Miq dhe armiq, Edi Rama “shkrin akujt” me Haradinajn, rëndësia e komunikimit në politikë
Rëndësinë e komunikimit në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, e tregon më së miri politika. Një rast që e demonstron këtë janë akuzat dhe kundër-akuzat mes 2 politikanëve shqiptarë, kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj.
“Akujt” e krijuar në diskurs publik mes Ramës dhe kryetarit të AAK-së janë “shkrirë” krejtësisht dhe këtë e konfirmon takimi i fundit mes tyre ku duken shumë miqësorë me njëri tjetrin. Fotot i ka publikuar vetë kryeministri Rama në rrjete sociale, ku tregon si ka qenë takimi i parë mes tyre pas incidentit me padinë dhe mosmarrëveshjeve të së kaluarës
Nga ana tjetër, permes një postimi në “Facebook”, Haradinaj shkruan se me Ramën kanë diskutuar edhe për projektin e hekurudhës Prishtinë-Durrës, si dhe për dhënien e dyshtetësisë mes vendeve.
Haradinaj dhe Rama kanë diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë dhe siguri e politikë të jashtme, njofton Haradinaj.
“Bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme, ishin temat kryesore të takimit të sotëm me Kryeministrin Edi Rama. Bashkëbiseduam gjithashtu për projektin e Hekurudhës Prishtinë – Durrës si projekt i domosdoshëm për të dyja vendet, si dhe dhënien e dyshtetësisë për qytetarët tanë. Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shkruar ai.
Si nisi gjithçka? Njëherë miq, pastaj rivalë që përplasjet i çuan deri në ngritje padish. Pastaj prapë miq. Kjo është historia e Edi Ramës dhe Ramush Haradinajt, me një seri përplasjesh, deri në akuza për tradhti ndaj kombit.
Rama dhe Haradinaj janë dy profile të ndryshme. Njëri vinte nga bota e artit, tetri me të kaluar ushtarake. Haradinaj drejtimin e qeverisë e nisi me raporte të mira me drejtuesit në Shqipëri, e veçanërisht me Ramën. Ishin parë disa herë në takime joformale, nëpër mjedise shtëpish. Krisja ndodhur kur iu kërkua që të hiqte tarifën e 100 për qindtë produkteve të Serbisë. Sipas Haradinajt Rama nuk iu gjend pranë por ishte me palën tjetër.
Përplasjet mes Haradinajt dhe Ramës u kurorëzuan me një padi që kryeministri i Shqipërisë. Rama e akuzonte Haradinajn se i ka lënë kosovarët pa heqje të vizave, duke thënë se ka qenë dëshmitar i sjelljeve të kryeministrit kosovar ndaj Macronit e Merkelit në Samitin e Berlinit në 2019-ën.Rama me një postim në Facebook, thoshte se po flitej me Amerikën, Gjermaninë e Francën “duke ia treguar arat”.
“…e bëj këtë pyetje, sepse e kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”, pati shkruar Rama gjatë vitit të kaluar.
“Jam detyruar ta mbroj tokën time nga vëllai im Edi Rama”, thoshte Haradinaj si përgjigje.
Situata shkoi edhe më tej. Rama e paditi ish kryeministrin e Kosovës për “shpifje”. Në padi pretendonte se Haradinaj ka shpifur ndaj Ramës për deklaratat e tij në lidhje me temën e shkëmbimit të territoreve. Në këtë padi përmendeshin disa emisione të transmetuara në të cilat Haradinaj ka folur për këtë temë dhe e ka akuzuar Ramën, që së bashku me Hashim Thaçin dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, kanë nisur idenë e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Haradinaj nga ana e tij, shkroi se është në dijeni të raportimeve për padinë e kryeministrit Rama dhe do të përgatiste një përgjigje në padi. “Unë, sipas ligjit, do të përgatis përgjigje në padi, në afatet e përcaktuara ligjore. Padia e Kryeministrit Rama është plotësisht e pabazuar dhe një diversion politik që bëhet nga ana e tij, që të fshihet pas dramave mediale dhe t’i ikë përgjegjësisë. Kombi ynë dhe Kosova ka njerëz që i dalin zot në çdo kohë”, shkroi Ramush Haradinaj.
Megjithatë më vonë Rama në një komunikatë për mediat në Kosovë, deklaroi se do ta tërheqë padinë për shpifje të bërë ndaj Haradinajt.
“Ramushit kam kërkuar takim si të gjithë në selinë e tij apo në shtëpinë e tij. Shpifja ishte mbi mua, mbi Ramushin, mbi të gjithë. Do ta tërheqë padinë. Do ta tërheq padinë jo se është e vogël për mua, por është shumë e madhe ajo që sot na bashkon të gjithë. Nuk e di çfarë raporti lind mes nesh pas tërheqjes së padisë. Me shpifje apo pa shpifje, Ramush Haradinaj nuk është kryeministri, politikani, është figurë e rëndësishme politike”, tha Rama atëherë.
Në fund të po të njëjtit vit, Haradinaj thoshte se më s’ka pasur komunikim me Ramën prej përplasjeve dhe tregonte versionin e vet për ndarjen e udhëve të dy kryeministrave.
“Kjo ka ardhur për shkak se unë kam qenë i detyruar me mbajt qëndrime të drejta në mbroje të interesin nacional mbarëshqiptar, por edhe në mbrojtje të interesit të Kosovës sepse Kosova është Shqipëri në fund të fundit”, deklaroi Haradinaj. Por, së fundmi, komunikimi mes tyre është rikthyer, duke na dhënë edhe mesazhin se përmes komunikimit mund të ketë fund të lumtur
© 2022, Pozitivi. All rights reserved.
