Michael Jackson, zëri që ndryshoi botën dhe u hesht papritur
08/12/2025 Shpërndaje

Michael Jackson, zëri që ndryshoi botën dhe u hesht papritur

Nga Mahir Elshani

Nuk janë të rralla familjet ku të gjithë anëtarët, shpesh edhe përtej gjeneratave, janë talente muzikore që lënë pas një trashëgimi me përmasa globale – një trashëgimi që shkon përtej muzikës dhe ndikon në normat kulturore e shoqërore. Një nga këto familje është familja Jackson.

Por, nuk ishte vetëm talenti që i ndihmoi ata të krijonin kaq shumë, kaq mirë dhe për kaq gjatë. Ishte edhe dora e hekurt e babait të tyre, Joseph Walter Jackson, i cili nuk ngurroi të ushtronte edhe dhunë ndaj fëmijëve të tij me qëllim që ata të bëheshin të suksesshëm.

Joseph Walter Jackson dikur kishte ëndrrat e tij për sukses. Fillimisht provoi të bëhej boksier, e më pas luajti kitarë me një grup të quajtur The Falcons. Por, e kuptoi shpejt se ai kishte më shumë dëshirë sesa talent – ndërkohë që fëmijët e tij zotëronin një mori talentesh muzikore, veçanërisht njëri djalë i vogël me sy të ndritshëm, i quajtur Michael.

Joe Jackson e kanalizoi ambicien e vet përmes tyre, duke krijuar një nga grupet më të mëdha vokale pop – The Jackson 5 – dhe duke nisur karrierën e një prej legjendave më të mëdha të muzikës pop, Michael Jackson, si dhe të një tjetër superylli të talentuar, vajzës së tij, Janet.

Megjithatë, trashëgimia e Joe Jackson nuk përfshin vetëm udhëheqjen briliante të fëmijëve të tij drejt një dinastie të artit dhe argëtimit, por edhe grushtin e hekurt me të cilin e arriti këtë — një qasje që, në kohë më të vona, do të karakterizohej si dhunë dhe abuzim ndaj fëmijëve. Fëmijët e tij e quanin “Joseph” – nuk u lejohej ta thërrisnin me terma atërorë.

Në fillim të viteve 1960, Joe Jackson nisi të orientojë djemtë e tij drejt muzikës, pasi ata kishin filluar të luanin me instrumentet e tij muzikore ndërsa ai ishte në punë.

Më 21 nëntor 1967, The Jackson 5 nënshkruan kontratën e tyre të parë diskografike me Steeltown Records në Gary, Indiana. Kënga e parë e grupit, “Big Boy”, me Michaelin vetëm 8-vjeçar si këngëtar kryesor, u publikua nga Steeltown më 31 janar 1968. Brenda të njëjtit vit, Jackson ndihmoi djemtë e tij të merrnin pjesë në një audicion për Motown Records.

Në janar të vitit 1970, “I Want You Back” u bë kënga e parë e Jackson 5 që arriti vendin e parë në Billboard Hot 100 në Shtetet e Bashkuara, ku qëndroi për katër javë. Edhe tre këngë të tjera të grupit nën shtëpinë diskografike Motown kryesuan këtë listë: “ABC”, “The Love You Save” dhe “I’ll Be There”.

Në maj të vitit 1971, familja Jackson u zhvendos në Encino, Kaliforni. Gjatë kësaj periudhe, Michael u zhvillua nga një interpretues fëmijë në një idhull adoleshentësh. Midis viteve 1972 dhe 1975, ai publikoi katër albume solo në studio me Motown-in: Got to Be There (1972), Ben (1972), Music & Me (1973) dhe Forever, Michael (1975).

“Got to Be There” dhe “Ben”, këngët titullare nga dy albumet e tij të para solo, patën shitje të mira si single, ashtu si edhe versioni i këngës “Rockin’ Robin” nga Bobby Day.

Michael mbajti lidhje të ngushta me Jackson 5. Grupi u përshkrua më vonë si “një shembull i përparuar i artistëve të zinj amerikanë”.  Performanca e Michael Jackson-it të këngës “Dancing Machine” në emisionin Soul Train e bëri të njohur vallëzimin robotik, i cili u popullarizua gjatë viteve ’70 dhe theu rregullat e vallëzimit tradicional në muzikën pop. Nga ky inspirim, më vonë lindën stile të reja si street dance, rap, moonwalker e të tjera.

