Lufta bashkon Evropën e Ballkanin, goditja në “zemër” të Rusisë, Putin sulmon i “plagosur”
04/03/2022 Shpërndaje

Lufta bashkon Evropën e Ballkanin, goditja në “zemër” të Rusisë, Putin sulmon i “plagosur”

Lufta e nisur nga presidenti rus Vladimir Putin në Ukrainë, ka bashkuar Evropën dhe Ballkanin. Që në orët e para të 24 shkurtit kur filluan bombardimet në qytetet e Ukrainës të parët që janë pozicionuar në krah të ukrainasve kanë qenë liderët botërorë, shkruan pozitivi.org.

Në një fjalim para sulmit presidenti rus Vladimir Putin deklaroi se ka nisur një operacion special për çmilitarizimin e Ukrainës. Presidenti rus paralajmëroi se përgjigja e Moskës do të jetë “e menjëhershme” nëse dikush përpiqet të përballet me Rusinë. 

Ky sulm i ashpër konfirmoi frikën më të keqe të Perëndimit me sulmin më të madh nga një shtet kundër një shteti në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Ndonëse në kuadrin e deklaratave publike dhe sanksioneve perëndimi e dënoi menjëherë Putin për këtë pushtim, shkruan pozitivi.

Presidenti amerikan Joe Biden tha se forcat amerikane nuk do të ndërhyjnë në Ukrainë, por do të pozicionohen në vendet e Lindjes dhe do mbrojnë çdo pëllëmbë të vendet aleate të NATO-s. Biden tha se ishte Putin ai që e zgjodhi këtë luftë dhe se tani duhet të mbajë pasojat, ku SHBA, BE dhe vendet e G7 kanë vendosur të ‘ngrijnë’ çdo aset rus duke thënë se do e nxjerrin nga ekonomia botërore! Edhe Britania e Madhe ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, ku përfshihen nga bllokimi i linjës ajrore te llogaritë bankare.

“Të gjitha bankat kryesore ruse do të kenë aktivet e tyre të ngrira në Britani, kompanitë e mëdha ruse, asetet e tyre dhe linjat ajrore ruse nuk do të veprojnë në Britaninë e Madhe “, tha Johnson. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e dënoi atë që e quajti sulm “të pamatur” të Rusisë ndaj Ukrainës.

Dhe ashtu ndodhi. Shtetet e Bashkuara dhe Evropa e shmangën konfliktin e drejtpërdrejtë ushtarak me Rusinë në mes të pushtimit të saj në Ukrainë, por ata ata po përdorin një mjet të fuqishëm për të tentuar të zmbrapsin Rusinë dhe të krijojnë pasoja për agresionet e saj: një grup i papritur i shpejtë dhe i fuqishëm sanksionesh financiare që synojnë të tronditin ekonominë e vendit dhe të pengojnë aksesin e saj në burimet financiare, duke e bllokuar në këtë mënyrë edhe të vijojë me planin e luftës.

Ndërsa Rusia mund t’i ketë parashikuar masat, ajo që vendi ndoshta nuk e kishte parashikuar ishte që kaq shumë veprime të ndërmerreshin kaq shpejt. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët evropianë kanë kufizuar aftësinë e saj për të kryer transaksione në monedha të huaja si dollarë dhe euro, kanë ngrirë aktivet e bankave të shumta ruse dhe kanë ndërprerë bankat ruse nga sistemi i mesazheve SWIFT që bankat përdorin për të transmetuar informacion globalisht. Japonia tha se do të bashkohej në ngrirjen e aktiveve të liderëve rusë dhe disa bankave dhe ngrirjen e rezervave valutore të Rusisë në jen. Edhe Zvicra, një vend historikisht neutral në konflikt, ka rënë dakord të bashkohet me përpjekjet për sanksione. Bllokut europian i është bashkuar edhe Shqipëria. Ministria e Jashtme bëri të ditur se në total, këto masa kufizuese do të zbatohen për 654 individë dhe 52 subjekte.

