Media dhe Reforma në Drejtësi, Alban Tufa: E zorshme të dallojmë nëse po flitet për Reformën apo për deformën politike
12/10/2019 Shpërndaje

Media dhe Reforma në Drejtësi, Alban Tufa: E zorshme të dallojmë nëse po flitet për Reformën apo për deformën politike

Janë bërë 3 vite që nga miratimi i Reformës në Drejtësi dhe ende është një nga temat më të komentuara të aktualitetit në vendin tonë. Media ka luajtur një rol të rëndësishëm në transmetimin e zhvillimeve që kanë ndodhur përsa i përket reformës, tek aktorë të ndryshëm të shoqërisë.

Alban Tufa është asistent kërkimor në një universitet privat në fushën e gazetarisë dhe komunikimit si dhe drejtues i medias online Dibra on. Studimet i ka kryer për Shkenca Komunikimi dhe aktualisht është në përfundim të Masterit të profilizuar në Gazetari. Gjatë studimeve ai ka punuar në disa portale online dhe në disa platforma komunikimi, kryesisht lokale, si shkrimtar lajmesh dhe komentesh të ndryshme. Ndërkohë për shumë vite rradhazi shkruan poezi dhe tregime të shkurtra, ku me disa prej tyre është vlerësuar me çmime kombëtare.

Në dy vitet e fundit ka qenë aktiv me artikuj kritik kundrejt fenomeneve shoqërore, letërsisë dhe artit në përgjithësi, ndërsa gjatë një interviste për pozitivi.org ka dhënë mendimin e tij mbi Reformën në Drejtësi, rëndësinë që ajo ka dhe si është raportuar nga media.

“Në fakt i ndjek më së shumti në mediat online, pak shoh televizor. Ndodh ndonjëherë kur televizori thjesht është i ndezur dhe fillojnë lajmet, por që ta ndez me këtë qëllim jo, kam kohë që s’e bëj. 

Në median online çdo kohë, çdo vend, janë një hapsirë e bollshme me shumë alternativa, madje plot prej tyre janë serioze. Në pikëvështrimin tim, (dhe këto janë konstatime krej modeste) media tradicionale i ka trajtuar më me profesionalizëm këto çështje pasi së pari kanë gazetarë profesionistë që merren me çështjet e drejtësisë, ndërsa gazetarët në media online bëjnë të gjitha llojet e gazetarisë dhe kjo nuk i profilizon në një gjë të vetme, dhe së dyti i kanë trajtuar këto çështje nëpër emisone në formatin e debateve apo dokumentare”, thotë Tufa.

Sa i përket raportimeve që ka bërë media mbi Reformën sipas Tufës ka disa pika që duhet të përmirësohen dhe disa prej tyre kanë të bëjnë me plotësimin e lajmit dhe emërtimet e institucioneve, të cilat nuk janë të qarta për publikun e thjeshtë. “Ajo që konstatoj unë janë disa pika që mund të përmirësohen.

Së pari shkurtimet e emrërtimeve të institucioneve që janë ose po hyjnë në sistemin gjyqësor, shpesh janë të pakuptueshme dhe duhet të kërkosh në google për t’i gjetur, nëse janë tashmë. Së dyti, mungojne detajet e kaluara të lajmit, duke të marrë të mirëqenë se ti i di të gjitha. Në këtë logjikë, mendoj që dikush nga zonat rurale e ka të vështirë të arrijë të informohet në një mënyrë koherente dhe ngjarjet të kenë një panoramë të tyren”, shton Tufa.

Media ka axhendën e vetë, por tejmbushja e saj kryesisht me përmbajtje politike, sipas Tufës e ka bërë të zorshme të dallojmë nëse vërtet po flitet për Rformën apo për deformën politike të kahëve kundërshtare.

Intervista me Alban Tufa për pozitivi.org:

Pozitivi: Kush është Alban Tufa?

Alban Tufa: Unë jam Alban Tufa. Kam mbaruar studimet Bachelor në Shkenca Komunikimi dhe po përfundoj studimet Master të profilizuara Gazetari. Gjatë studimeve kam punuar në disa portale online dhe në disa platforma komunikimi, kryesisht lokale, si shkrimtar lajmesh dhe komentesh të ndryshme. Ndërkohë shkruaj poezi dhe tregime të shkurtra, ku me disa prej tyre jam vlerësuar me çmime kombëtare. Në dy vitet e fundit kam qenë aktiv me artikuj kritik kundrejt fenomeneve shoqërore, letersisë dhe artit në përgjithësi.

Pozitivi: A jeni të interesuar për informacionet mbi reformën në drejtësi, sa i ndiqni lajmet?

Alban Tufa: Sigurisht që po. Nuk mund të jesh indiferent kundrejt një prej pushteteve që mban në këmbë një shtet, gjyqësorit, përtej gjithë skepticizmit që mund të kemi. 

Lajmet i ndjek, jo me ndonjë interes të veçantë, por thjeshtë si një qytetar i këtij vendi. Meqë vij nga komunikimi dhe e kemi studiuar median, i jemi larguar kohët e fundit. Shpesh dyshoj në informacionet që jepen, ose thjesht mendoj si do e kisha shkruar unë këtë lajm. Pra nuk i shoh dot pa i gjykuar ose pa u përfshirë vetë. 