Në vitin 1969, një vit pas vrasjes së Martin Luther King Jr., ndodhi një periudhë kur lëvizjet për fuqizimin e afrikano-amerikanëve dhe ajo për të drejtat civile po shpërbëheshin. Pas publikimit të Raportit (famëkeq) Moynihan nga administrata e Lyndon B. Johnson, i cili i përshkruante familjet afrikano-amerikane si të shpërbërë dhe disfunksionale shkaku i trashëgëmisë skllave, Motown dhe familja Jackson i ofruan Amerikës dhe botës një besim të ripërtërirë në ëndrrën amerikane, duke paraqitur një imazh të idealizuar të lumturisë familjare.

The Jackson 5 luajti një rol të rëndësishëm në kulturën afrikano-amerikane duke ngritur frymën afrikano-amerikane kudo. Familja Jackson prezantoi për Amerikën dhe botën një imazh të ri, pozitiv, dhe ndryshuan perceptimin e familjes afrikano-amerikane në mbarë botën. Vëllezërit u bënë emra të njohur dhe të dashur si për publikun e zi, ashtu edhe për atë të bardhë, duke thyer kështu barrierat racore. Në shtator të vitit 1971, seriali televiziv Jackson 5ive u transmetua si pjesë e programit të animuar të së shtunës në mëngjes në ABC. Regjisori i animacionit, Bob Balser, këmbënguli që seriali të mos përfshinte dhunë. Ky serial ishte një nga përfaqësimet e para të animuara që paraqisnin një familje me ngjyrë, pa humor banal dhe stereotipe për afroamerikanët.

Në serial, Jackson 5 zgjidhnin problemet e tyre përmes muzikës dhe intelektit, duke shërbyer si modele për familjet dhe fëmijët. Ishte një periudhë kur interpretuesit afroamerikanë fitonin vetëbesim të madh në fuqinë kreative dhe sociale në Amerikë.

Por, fitorja më e madhe ishte se ata bindën edhe botën jashtë Amerikës. Në Evropë dhe gjetkë dolën performues dhe krijues që imitonin Jackson 5 dhe të tjerët. Soul, Blues dhe i ashtuquajturi “Pop i zi” i Jackson 5 u bënë rrjedha kryesore muzikore në shumë vende gjatë viteve 1970. Por ky ishte vetëm fillimi për të riun Michael Jackson, dhe bota ende nuk kishte ide se çfarë do të vinte më vonë.

Michael Jackson shumë shpejt do të ripërcaktonte trendet dhe rregullat në botën e muzikës moderne, dhe jo vetëm kaq, ai do të kurorëzohej si Mbret i Popit dhe do të bëhej një nga figurat më të rëndësishme kulturore të shekullit të 20-të. Pa marrë parasysh shtetin, kombësinë, gjuhën, racën apo fenë, ai do të ishte figura më e dashur kudo nga bota e argëtimit. Gjatë katër dekadave të arritjeve të tij muzikore, Michael Jackson do të thyente të gjitha barrierat racore në Amerikë dhe do të bëhej një figurë dominuese në botën muzikore në mbarë globin. Fama e tij do të krahasohej vetëm me atë të personazheve si Elvis Presley ose Beatles.

Gjërat marrin drejtim kur Jackson 5 u shkëputën nga Motown dhe nënshkruan me Epic Records, duke e riemërtuar veten si The Jacksons. Në vitin 1977, Michael Jackson u transferua në New York City për të luajtur në shfaqjen muzikore të regjisorit Sidney Lumet, së bashku me Diana Ross, Nipsey Russell dhe Ted Ross. Muzika e shfaqjes muzikore (musical) u aranzhua nga producenti Quincy Jones. Takimi i Quincy-t me yllin e ri 19-vjeçar ishte një moment kyç, jo vetëm në karrierën e Michael Jackson-it, por edhe për muzikën pop në tërësi. Në dekadat që do të vinin ata bashkë do të ridefinonin standardet e pop muzikës. Albumi i pestë solo i Michael Jackson dhe i pari si i rritur, si dhe i pari nën drejtimin e Quincy Jones, “Off the Wall” (1979), paralajmëroi një ndryshim të madh në rregullat e muzikës pop.

“Off the Wall” përfaqëson një bashkim elegant të diskos, funkut, soulit, popit dhe soft rock-ut. Lista e bashkëpunëtorëve ishte mbresëlënëse, me kompozitorë të njohur si Paul McCartney, Stevie Wonder dhe Rod Temperton. Edhe Quincy Jones kontribuoi me kompozime, ndërsa vetë Jackson shfaqet si autor ose bashkautor në tri këngë.

Ky album e vendosi Jacksonin si një interpretues të suksesshëm solo dhe e ndihmoi të kalonte nga tingulli i thjeshtë dhe fëminor i “bubblegum pop”-it të rinisë së tij në një stil më të pjekur dhe kompleks – ndoshta një nga më kompleksët në historinë e muzikës pop. Albumi nxori katër këngë që arritën në dhjetëshen e parë të klasifikimit në SHBA dhe u shit në mbi 20 milionë kopje në mbarë botën.

