Ndroqi pa kopësht, çiftet e reja detyrohen të sakrifikojnë edhe punën
Në njësinë administrative Ndroq mungon një ambient i përshatshëm për të dërguar fëmijët. Kopështi i vetëm publik që ka shërbyer që prej viteve 90’ është mbyllur që prej një vitit për shkak të kushteve të këqija në të cilat ndodhet. Pa çati, me lagështirë, shiu bie lirshëm në të katër anët e ambienteve të brendshme të kësaj godine, këto rrethana kanë bërë të pamundur ekzistencën e këtij kopështi normal.
Kopështi është një domosdoshmëri në çdo komunitet dhe mungesa e një të tilli në Ndroq ka sjellë mjaft shqetësime për çiftet e reja. Mustafa Reka, një prind i ri, tregon se për shkak se mungon një çerdhe në këtë fshat e dërgon fëmijën e tij 3 vjeçar çdo ditë në Kombinat. Si Reka ka dhe shumë prindër të tjerë që detyrohen të shpenzojnë më shumë për të çuar fëmijët në kopështin publik në Kombinat. Ndërsa ata që s’kanë mundësi janë të detyruar të lënë punën për t’i mbajtur vetë në shtëpi.
“Paguajmë 35 mijë lekë në muaj. Po të bësh një llogari më shkon gati 250 mijë lekë vetëm shërbimi i fëmijës. Sepse gati 7 mijë lekë i do makina naftë, nga Kombinati në Ndroq. Pastaj tarifa nuk është tarifë që të vret sepse fëmija aty rri 8 orë, hanë, flenë i ka të gjitha kushtet”, thotë mes të tjerash Reka.
Projekti “Pushtetari përballë Qytetarit” i realizuar nga Infinit Plusi ngriti tek pushteti vendor këtë problematikë për të cilën mesa duket do të ketë zgjidhje së shpejti. Sipas Përgjegjësit të Sektorit të Shërbimeve Mbështetëse në Ndroq, Afrim Azuni, Bashkia e Tiranës ka mundur të sigurojë një donacion nga një komunitet shqiptarësh në Itali, që do të shërbejë për të ndërtuar kopështin.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.
