Roll, Punk-u dhe zhanret e tjera të ngjashme që kanë dalë nga masat, ka arritur majat e krijimtarisë artistike dhe nuk mund të injorohet. Krijuesit dhe performuesit si Wyclef Jean, Lauryn Hill, The Fugees, Missy Elliott dhe shumë të tjerë janë pjesë e pandashme e kulturës botërore. Shumë prej tyre kanë filluar karrierën si performues Hip Hop dhe janë shndërruar në aktorë të famshëm, si Will Smith, Mark Wahlberg, Ice-T. Hip Hop-i, me dekada, ka depërtuar në muzikën e të gjitha zhanreve, nga veprat e muzikës klasike deri te Rock-u klasik. Madje emra të mëdhenj si Peter Gabriel, Rolling Stones apo Michael Jackson kanë përdorur raping në këngët e tyre.
Por, Hip Hop-i ka ndryshuar edhe aspekte të tjera kulturore, shoqërore dhe madje edhe ato biznesore. Hip Hop-i, në natyrën e tij demokratike (ngjashëm me punkun, nuk kërkon pothuajse asgjë), me murmuritjet për revolucionin, tutorët apo brutalitetin policor, garanton zemërimin e nënave dhe baballarëve që janë rritur me këngët e Beatles. Hip hop-i është rebel dhe komercialisht populist; si çdo pop i suksesshëm, merret gjerësisht me seksin dhe festat.
Hip-hopistët gjithmonë e kanë ditur se një slogan i mirë është më efektiv se çdo argument, qoftë ai slogan “Shot the police” (Goditni policët) apo “Come to me baby” (Eja tek unë, zemër). Prej hip hop-it Nike mësoi të mos shesë produkte, por markën. Hip hop-i shkëlqen me stilin e tij të shkëlqyer të jetesës dhe ka artistë në qendër të tij që janë në të njëjtën kohë autodidaktë të paparë në strategjitë e marketingut dhe biznesit. Ata mund të shesin çdo gjë, nga këpucët te pula e ngrirë, dhe në të njëjtën kohë të promovojnë produktet e tyre të tjera, dhe rrjedhimisht të gjithë kulturën. Me fjalë të tjera: hip hop-i ka një avantazh të pakrahasueshëm ndaj shprehjeve të tjera artistike, pasi nuk bie ndesh me shenjat e kohës moderne, materializmin e parregulluar dhe promovimin e paskrupullt.
Të kesh sukses dhe para u bë pothuajse një mantra e hip hop-it në vitet ’90, dhe lidhja me korporatat shumëkombëshe (Nike, Reebok, Adidas, Gucci, Tommy Hilfiger) gjithashtu solli sukses dhe para për artistët e repit. Lidhja e korporatave gjithëpërfshirëse dhe rebelëve ambiciozë, të etur për para, në botën e kapitalizmit lakmitar nuk mund të mos kishte dhezë edhe te masat. Hip-hopistët e zinj dhe krenarë, të mbuluar me zinxhirë ari dhe bizhuteri, i trumbetuan me zë të lartë botës se si ishin zhvilluar nga djem të getove në superyje të mëdhenj dhe se si po luftonin kundër shtypjes së të varfërve në Amerikë dhe në mbarë botën, pa tërhequr vëmendjen për faktin se ata kishin blerë suksesin e tyre nga kompanitë që i detyrojnë fansat e tyre të varfër në dyqanet e punës në Pakistan, Vietnam, Indonezi, Kinë dhe Filipine të prodhojnë të gjitha produktet e tyre për… disa dollarë. Ky është ndoshta cinizmi i vetëm që hip hop-i nuk mund të mohojë. Thuhet se Hip Hopi njëjtë si rock muzika e ka shpëtuar poezinë nga zhdukja – nëse është ashtu edhe ai cinizëm i vogël i falet./Katror.info
© 2025, Pozitivi. All rights reserved.