Albumi hapet me këngën vetë-afirmuese “Don’t Stop ‘Til You Get Enough”. Përtej ritmit optimist dhe tërheqës të pistës së vallëzimit, vokali i Jackson në falset është thjesht madhështor dhe sfidon superioritetin e Barry Gibb nga Bee Gees. Një element ku Jackson kishte një epërsi ndaj Bee Gees ishte përdorimi i tij karakteristik i teknikave vokale scat. Edhe pse nuk ishte i pari që përdorte sinjale të tilla vokale joverbale, Jackson e përsosi teknikën, duke u siguruar që ajo të ishte delikate, por njëkohësisht e qëllimshme, duke i shtuar thellësi dhe dinamikë prezantimit të përgjithshëm të këngës.

Kënga “Working Day and Night” jep shenja të pasojave të dëmshme të një fëmijërie të përshkuar nga puna e tepërt dhe nga një paranojë në rritje, megjithëse tingujt e kitarës që përplasen dhe boritë plot entuziazëm e mbajnë ritmin të gjallë.

Ka edhe eksperimente më të hapura në këtë album. Kënga titullare “Off the Wall” fillon me 15 sekonda të një të qeshure ogurzezë dhe instrumentacion të çuditshëm — një pararendës i çuditshmërive me shkëlqim të lartë të “Thriller”. Kënga përfshin elementë të jazz-it të butë dhe sintetizatorë— ndikimi i saj mbi stilin në mënyrë të çuditshëm funk është i pamohueshëm. Balada “She’s Out of My Life” rrezikon ta ngadalësojë albumin për shkak të dramës së saj pa ritëm, por përfundon si një klasik i zhanrit, me Michael-in që dëgjohet i prekur deri në lot në fund të këngës, me zërin që i çahet. Është një moment i papërsosur nga një perfeksionist i njohur, dhe prodhimi i Quincy Jones e trajton emocionin me një hir të përmbajtur. Një producent më i dobët do ta kishte shtrydhur gjithë atë dramë deri në pikën e fundit.

“Off the Wall” është produkti i një djali që ishte rritur nga babai i tij për të qenë një produkt që idhujt e tij shpesh i gjente në ekranin e televizionit. Ai e kuptonte sa shumë ishte komodifikuar vetja e tij, aq sa donte ta mohonte atë — ndërkohë që synonte të shiste miliona albume, të bashkonte botën dhe të bëhej argëtuesi përfundimtar. Ka shumë kontradikta në këtë mision dhe, me kalimin e kohës, rrëzimet e mëvonshme të Michael-it duken pothuajse të pashmangshme. Por “Off the Wall” ishte ai moment i rrallë ekuilibri, kur pastërtia dhe pafajësia e Michael Jackson-it dukeshin ende të shenjta, jo të shtrembëruara apo të zbehura. Kur ai qante në këngë, ai jetonte artin e vet, duke na dhënë një interpretim të sinqertë.

Jackson besonte se “Off the Wall” meritonte një ndikim edhe më të madh dhe ishte i vendosur të tejkalonte pritshmëritë me albumin e tij të ardhshëm.  Albumi “Thriller” mund të thuhet se është nëna e albumeve pop. Nëse në albumin e mëparshëm “Of The Wall” kanë punuar reth 40 persponalite, në “Thriller janë rreth 60. Thriller tejkalon të gjitha pritjet e ndonjë projekti muzikor ndonjëherë. I publikuar më 29 nëntor 1982 nga Epic Records, albumi u prodhua sërish nga Quincy Jones. Për shkak të reagimit të vazhdueshëm kundër muzikës disko në atë kohë, Michael Jackson u zhvendos në një drejtim të ri muzikor, duke rezultuar në një përzierje tingujsh pop, post-disko, rock, funk, synth-pop dhe R&B, si dhe tema lirike më të errëta. Jackson vendosi të krijonte një album ku “çdo këngë ishte një vrasëse” dhe çdo adhurues i çdo zhanri do të ketë këngën e tij. Si një fenomen kulturor që ndryshoi lojën, “Thriller” vazhdon të magjepsë audiencat, duke kapërcyer brez pas brezi, deri në ditët e sotme, dhe mbetet një nga albumet më të mëdha në histori.

Puna për albumin Thriller nisi më 14 prill 1982, në mesditë, me Michael Jackson dhe Paul McCartney që regjistruan në duet këngën “The Girl Is Mine”. Regjistrimet u përfunduan më 8 nëntor 1982. Ndryshe nga shumë artistë, Jackson nuk i shkroi këngët me dorë, ai i diktonte në një diktafon dhe gjatë regjistrimit i këndonte nga kujtesa.

