BUJQËSIA, VËSHTIRËSITË & “TË MIRAT” QË SOLLI COVID
10/02/2021 Shpërndaje

BUJQËSIA, VËSHTIRËSITË & “TË MIRAT” QË SOLLI COVID

Si të gjithë sektorët e ekonomisë së vendit, edhe bujqësia u prek direkt nga kriza e pandemisë Covid-19. Por, ndryshe nga sektorë të tjerë, si turizmi, i cili ende pas një viti ka vështirësi të mëdha, bujqësia apo agrobiznesi në tërësi pati momente si të vështira ashtu edhe pozitive gjatë vitit 2020.

Kështu, sipas një studimi të realizuar nga Programi i Mbështetjes së Agrobiznesit Shqiptar, shumica e ndërmarrjeve vlerësonin se ndikimi COVID – 19 do të zgjaste deri në 1 vit. Sipas sektorëve të ekonomisë, ndërtimi, tregtia, turizmi, shërbimet dhe industria vlerësohet se ndikimi i COVID – 19 do të zgjasë deri në 1 vit, vetëm bujqësia vlerëson një ndikim deri në 6 muaj.

Situata pandemike zvogëloi aksesin në fuqi punëtore duke ulur potencialisht sasinë dhe cilësinë e mallrave dhe shërbimeve, veçanërisht shërbimeve publike. Humbjet e jetës dhe paniku mbi mundësinë e infektimeve me Covid-19, duke shtuar edhe masat e kufizimeve të vendosura nga shteti sidomos gjatë muajve të karantinës, shkaktuan një ulje të numrit të fermerëve në dispozicion të hallkave të zinxhirit të vlerës në bujqësi.

Sipas këtij studimi, me përfundimin e stinës së dimrit 2019-2020, fermerët në të gjithë Shqipërinë duhet të ishin të angazhuar  për sezonin e vjeljeve, tregtimit të prodhimeve të mbjella gjatë periudhës mars-maj dhe zbatimin në kohë të planifikimeve të mbjelljeve të reja, gjë që kërkonte një nevojë në rritje të punësimit të punëtorëve sezonal, blerjen e materialeve që lidheshin me paketimin dhe ambalazhimin e produkteve të prodhuara. Por, masat për të frenuar pandeminë COVID-19, krijuan një situatë jo të favorshme në aksesin e plotë të fuqisë punëtore, element ky që sipas studimit rezultoi në përmisim gjatë  fashës së tretë prill 2020 dhe në vazhdim.

SEKTORËT E AGROBIZNESIT

Pavarësisht periudhës së vështirë në fillimin e pandemisë, prodhuesit e perimeve në sera   dhe ata që kultivonin luleshtrydhen performuan pozitivisht nga ana financiare por, edhe me aksesin në tregjet e eksportit. Situata e Covid-19 krijoi një paqartësi të përkohëshme në grupe të ndryshme fermerësh dhe kryesisht atyre që kjo situatë i përkoi me daljen e prodhimit në treg.

Konkretisht, ata që u prekën më shumë lidheshin me investimet në perimet e fushës, blegtorët e mbarështimit të të imtave, agroturizmi  dhe turizmi rural.

Problemi i furnizimit që tejkalonte kërkesën e konsumatorit, ndikoi në fermerët e vegjël, të cilët nuk ishin në gjendje të shisnin prodhimet e tyre përmes daljeve të tyre normale, për shkak të kufizimeve të vendosura  nga bllokimi i qarkullimit gjatë karantinës. Vlen të theksohet se në fazat e para problemi i identifikuar, sipas studimit, ishte edhe transporti lokal apo ndërkombëtar për  produktet e prodhuara nga fermerët.

Mbyllja e restoranteve, shërbimeve të agro-turizmit apo turizmit rural dhe blerjet më pak  të shpeshta ushqimore zvogëluan gjithashtu kërkesën për prodhime të freskëta, duke prekur prodhuesit e vegjël dhe furnitorët lokal.

Aktivitetet e turizmit rural si bujtinat, restorantet e llojit agro-turizëm apo turizmii aventurës, u paraqitën si më të prekurit në këtë sektor, duke qenë se kjo ishte periudha me frekuentimin të lartë  nga turistë të huaj por, edhe ata lokal.

Në përfundi, studimi përfshin edhe sektorin e peshkimit, i cili ka paraqitur humbje nga mungesa e tregjeve, kryesisht rezervatet e peshkut. Periudha 2 mujore e karantinës përgjatë vitit 2020, shkaktoi një mungesë tregu      për afërsisht 500 tonë peshk rezervati, pra një vlerë financiare e pagjeneruar. Kjo shtoi koston e prodhimit për akuakulturën, si pasojë e vazhdimit të furnizmit me ushqim të rezervateve.

© 2021, Pozitivi. All rights reserved.