Gazetarja dhuron karrocën e babait të ndjerë: Beteja 4 vjeçare më bëri të kuptoj sa e shtrenjtë është jeta
06/09/2018 Shpërndaje

Gazetarja dhuron karrocën e babait të ndjerë: Beteja 4 vjeçare më bëri të kuptoj sa e shtrenjtë është jeta

Gazetarja Anila Basha së bashku me të ëmën kanë dhuruar tek Onkologjiku karrocën e babait të ndjerë që humbi jetën 2 javë më parë, në betejë me sëmundjen e kancerit..

Ende në veshjen e zisë, Basha dhe e ëma Liria kanë shkuar te spitali Onkologjik për një arsye tejet domethënëse, për t’i dhuruar pavionit të kimioterapisë karrocën e të ndjerit Aristotel, në shërbim të personave të tjerë që luftojnë me sëmundjen.

Basha shprehet  beteja 4-vjeçare e babit të saj me sëmundjen e kancerit, e ka bërë të kuptojë sa e shtrenjtë është jeta dhe sa shumë luftojnë pacientët me sëmundjen e stërmundimshme.

“Këtë karrocë e blemë dy ditë para se im atë të ndërronte jetë. Kemi vendosur t’ia dhurojmë sot pavionit të kimioterapisë, këtij pavioni ku ecejaket tona kanë qenë të shumta në katër vite me radhë e na kanë bërë të kuptojmë sa e shtrenjtë është jeta dhe sa shumë luftojnë këta pacientë me sëmundjen e stërmundimshme. Sigurisht, kjo karrocë nuk do zgjidhë nevojat e tyre por është një ndihmë sado e vogël për këdo, i cili ashtu sikurse im atë, e donte jetën dhe luftoi deri në fund.

Falenderojmë shumë stafin e spitalit, të gjithë doktorët, mjekët e infermierët të cilët kanë qenë në gatishmëri jo vetëm të tim eti, por të të gjithë pacientëve duke u munduar të përmirësojnë shërbimin e mbi të gjitha cilësinë e jetës së pacientëve,”-ka thënë gazetarja Basha ndërsa ka dorëzuar karrocën bashkangjitur me faturën tatimore.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.