(LISTA e Sanksioneve të vendosura nga Shqipëria në MJ)

Përgjigjia e Rusisë ndaj sanksioneve

Përgjigjia e rusisë ka qenë e menjëhershme. Ajo ndaloi linjat ajrore nga Bashkimi Evropian dhe një mori vendesh të tjera, përfshirë Shqipërinë, në hakmarrje ndaj sanksioneve të shpalosura nga blloku në vazhdën e pushtimit të Ukrainës. Për t’u prekur më pak nga sanksionet Rusia ka ndërmarrë veprime në përpjekje për të mbështetur ekonominë dhe financat e saj. Banka e saj qendrore ka dyfishuar normën e saj të interesit në një përpjekje për të stabilizuar rublën pasi monedha u zhyt kundrejt dollarit.

 Vendi, i cili është përballur me sanksione që nga pushtimi i Krimesë në vitin 2014, ka mbi 600 miliardë dollarë rezerva valutore, që do të thotë para në monedhat e vendeve të tjera dhe në ar. Ai ndërtoi ato rezerva posaçërisht për të ndihmuar në shmangien e sanksioneve. Siç vë në dukje Ney York Times , shumë nga ato para nuk janë në të vërtetë në Rusi, por në thelb janë në letër në bankat në mbarë botën. Kështu që tani, vendi mund ta ketë të vështirë t’i aksesojë ato para. Sanksionet ka të ngjarë të dëmtojnë qeverinë ruse; ata po dëmtojnë gjithashtu popullin rus, i cili ishte në një situatë të vështirë më parë.

Këto zhvillime kanë implikime të mëdha jo vetëm për ekonominë ruse, por potencialisht për atë botërore; Nuk ka gjasa që ndikimi i tyre të përmbahet në kufijtë e një vendi. Elina Ribakovën, zëvendës kryeekonomiste në Institutin e Financave Ndërkombëtare, tregon për efektet e mundshme të këtyre sanksioneve gjatë ditëve, javëve dhe muajve në vijim. 

“Ky është një kombinim unik i masave që janë marrë. Çdo masë individuale nuk është e paprecedentë. Ajo që është historikisht e paprecedentë është shkalla e koordinimit shumëpalësh dhe fakti që ata po përdorin këto opsione bërthamore në të njëjtën kohë.

Sigurisht që do të ketë një ndikim dramatik në ekonominë ruse, por në të njëjtën kohë, ka vend për përshkallëzim të mëtejshëm. Të gjitha këto masa janë vetëm menaxhimi bazë i krizës. Por kjo krizë do të bëhet më e madhe për ekonominë ruse dhe popullin e zakonshëm rus sesa çdo gjë që mund të parashikojmë ose presim për momentin”, tha ajo.

A ishin këto sanksione më të forta se sa priste qeveria ruse? “Është shumë e vështirë të spekulohet se çfarë menduan autoritetet ruse se do të ndodhte. Duke pasur parasysh mjedisin aktual, mendoj se ishte e pritshme që këto masa të parashtroheshin. Autoritetet globale thanë se nëse do të kishte një përshkallëzim në Ukrainë, ata po përgatisnin faktorë që përfshinin masa jashtëzakonisht të rënda, dhe kjo është ajo që autoritetet, në mënyrë shumëpalëshe, po japin”, tha ajo.

“Kjo është kriza më e rëndë ekonomike që kanë parë shumë prej tyre. Ata që kujtojnë fillimin e viteve ’90, kjo është e krahasueshme me atë.

Është një shkatërrim i plotë për njerëzit e zakonshëm në Rusi, sepse ata kanë pasur vite të tëra masash shtrënguese. Nuk po flasim për krizën në 2014 ose 2008 ose 1998, është më afër fillimit të viteve ’90 në ekonomi – humbja e kursimeve, kontrolli i kapitalit, pamundësia për të kryer transaksione në valuta të huaja, tkurrja e mundshme dyshifrore në ekonomi. Pamundësia, potencialisht, për të marrë transferta për pagat dhe pensionet tuaja. A mund të arrijmë në tregtimin e shkëmbimit? Kështu ndodhi edhe në vitet ’90. Ishte shkatërruese për popullin rus”.

