“Lumë” gjobash nëpër parkingje në Tiranë, qytetarët paguajnë “qira” për makinat
12/05/2022 Shpërndaje

“Lumë” gjobash nëpër parkingje në Tiranë, qytetarët paguajnë “qira” për makinat

Shqiptarët po blejnë çdo vit e më shumë makina, ndërsa rekord mban Tirana e cila ka edhe numrin më të lartë të popullsisë.

Duke qenë se automjetet janë të përqendruara kryesisht në qendrat e mëdha urbane, shtimi i numrit të tyre shton problematikat e lidhura me trafikun, ndotjen e mjedisit dhe parkimin. Ndalur te kjo e fundit, burime për Pozitivi.org bëjnë me dije se në parkingjet e Tiranës gjatë vitit 2021 janë vënë 400 mijë gjoba.

329.225 e gjobave janë vendosur nga policia bashkiake, ndërsa 60.622 nga policia rrugore. Prej 329.225 gjobave, bashkia ka mbledhur 261.157, duke arkëtuar 256.187.040 lekë nga këto gjoba. 709 gjoba me vlerë 2.649.000 lekë janë dhënë nga bashkia e Tiranës edhe për zaptim të hapësirave publike nga subjekte private gjatë 2021.

Ndonëse gjatë viteve të fundit në Tiranë ka pasur shtime të vendparkimeve, përsëri numri i tyre nuk është i mjaftueshëm. Në kryeqytet janë 4,974 vendparkime të ndara në 3395 vende parkime me pagesë (69%) , dhe 1579 vende parkime të lira pa pagesë (31%).

Kapërcimi i gjobave në shifra të larta është kritikuar nga ekspertët, të cilët në shumë raste e cilësojnë penalizuese për familjet çdo muaj, pasi ato nuk sjellin as përmirësim në kaosin e qarkullimit në kryeqytet apo në parkingje. Duke i konsideruar shifra të larta 389.996 gjoba brenda një viti, për të përmirësuar situatën, eksperti rrugor Fatmir Hasho sugjeron ndërtimin e parkingjeve me kate. “Parkimi dysh është problemi më madhor në Tiranë”. Jo vetëm që nuk ka parkime me kate por sipas tij “nuk ka parkingje publike dhe ka komplekse rezidenciale pa parking”.

Barra mbi kurriz në fund të ditës bie mbi qytetarët që gjobiten. Pozitivi.org ka kontaktuar me disa prej tyre të cilët janë gjobitur disa herë gjatë muajve të fundit. Gerli tregon se ka marrë gjobë më 9 shkurt në rrugën Dali Ndreu për parkim të gabuar. I vetëdijshëm se në këtë rrugë nuk mund të parkohet gjë të cilën e tregojnë edhe tabelat, Gerli shton për Pozitivi.org se nuk kishte mundësi tjetër duke theksuar se në këtë zonë shumë të populluar kush nuk është rezident gjobitet.

“Jam gjobitur 2 herë në muajt e fundit për parkimin. Këtu është hapur rrugë e re dhe janë shtuar makinat. Dikur pallatet e Enverit nuk kishin llogaritur aq vend. Duke qenë se tani çdokush ka makinën e vetë nuk i mban zona të gjitha makinat e rezidentëve. Që pasi është zhvilluar si zonsë, me shtimin e pallateve, ka edhe shtim të policisë e normalisht dhe të numrit të gjobave”.

Për shumë qytetarë gjobitja në parkingje është “një taksë shtesë”. “Në të shumtën e rasteve lëviz pa makinë dhe shkak janë parkingjet. Gjobat na janë kthyer si një taksë shtesë prandaj e lë në shtëpi më shumë. Unë jam gjobitur 2 herë në Laprakë. Njëherë para qendrës spitalore njëherë tjetër mes pallatesh ku ishte një park i vogël ku e kisha lënë disa herë, por herën e fundit më vunë gjobë”, tregon Diella Kurcani e cila ka ka 12 vite që jeton në Tiranë e kthyer nga Greqia bashkë me familjen.