Pozitivi: Në cilat media informoheni më shumë mbi këtë çështje dhe si e kanë raportuar deri tani, sipas mendimit tuaj?

Alban Tufa: Në fakt i ndjek më së shumti në mediat online, pak shoh televizor. Ndodh ndonjëherë kur televizori thjeshtë është i ndezur dhe fillojnë lajmet, por që ta ndez me këtë qëllim jo, kam kohë që s’e bëj. 

Në median online çdo kohë, çdo vend, janë një hapësirë e bollshme me shumë alternativa, madje plot prej tyre janë serioze. 

Në pikëvështrimin tim, (dhe këto janë konstatime krej modeste) media tradicionale i ka trajtuar më me profesionalizëm këto çështje pasi së pari kanë gazetarë profesionistë që merren me çështjet e drejtësisë, ndërsa gazetarët në online bëjnë të gjitha llojet e gazetarisë dhe kjo nuk i profilizon në një gjë të vetme, dhe së dyti i kanë trajtuar këto çështje nëpër emisone në formatin e debateve apo dokumentare.

Ajo që konstatoj unë janë disa pika që mund të përmirësohen;

Së pari shkurtimet e emërtimeve të institucioneve që janë ose po hyjnë në sistemin gjyqësor, shpesh janë të pakuptueshme dhe duhet të kërkosh në google për t’i gjetur, nëse janë tashmë.

Së dyti, mungon backgraundi i lajmit, duke të marrë të mirëqenë se ti i di të gjitha. Në këtë logjikë, mendoj që dikush nga zonat rurale e ka të vështirë të arrijë të informohet në një mënyrë koherente dhe ngjarjet të kenë një panoramë të tyren. 

Pozitivi: Sa i informuar do të thonit se jeni mbi Reformën në Drejtësi nga informacionet e marra në media, duke bërë një koment mbi situatën e deritanishme?

Alban Tufa: Sigurisht që media ka informuar me aq sa lejon agjenda e ditës, por mediat kryesisht janë të tejmbushura me përmbajtje politike, shumë më pak me përmbajtje të tjera. Por gjithesesi reforma në drejtësi po trumpetohet si një arritje e të majtës, dhe po shërben shumë mirë si një llogore nga ku kundërshtarët politik gjuajnë njëri-tjetrin. Në këtë sens, ne e kemi të zorshme të dallojmë nëse vërtet po flitet për reformën apo për deformën politike të kahëve kundërshtare. Me gjithë filtrat që kemi mundohemi të largojmë politikën dhe të marrim ndonjë informacion, por nuk është krejtësisht e kollajtë. Prej kohësh na është rrahur veshi me termat: SPAK, Reformë, Gjykatë Kushtetuese, Deklarim pasurie, etj.

Pozitivi: Në çfarë mase e mbështesni/kundërshtoni nevojën për një Reformë të Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri? 

Alban Tufa: Në Prokurorinë Speciale, nëse do funksionojë si në rastin e Kroacisë. Sigurisht edhe vetingun e gjyqtarëve, por në gjithë këtë histori kam dyshimet e mia, sepse vetingun tash gjyqtarët e prokurorët po ia bëjnë njëri-tjetrit, dhe ata janë të të njëjtit kontekst, komunitet dhe të së njëjtës fushë dhe mund të kenë dhënë e marrë gjatë këtyre viteve. 

Pozitivi: Reforma në Drejtësi bazuar në ecurinë e deritanishme a ka premise për të qenë e suksesshme, dhe a është zbatuar ashtu siç duhet?

Alban Tufa: Është herët për ta thënë që ka për të qenë një sukses. Por unë shpresoj dhe uroj të jetë. Besimi sa vjen e bie në sistemin gjyqësor, së paku nën vëzhgimin tim. Ne jemi një vend i vogël dhe flasim me njëri-tjerin, jemi kushërinjë dhe shokë kudo. Kështu ia gjejmë anën kurdo dhe kujtdo.

Pozitivi: A mendoni se tanimë ka më pak të korruptuar sistemi i drejtësisë?

Alban Tufa: Ka më shumë të trembur, por nuk besoj të ketë më pak të korruptuar. Nuk pamë kënd të dënohet për korrupsion. Asnjë gjyqtar, asnjë politikan, asnjë prokuror etj, sikur këtu nuk ka patur kurrë korrupsion dhe sikur nuk ishte aspak nevoja për reformë.

Pozitivi: A mendoni se reforma do të ndikojë në marrjen e rekomandimit pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE?

Alban Tufa: Sigurish që po nëse do japë ndonjë rezultat pozitiv. Mendoj që reforma duhet të këqyret më me imtësi nga jashtë dhe të nxitet më fort nga ndërkombëtarët, por kjo nuk e dimë sa është e mundur më tej. Fill pas kësaj reforme duhet bërë ajo zgjedhore dhe normalisht që secila ka peshën e vet në marrjen e rekomandimit për çeljen e negociatave.

Realizoi Beklie Koltraka

© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.