Edhe pse në album ishte ftuar një mori kompozitorësh dhe producentësh që kishin punuar edhe në albumin e mëparshëm me të, Michael ishte elementi kryesor përmes të cilit funksiononin të gjitha gjërat në album. Ai tashmë kishte shumë ndikim dhe kjo reflektohet qartë në këngët që kishte shkruar vetë. “Wanna Be Startin’ Somethin’”, “Beat It”, (Kënga “Beat It” përmban solon në kitarë të kitaristit Eddie Van Halen) “The Girl Is Mine” dhe “Billie Jean” tregojnë shumë për pjekurinë që Michael kishte arritur, pavarësisht se asnjëra prej tyre nuk ishte shkruar drejtpërdrejt për të personalisht.

“Wanna Be Startin’ Somethin’” ishte shkruar për motrën e tij, LaToya, dhe për një marrëdhënie të vështirë në të cilën ajo ndodhej në atë kohë. “Beat It” u frymëzua nga dhuna e bandave që ai kishte parë në lagjen e tij, e romantizuar përmes dashurisë së tij për muzikalin “West Side Story”. Ndërsa “Billie Jean” u shkrua pjesërisht nga përvojat e vëllezërve të tij me grupet e fanseve.

Këto këngë pasqyrojnë natyrën vëzhguese të Michael-it dhe aftësinë e tij të jashtëzakonshme për të marrë diçka nga jeta reale dhe për ta përpunuar në një formë që tingëllon personale. Me kalimin e kohës, secila prej këtyre këngëve gjeti një mënyrë për ta bërë Michael-in pjesë të rrëfimit të saj, deri në atë pikë sa bëhet e lehtë të besohet se ai i kishte shkruar ato për veten.

Sigurisht, nuk ishte vetëm muzika ajo që e bëri Thriller-in kaq të suksesshëm, pasi ai erdhi menjëherë pas fillimit të epokës së MTV-së dhe Jackson e shfrytëzoi plotësisht këtë platformë të re, duke siguruar që videot e tij muzikore të ishin po aq spektakolare vizualisht sa edhe ato që dëgjoheshin. Video muzikor i këngës “Billie Jean” u transmetua për herë të parë më 10 mars 1983 në MTV. Ai e bëri MTV-në — që deri atëherë ishte një kanal relativisht i ri dhe i panjohur për muzikën — të bëhej i njohur në masë. Ishte një nga videot e para të një artisti me ngjyrë që transmetoheshin rregullisht nga ky kanal, pasi drejtuesit e rrjetit mendonin se muzika e artistëve me ngjyrë nuk ishte mjaftueshëm “rock”.

Klipi muzikor i këngës “Beat It” pati premierën në MTV më 31 mars 1983. Për të shtuar autenticitet në prodhim, por edhe për të nxitur paqen mes bandave rivalë, Michael Jackson pati idenë të përfshijë anëtarë të bandave të rrugëve të Los Anxhelosit, Crips dhe Bloods, duke përfshirë rreth 80 anëtarë të vërtetë bandash. Skenari tregon Jacksonin që i pajton dy gangsterët përmes fuqisë së muzikës dhe vallëzimit. Videoja njihet gjithashtu për “koreografinë masive” të kërcimtarëve të sinkronizuar, që do të bëhej karakteristikë dalluese e videove muzikore të Jacksonit.

Klipi 14 minutesh muzikor i këngës “Thriller” pati premierën në MTV më 2 dhjetor 1983. Në video, Jackson dhe e dashura e tij (luajtur nga Ola Ray) përballen me zombie ndërsa po kthehen nga një kinema; Jackson transformohet në një zombi dhe performon një rutinë kërcimi bashkë me një mori zombiesh. Videoja “Thriller” u emërua videoja më e madhe e të gjitha kohërave nga MTV në 1999, nga VH1 në 2001, dhe nga revista Time në 2011.

Në vitin 2009, u bë videoja e parë muzikore që u përzgjodh për Regjistrin Kombëtar të Filmit nga Biblioteka e Kongresit, e cila e përshkroi atë si “videon muzikore më të famshme të të gjitha kohërave”. Pas publikimit të “Thriller” suksesi i menjëhershëm i Michael Jackson-it e ngriti atë dhe albumin e tij në një status të rëndësishëm, që më parë nuk ishte arritur nga asnjë afro-amerikan në industrinë e argëtimit. The New York Times e përshkruan atë si një “fenomen muzikor” dhe theksoi “në botën e muzikës pop ekziston Michael Jackson dhe pastaj të gjithë të tjerë.”