Por duke se nga gjobat nuk përjashtohen as rezidentët. Një rast është denoncuar në rrjete sociale nga Teuta.K, e cila ndonëse rezidente në zonën pranë stadiumit Air Albania është gjobitur disa herë nga policia bashkiake.

Bajram.Sh shkruan:  Përse oooo polic i bashkisë ma bën të pa banueshëm qytetin tim qe u linda u rrita e u plaka/ Është gjoba e parë ne jeten time nga je polic hajdut, kurrë ne jeten time nuk bej shkelje te rregullores se qarkullimit te cilen e kam kaluar dy her me provat e para kam shetit europen kryq e terthor dhe di qe drejtusi i mjetit i referohet tabelave rrugore dhe i permbahet me korrektes…”, shkruan mes të tjerash ai.

Ilir.XH shkruan: “Më në fund, pas gati 2 muajsh më erdhi përgjigja nga Bashkia e Tiranës… Më datë 16 dhjetor dy policë, ditën për diell (ishte tamam ditë me diell ) futen në parkingun e pallatit dhe mbushin me gjoba makinat e parkuara. Arsyetimi ishte se “kisha parkuar mjetin në rrugë për këmbësorë”. Po, po. Në rrugë për këmbësor, mu në mes të parkingut të pallatit. Unë se di si ishin fut policët në parking njëherë, sepse ai është i ndarë me beton në të dy anët e tij, dhe nuk ka pikën e lidhjes me trotuarin për këmbësorë. Pavarësisht se gjobën e pagova 2-3 ditë pasi e mora, shkova të bëja ankimim në Bashkinë e Tiranës, për të treguar se policët vendosin gjoba kot, radhë, jo për vlerën e saj.

Pra, nuk më interesonin lekët se gjobën e kisha paguar, por doja të vërtetoja bindjen që kisha, se policët e bashkisë edhe ta rrasnin fletushkën në xham pa pikë lidhje. Fatkeqësisht gjobën e parë si shofer ma vendosën këta policë, por më vjen mirë që doli se kisha të drejtë. Dhe jam shofer “shembullor”, deri tani të paktën. Gjithashtu, më vjen mirë që ka ende institucione që funksionojnë, ku mund të drejtohesh dhe të marrësh atë që meriton, në këtë rast po njëherë”.

Gjatë ditëve të fundit policia ka ndërmarrë ndaj shoferëve qindra masa ndëshkimore. Kontrollet e imtësishme kanë ardhur pas aksidenteve të rënda të ndodhura nga shpejtësia dhe mosrespektimi i rregullave në rrugë, kujtojmë më të fundit te rruga e Kavajës. Për kontrollet e fundit ne kemi pyetur zëdhënësin i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai i cili tha se policia nuk dëshiron të kryhet asnjë shkelje por masat janë për të ndërgjegjësuar qytetarët.

“Policia e Shtetit është pajisur javën e fundit me një flotë të re prej 10 automjetesh inteligjente, ku kanë të instaluar radar automatik. Qytetarët të jenë të informuar se në rrugë monitorohen me radar me kamera. Është me makinë inteligjente tashmë me flotën e re të automjeteve. A ka mundësi të mos ketë asnjë shkelje në ditë, asnjë gjobë në ditë nuk duam. Kjo është shumë e sinqetë”.

Mullai u shpreh se radari automatik mund të evidentojë shkeljet edhe nëse automjeti i policisë është në lëvizje. “Falë një flote të re të automjeteve që na ka ardhur në javën e fundit në përdorim të Policisë së Shtetit, kemi organizuar shërbime me makina civile të cilat janë të pajisura me radar automatik. Makina është në lëvizje dhe radari të konstaton shpejtësinë me lexues automatik të targave, për të gjitha automjetet që kanë gjoba të papaguara apo për largim nga vendi i aksidentit. Pra, për shumë shkelje që ato kanë. Kemi makinën inteligjente poliscan që është një ndohmë shumë e madhe për ne.”

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.