“Lufta” ndaj kancereve të traktit riprodhues
12/11/2020 Shpërndaje

“Lufta” ndaj kancereve të traktit riprodhues

1 në tetë gra në botë preken nga kanceri i gjirit, ndërsa në Shqipëri diagnostikohen rreth 400 gra në vit me këtë sëmundje.
Në fakt, kanceri i gjirit dhe i qafës së mitrës janë ndër kanceret më të shpeshtë te gratë, dhe një nga shkaqet kryesore të vdekjeve të shkaktuara nga sëmundjet tumorale në përgjithësi.
Kanceri i gjirit është kanceri i dytë më i shpeshtë në botë, dhe kanceri më i shpeshtë te gratë me rreth 1.67 milionë raste të reja.(25% të të gjitha kancereve).
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë si në vendet e zhvilluara dhe ato më pak të zhvilluara. Edhe pse disa faktorë rreziku për kanceret e gjirit janë të mirë dokumentuara, përsëri, te pjesa më e madhe e grave që paraqiten me kancer të gjirit nuk mund të identifikohen faktorët specifik të rrezikut .
Rreth 21% e të gjitha vdekjeve nga kanceri gjirit në botë lidhen me faktorë të stilit të jetesës të tillë si: përdorimi i alkoolit, mbipesha dhe obeziteti, si dhe mungesa e aktivitetit fizik.
OBSH-ja promovon kontrollin e kancerit të gjirit brenda kontekstit të një programi kontrolli të kancereve, dhe të integruar në parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve jo të komunikueshme .
Kanceri i qafës së mitrës është sëmundje e parandalueshme, por në botë është një nga shkaqet kryesore të vdekjeve te gratë, duke qenë përgjegjës për më shumë se 270.000 vdekje në vit, 85% e të cilave ndodhin në vendet në zhvillim.
Projeksionet tregojnë se në 10 vitet e ardhshme kanceri cervical do të rritet me pothuajse 25 % . Shkaku kryesor për kancerin e qafës së mitrës është një infeksion kronik ose persistent me një ose më shumë tipa “me rrezik të lartë” (ose onkogjenik) të human papilloma virus (HPV).
Situata e kancereve të traktit riprodhues në Shqipëri
Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek femrat në Shqipëri. Veç rritjes së moshës mesatare të popullsisë, kjo prirje shpjegohet edhe me faktorë të tjerë të lidhur me urbanizimin, si ndryshimi i sjelljes riprodhuese dhe ushqyerja . Kanceri i qafës së mitrës mbetet kanceri i dytë më i shpeshtë te femrat e reja të moshës riprodhuese (15-44 vjeç) dhe në mënyrë të tërthortë mund të demostrohet një rritje e rrezikut për prekjen nga ky kancer si pasojë e prirjeve në rritje për t’u ekspozuar ndaj shkaktarit të tij, virusit të papilomës humane (HPV).
Incidenca e standardizuar sipas moshës (45/100.000) për kancerin e gjirit është më ulët se në vendet mesdhetare të Bashkimit Europian, por mjaft më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor (të tilla si Turqia, Egjipti apo Tunizia). Kjo incidencë për kancerin e qafës së mitrës (7/100.000) është e ngjashme me vendet e Bashkimit Europian dhe sërish më e lartë se vendet e Mesdheut Lindor.
Treguesit epidemiologjik për kancerin e qafës së mitrës janë me të ulët sesa ato të kancerit të gjirit, por ka dy elemente që e bëjnë kancerin e qafës së mitrës një prioritet: a) mosha e re e shfaqjes së sëmundjes krahasuar me kanceret e tjerë, dhe humbjet shumë të mëdha në terma të viteve të humbura të jetës, dhe b) kosto-efektiviteti i kapjes së hershme (depistimit) është shumë i favorshëm – më i favorshmi mes gjithë kancereve.
Shërbimet e kapjes, parandalimit dhe trajtimit të kancereve të traktit riprodhues përmirësimi i shërbimeve dhe ngritja e programeve të depistimit për kancerin e qafës së mitrës dhe kancerin e gjirit janë konsideruar prioritete në Programin Kombëtar të Kontrollit të Kancerit për vitet 2011-2020. Megjithëse ende Shqipëria nuk ka programe të organizuara të depistimit si për kancerin e gjirit ashtu edhe për kancerin e qafës së mitrës, përpjekjet e kryera gjatë 5 viteve të fundit kanë sjellë disa përparime lidhur me kapacitet në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor. Diagnoza dhe trajtimi i kancerit ofrohen në princip pa pagesë, por shumica e shërbimeve (përfshi, leximin e mamografive, PAP-testin, kolposkopinë dhe biopsinë) janë të përqendruara në Spitalet Universitare në Tiranë. Kështu, një vlerësim i kryer në vitin 2013 me mbështetjen e UNFPA-së në sistemin shëndetësor lidhur me kancerin e qafës së mitrës, dëshmoi se kapacitetet depistuese dhe diagnostikuese rezultuan të munguara në shumicën dërmuese të rajoneve të vendit dhe të mangëta në nivel vendi. Edhe pse gjatë 5 viteve të fundit janë bërë përpjekje për të forcuar kapacitetet e menaxhimit multidisiplinar të rasteve me kancer gjiri, nevojat mbeten ende shumë të larta. Kështu, rreth 20 radiologë, teknikë mamografie, patologë, kirurgë, psikologë dhe infermierë janë trajnuar jashtë vendit. Janë rritur kapacitetet në qendrat shëndetësore pas trajnimit të rreth 800 mjekëve dhe infermierëve. Ndërkohë që bëhet pak ose aspak lidhur me depistimin e kancerit të qafës së mitrës. Personeli që punon në këto shërbime nuk është i trajnuar në këtë fushë. Është pranuar përgjithësisht në takimet e specialistëve dhe në udhëzuesit klinik se, nga njëra anë duhen centralizuar në Tiranë shërbimet e diagnozës përfundimtare dhe të trajtimit përfundimtar të kancerit (me qëllim rritjen e standardeve të cilësisë), dhe nga ana tjetër duhen bërë përpjekje për të shpërndarë gjeografikisht shërbimet e ekzaminimeve të thjeshta si ekzaminimi klinik i gjirit për kancerin e gjirit, apo marrja e mostrave laboratorike vaginale për kancerin e qafës së mitrës, pranë qendrave të gruas apo në qendrat shëndetësore. Ndërkohë edhe shërbime të tilla si mamografia për kancerin e gjirit apo kolposkopia dhe trajtimi i lezioneve prekanceroze mund të ofrohen në nivel spitali rajonal, me qëllim aksesin e lehtë nga ana e grave. Dy njësi të lëvizshme të mamografisë kanë filluar të ofrojnë shërbimet e tyre falas gjatë vitit 2015 për zonat ku nuk ka mamografi stacionare, duke përmirësuar aksesin (me rreth 4.000 ekzaminime në vit) për gratë e qyteteve të vogla dhe fshatrave në këtë shërbim të kapjes së hershme të kancerit të gjirit. Volumi i ekzaminimeve në mamografitë stacionare në vend vijon të ngelet i ulët me rreth 2-4 ekzaminime në ditë, ndërkohë që si mundësitë ashtu edhe nevojat janë për shumë më tepër. Njohuritë në popullatën e grave në moshë riprodhuese mbi kapjen e hershme të kancerit të gjirit dhe atij të qafës së mitrës kanë ardhur në rritje, ndërkohë që aktivitetet e informimit publik dhe ato të avokatisë përmes përfshirjes së gjithë aktorëve të rëndësishëm në proces janë duke u intensifikuar.