Para suksesit të “Thriller”, shumë njerëz besonin se Michael Jackson kishte hasur vështirësi për të siguruar kohë transmetimi në MTV për shkak të ngjyrës së tij. Presidenti i CBS Records, Walter Yetnikoff, i tha MTV-së: “Nuk do t’ju jap më video dhe do të dal publikisht për të treguar se nuk pranoni të transmetoni muzikë nga një artist me ngjyrë.” Yetnikoff e bindi MTV-në të fillonte transmetimin e videove “Billie Jean” dhe “Beat It”, duke çuar në një partneritet afatgjatë dhe duke ndihmuar artistë të tjerë me ngjyrë të fitonin njohje të gjerë. MTV ka mohuar akuzat për racizëm në politikat e saj të transmetimit.

Popullariteti i videove muzikore të Jackson-it, si “Beat It” dhe “Billie Jean”, kontribuoi në rritjen e famës së MTV-së dhe e zhvendosi fokusin e saj drejt zhanreve pop dhe R&B. Jackson e transformoi videon muzikore në një formë arti dhe në një mjet të fuqishëm promovues, duke përdorur tregime komplekse, koreografi të sofistikuara dhe efekte speciale. Aq më tepër, videoklipet dhe këngët e albumit “Thriller”, përfshirë duetin e Paul McCartney-t “The Girl Is Mine”, vlerësohen për ndihmën në promovimin e barazisë racore në Shtetet e Bashkuara. Suksesi i Jackson-it si artist me ngjyrë ishte i pashembullt.

Revista Time shkroi në vitin 1984, “Jackson është gjëja më e madhe që nga Beatles. Ai është fenomeni më i madh që nga Elvis Presley.”

Sipas The Washington Post, Thriller hapi rrugën për artistë të tjerë afrikano-amerikanë që të arrinin njohjen e gjerë. Nga fshatrat më të vegjël të Afrikës deri te ato të Islandës, kudo gjendej prania e Michael Jackson-it – përmes muzikës, postereve apo videove. Muzikantë, sportistë, aktorë e politikanë – të gjithë bëheshin miq me të.

Presidentët, nga Ronald Reagan deri te Barack Obama, e admiruan ate dhe e mirëpritën në Shtëpinë e Bardhë. Ai u nderua me dekoratë të veçantë nga Presidentët Reagan, Bush dhe Clinton, ndërsa mbretër të vendeve ekzotike e mirëpritën në pallatet e tyre. Me një profesionalizëm të jashtëzakonshëm, por edhe me sinqeritetin e një fëmije që po jeton ëndrrën e tij, ai arriti të hyjë në zemrat e secilit. Albumi “Thriller” shitet në 70 milion kopje, dhe vështirë se dikush mund t’i arrijë këta numra ndonjëherë. Ai bashkëkompozoi edhe këngën “Say, Say, Say” me Paul McCartney-n dhe e këndon në duet me të për albumin e McCartney-t, “Pipes of Peace”. Ky ishte dueti dhe bashkëpunimi i dytë i tij me McCartney-n, pas “The Girl Is Mine”.

Me Lionel Richie-n, Jackson bashkëkompozoi këngën bamirëse “We Are the World”, e cila mblodhi fonde për të varfrit në Afrikë. Kënga u bë një nga më të shiturat e të gjitha kohërave, me 20 milionë kopje të shitura. Ajo fitoi katër çmime Grammy në vitin 1985, përfshirë Këngën e Vitit për Jackson dhe Richie.

Por, fama solli edhe presion, deformime në marrëdhënie dhe krizë personaliteti. Vitet në vijim u shënuan nga përçarjet me familjen dhe me miqësitë e prishura me personazhe të famshëm dhe presioni i vazhdueshëm i jetës publike. Ai e kaloi vitin 1985 larg syrit të publikut, por mbeti në qendër të mediave për shkak të sjelljes së tij të çuditshme, përfshirë edhe adoptimin e shimpanzesë Bubbles. Thashethemet e tjera ishin të pavërteta, ndër to përfshihej edhe ajo se Jackson flinte në një dhomë hiperbarike.

Jackson ishte i shqetësuar për përfundimin e albumit të tij të ardhshëm. NPR Music pohoi se nuk kishte pothuajse asnjë mundësi që albumi pasues të shitej po aq sa “Thriller”, dhe se niveli i fenomenit të muzikës pop që përjetoi Jackson gjatë epokës së Thriller-it nuk kishte gjasa të ndodhte sërish. Në vitin 2017, Newsweek shkroi se ndjekja e Thriller-it ishte “si të ndiqje Biblën”.

Pavarësisht dyshimeve se Jackson do të arrinte ndonjëherë ndikimin dhe suksesin komercial të Thriller-it, ai synonte sukses të njëjtë edhe me albumin e tij të ardhshëm “Bad”.

Referenca në titullin e albumit ndaj fjalës së zhargonit “Bad” (I keq) nënkuptonte largimin e Jackson-it nga imazhi i tij i mëparshëm djaloshar, drejt një paraqitjeje më të pjekur, më të zgjuar dhe më të ashpër. Jackson e rishpiku imazhin e tij për epokën e “Bad”-it, duke veshur rroba të zeza, të dekoruara me tokëza të trasha dhe rripa me kopsa metalike, të cilat i dhanë një pamje dukshëm më të ashpër.

Megjithatë, përdorimi i kirurgjisë plastike nga Jackson-i, i cili u trajtua gjerësisht në media, si dhe zbardhja e lëkurës së tij, shkaktuan shumë polemika – veçanërisht në Amerikë. Lëkura e Jacksonit, nga mesi i viteve 1980, gradualisht u bë më e bardhë. Ndryshimi tërhoqi vëmendje të gjerë mediatike, duke përfshirë spekulime se ai e kishte zbardhur qëllimisht lëkurën. Dermatologu i tij, Arnold Klein, tha se në vitin 1983 kishte vënë re se Jackson kishte vitiligo, një gjendje e karakterizuar nga njolla në lëkurë që humbasin pigmentin.

Jackson u diagnostikua me lupus atë vit dhe me vitiligo në vitin 1986. Efektet drastike të vitiligos në trup mund të shkaktojnë shqetësim psikologjik. Jackson përdorte grim me ngjyra të çelëta dhe, ndoshta, edhe kremra me recetë për zbardhjen e lëkurës, për të mbuluar njollat e pabarabarta të shkaktuara nga sëmundja. Ai deklaroi se nuk e kishte zbardhur qëllimisht lëkurën dhe se nuk mund ta kontrollonte vitiligon. Ai u bë mik me Dr. Klein dhe asistenten e tij, Debbie Rowe. Rowe, më vonë, u bë gruaja e tij e dytë dhe nëna e dy fëmijëve të tij të parë. Mediat raportonin gjithashtu se Jackson merrte injeksione me hormone femërore për të mbajtur zërin e lartë dhe qimet e fytyrës të holla, si dhe kishte kryer ndërhyrje kirurgjikale në sy dhe hundë. Menaxheri i Jacksonit, Frank DiLeo, i mohoi të gjitha, megjithatë Michael Jackson dukej plotësisht ndryshe nga epoka e Thriller-it.

Albumi “Bad” u publikua më 31 gusht 1987 nga Epic Records, ishte bashkëpunimi i tretë dhe i fundit i Jackson me producentin Quincy Jones. Jackson përvetësoi një tingull më agresiv për albumin, duke u larguar nga stili i tij karakteristik i bazuar në groove dhe falsetto. Kryesisht duke përfshirë pop, dance dhe R&B, si dhe elementë të funk, soul, xhaz, rock dhe hard rock, “Bad” përfshiu teknologji të re regjistrimi, duke përfshirë sintisajzerë digjitalë. Jackson ishte bashkproducent dhe kompozoi të gjitha këngët përveç dy prej tyre. Temat lirike përfshijnë vetëpërmirësimin, romancën, paqen botërore, paragjykimin mediatik, paranojën dhe profilizimin racor. Albumi përmban paraqitje të një armate të muzicientëve, për çdo stil artistë të veçantë, kitarist, basist, tastier, baterist, ose cilido instrument tjetër e mes tyre edhe kitaristi Steve Stivenson basisti Nathan East, Bateristi John Robinson,duke përfshirë edhe vokalistet Siedah Garrett dhe Stevie Wonder ose quartetiet Gospel The Winans.

Ashtu si “Thriller” edhe “Bad” përmirësoi standardet e inovacionit në videot muzikore pas suksesit të videove për këngët “Bad”, “Smooth Criminal”, “Leave Me Alone” dhe “The Way You Make Me Feel” fillojnë performuesit të investojnë në realizimin e projekteve më serioze në videoklipe muzikore. Me një certifikim 11× Platin nga RIAA dhe shitje prej mbi 35 milionë kopjesh në të gjithë botën, Bad bëhet një nga albumet më të shitura të të gjitha kohërave. 9 nga 11 këngët në album u publikuan si single,10 kishin videoklipe muzikore dhe pesë arritën vendin e parë në Billboard Hot 100 të SHBA-së.