Hapat progresivë përk kanceret e traktit riprodhues:
 Janë reduktuar barrierat financiare, burokratike dhe gjeografike lidhur me aksesin në shërbimet e kapjes së hershme.
 Është mundësuar ofrimi falas i testeve apo ekzaminimeve të kapjes së hershme, ndërkohë që më shumë përpjekje nevojiten për menaxhimin e integruar të rasteve.
 Është rritur infomacioni për evidentimin e rasteve të vdekjeve nga kanceret e traktit riprodhues.

Por pavarësisht këtyre hapave ka ende punë për të bërë në krijimin e regjistrit kombëtar për personat e prekur nga kanceret e trakteve riprodhuese, shtimin e kapaciteteve depistuese dhe diganostikuese, fushata sensibilizuese dhe trajnime të bluzave të bardha.
UNFPA bashkëpunon ngushtësisë me Ministrinë e Shëndetësisë dhe me autoritetet e tjera shtetërore për të zhvilluar programet e parandalimit të kancerave të traktit riprodhues. Kjo për forcimin e sistemit shëndetësor, rritjen e kapaciteve diagnostikuese, sensibilizimin e grave dhe vajzave si dhe përcjelljen e rekomandimeve përkatëse për qeverinë në kuadër të përpjekjeve të përbashkëta në të gjithë botë për të parandaluar rastet e tumoreve në traktet e riprodhimit

© 2020, Pozitivi. All rights reserved.