Ky ishte rekordi më i lartë që një artist kishte arritur ndonjëherë nga një album. Albumi “Bad” e çimentoi statusin e Jackson-it si një forcë dominuese muzikore. Në vitin 1988, Jackson publikoi autobiografinë e tij, “Moonwalk”. Jackson në libër diskutoi fëmijërinë e tij dhe abuzimin nga babai. Ai ia atribuoi ndryshimin e pamjes së fytyrës tre operacioneve plastike, pubertetit, humbjes së peshës nga një diete të rreptë vegjetariane shkaku i vallëzimit, një ndryshimi në modelin e flokëve dhe ndriçimit të skenës. Në qershor, Jackson u nderua me Medaljen e Madhe Vermeil të Qytetit të Parisit nga kryetari i atëhershëm i Bashkisë së Parisit, Jacques Chirac. Më 20 korrik, ai u bë personi i parë i zakonshëm në histori që hyri në Guildhall të Londrës përmes Hyrjes Mbretërore të ndërtesës.

Në mars të vitit 1988, Jackson bleu 11 km² tokë pranë Santa Ynez-it, Kaliforni, për të ndërtuar Neverland Ranch, me një kosto prej 17 milionë dollarësh. Ai instaloi një rrotë panoramike, një karusel, një kinema dhe një kopsht zoologjik. Një staf sigurie prej 40 personash patrullonte terrenin. Menjëherë pas kësaj, ai u shfaq në reklamën e parë televizive perëndimore në Bashkimin Sovjetik.

Më 1991, Jackson ndërpreu bashkëpunimin me Quincy Jones dhe pjesa më e madhe e albumit të ardhshëm, “Dangerous”, u prodhua nga Teddy Riley. Ndër të ftuarit përfshiheshin Heavy D, princesha Stéphanie e Monakos, kitaristi i Guns N’ Roses, Slash, dhe grupi Wreckx-n-Effect. Albumi përfshin new jack swing, një zhanër shumë popullor në atë kohë, si edhe elemente të R&B-së dhe pop-it. Jane të pranishme gjithashtu elemente të industrial rock, funk, hip hop-it, muzikës elektronike, gospel-it, klasikes dhe rock-ut.

Jackson shkroi ose bashkëshkroi 12 nga 14 këngët e albumit, duke trajtuar tema si racizmi, varfëria, romanca, vetëpërmirësimi, multikulturalizmi dhe mirëqenia e fëmijëve dhe e botës. Albumi solli 9 hite dhe u bë senzacioni i radhës në botën e muzikës. Hitet si “Black or White”, “Remember the Time” dhe “Will You Be There” nuk u larguan për një kohë të gjatë nga top-listat botërore.

Në këtë periudhë, stili i jetesës së Jacksonit u bë gjithnjë e më i diskutueshëm. Reputacioni i tij u dëmtua rëndë në vitin 1993, kur u akuzua për ngacmim seksual të fëmijëve nga një djalë 13-vjeçar, me të cilin ishte miqësuar, padia civile e arstit u zgjidh jashtë gjykatës. Në vitin 1994, Jackson u martua fshehurazi me Lisa Marie Presley, vajzën e Elvis Presley-t, por martesa e tyre zgjati më pak se dy vjet. Pak më vonë, Jackson u martua përsëri me infermieren Debbie Rowe. Kjo martesë solli në jetë dy fëmijë – Michael Joseph (i quajtur Prince) dhe Paris-Michael Katherine (e quajtur Paris) – megjithëse edhe kjo marrëdhënie përfundoi me divorc. (Në vitin 2002, Jackson pati një fëmijë të tretë, Prince Michael – me nofkën Blanket, më vonë e ndryshuar në Bigi – nëpërmjet një nëne zëvendësuese.)

Në vitin 1995, ai publikoi albumin “ HiStory, Past, Present and Future, Book I” , i cili përmbante një kombinim hitesh dhe këngësh të reja, duke përfshirë baladën numër një “You Are Not Alone” dhe “Scream”, një duet me motrën e tij, Janet. Dy vjet më vonë, Jackson 5 u përfshinë në Rock and Roll Hall of Fame, ndërsa Jackson u përfshi si artist solo në vitin 2001. Po atë vit, ai publikoi “Invincible”, i cili debutoi në vendin e parë, por nuk qëndroi gjatë në listat e albumeve si disqet e tij të mëparshme. Ky ishte albumi i fundit në studio i Jackson. Ndërsa Jackson mbeti një personazh i famshëm ndërkombëtarisht, imazhi i tij u dëmtua edhe më shumë në nëntor 2003, kur ai u arrestua dhe u akuzua për ngacmim seksual të fëmijëve, që përfshinte një djalë tjetër nga ai i vitit 1993.

Në gjyqin që pasoi, për të dëshmuar në mbrojtje të Jackson u thirr aktori i famshëm Macaulay Culkin, i cili e kishte njohur dhe ishte bërë mik me Jacksonin që në moshën nëntëvjeçare, ndërkohë që Jackson ishte i rritur. Culkin deklaroi se ata ishin lidhur për shkak të përvojave të ngjashme me famën në moshë të vogël dhe për shkak të trajtimeve të ashpra nga baballarët e tyre. Ai pohoi se nuk kishte përjetuar kurrë asgjë të papërshtatshme nga Jackson. Pas një gjyqi 14-javor, që u kthye në një lloj cirku mediatik, Jackson u shpall i pafajshëm nga të gjitha akuzat në vitin 2005.

Pas këtyre ngjarjeve, Jackson përjetoi një kolaps financiar që çoi në shitjen e shumë prej pasurive të tij të konsiderueshme, përfshirë, në fund, edhe fermën e tij luksoze Neverland. Ai ishte duke u përgatitur për një seri koncertesh me profil të lartë, përmes të cilave shpresonte të rikthehej në skenë, kur vdiq papritur nga arresti kardiak më 25 qershor 2009 në moshën 50 vjeçarë. Vdekja e tij shkaktoi një valë të madhe pikëllimi nga fansat, që kulmoi me një ceremoni përkujtimore për jetën dhe trashëgiminë e tij më 7 korrik në Staples Center në Los Angeles. Në gusht të vitit 2009, mjekësia ligjore vendosi se vdekja e Jackson-it ishte vrasje, shkaku ishte një kombinim vdekjeprurës i qetësuesve dhe propofolit anestezik. Në nëntor 2011, mjeku personal i Jackson-it u shpall fajtor për vrasje të paqëllimshme.

Në vitin 2007, Biblioteka Kombëtare e Kongresit të SHBA-së përfshiu albumin “Thriller” në Regjistrin Kombëtar të Incizimeve, si vepër “kulturore, historike, ose estetikisht të rëndësishme.” Dy vjet më vonë, videoklipi i tij 14-minutësh Thriller u përfshi në Regjistrin Kombëtar të Filmit — i pari videoklip muzikor që mori këtë nderim. Muzika dhe videot e Jacksonit nxitën diversitetin racor në listën e MTV-së dhe e drejtuan fokusin e kanalit nga roku drejt muzikës pop dhe R&B, duke ndërprerë formatin rock të orientuar drejt albumeve, që më parë dominonte në atë kanal. Në këngë të tilla si “Black or White”, “Heal the World”, “Earth Song” dhe “They Don’t Care About Us”, ai theksoi integrimin racor, ambientalizmin dhe protestoi kundër padrejtësisë Në vitin 2010, Jackson mori post mortem Çmimin Grammy për Arritje Jetësore.

Michael Jackson fitoi gjithsej 13 Çmime Grammy, 6 Çmime Brit, 26 Çmime American Music, 40 Çmime Billboard Music, dhe 28 Rekorde Botërore në Guinness. Në total, ai ka fituar 90 çmime, plus 1 Çmim NAACP Image dhe 16 Çmime World Music. Michael Jackson mori edhe çmime të shumta humanitare gjatë gjithë karrierës së tij, duke u vlerësuar për përpjekjet dhe kontributet në organizata bamirëse dhe ndihmën ndaj fëmijëve dhe personave në nevojë. Gjatë 5 dekadave, Michael Jackson mori një numër rekord prej 748 çmimesh tjera nga gjithë bota dhe gjithashtu 3 Çmime Presidenciale.

Michael Jackson mbetet sinonim i transformimit të artit të videoklipeve muzikore dhe i hapjes së rrugës për muzikën moderne pop. Ndikimi i tij u shtri përtej industrisë së muzikës; ai ndikoi mënyrën e të kënduarit, duke iu afruar shpesh kufijve realë të vokalit njerëzor. Jackson arrinte të këndonte me vibrato për 8 sekonda dhe në nota si Ab5 dhe C#5, të cilat konsiderohen pjesë e diapazonit të sopranos për femrat dhe të regjistrit më të lartë të tenorit për meshkujt. Ndërsa shumica e këngëve në muzikën bashkëkohore nuk arrijnë deri në nivelin C#5, Jackson e realizonte këtë pa asnjë vështirësi.

Ai revolucionarizoi lëvizjet e vallëzimit modern me koreografi që shpesh krijonin përshtypjen se sfidonte ligjet e fizikës dhe mundësitë e trupit të një njeriu të zakonshëm. Përveç kësaj, ai udhëhoqi trendet e modës dhe kontribuoi në rritjen e ndërgjegjësimit për çështje globale. I dashur nga të gjithë, nga mosha 7-vjeçare deri te 77-vjeçare, i shfrytëzuar nga industria e showbiz-it, i keqpërdorur nga mediat dhe i shkatërruar nga të dyja, figura e tij nuk do të zbehet me kalimin e kohës; gjurmët pas tij janë shumë të forta për të lejuar që një gjë e tillë të ndodhë./Katror.info

© 2025, Pozitivi. All rights reserved.