Reagimi i NATO-s pas fillimit të pushtimit             

Sumi nga Putin nisi për të penguar anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Putin, i ka bërë thirrje NATO-s që të mos zgjerohet në Ukrainë apo në ndonjë ish-republikë tjetër sovjetike, duke shprehur shqetësimin për aleancën ushtarake dhe politike të krijuar si kundërpeshë ndaj ish-Bashkimit Sovjetik.

Nërsa NATO, të njëjtën ditë, më 24 shkurt, pak orë pas shpalljes së luftës në Ukrainë, filloi vendosjen e forcave shtesë të mbrojtjes tokësore dhe ajrore. Gjithashtu, siç është thënë nga selia e Aleancës Veri-atlantike , mjetet shtesë detare po vendosen në krahun lindor të Aleancës.

Vendimi është marrë pas një takimi të jashtëzakonshëm të Aleancës Veri-atlantike, ku rritja e gatishmërisë është shpjeguar me “përgjigjen ndaj të gjitha situatave të paparashikuara”.

Pas takimit, Jens Stoltenberg, sekretari i përgjithshëm i Aleancës, tha: “Paqja në kontinentin tonë është prishur. Ne tani kemi një luftë në Evropë në një shkallë dhe lloj që menduam se i përkiste historisë”.

Në fjalën e tij, Stoltenberg vuri në dukje se NATO-ja e ndihmoi Ukrainën në vitin 2014, kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë dhe se do të ndihmojë edhe tani, porse ukrainasit, për momentin, nuk mund të llogarisin në mbështetjen ushtarake të Aleancës.

Stoltenberg thotë se pushtimi ka shkaktuar vuajtje të mëdha dhe argumenton se udhëheqësit perëndimorë duhet “të qëndrojnë të gatshëm për të bërë më shumë, edhe nëse kjo do të thotë se duhet të paguajmë një çmim, sepse jemi në këtë për një kohë të gjatë”. Ai shtoi: “Bota do t’i kërkojë llogari Rusisë dhe Bjellorusisë për veprimet e tyre. Rusia si agresore, Bjellorusia si mundësuese.”

“Veproni tani ose do të jetë shumë vonë.” Ky është mesazhi i ministrit të Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, gjatë takimit të NATO-s me homologët e vendeve të tjera të Aleancës. “Mos lejoni që Putini ta transformojë Ukrainën në Siri. Ne jemi gati të luftojmë. Ne do të vazhdojmë të luftojmë. Por ne kemi nevojë për ndihmën konkrete dhe të vendosur të partnerëve tanë tani”, shkroi ai në Tëitter.

Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, kështu që aleanca nuk është e detyruar të dalë në mbrojtje të saj. Ukraina është vetëm një vend “partner”, që do të thotë se ka një mirëkuptim me të cilin mund të bashkohet në një moment në të ardhmen.

Vendet e NATO-s gjithashtu e kanë bërë të qartë se nëse trupat e tyre do të përballeshin me forcat ruse në Ukrainë, kjo mund të çonte në një konflikt të gjithanshëm midis Rusisë dhe perëndimit.

Presidenti i SHBA Joe Biden ka thënë: “Kjo është një luftë botërore kur amerikanët dhe Rusia fillojnë të qëllojnë kundër njëri-tjetrit”.

Firmosja

Në ditën e pestë të pushtimit nga Putin, Ukraina me vendosshmërinë e rezistencës ndaj Rusisë hodhi një hap para hapa për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nënshkroi aplikimin për anëtarësimin e Ukrainës në BE. Momenti i nënshkrimit të deklaratës është bërë publik nga faqja zyrtare e Parlamentit të Ukrainës, në Tëitter, ku shkruhej se “ky është një moment historik”.

Parlamenti europian

Ngjyrat kombëtare të Ukrainës dominonin imazhin e sallës plenare dhe të hollit në selinë e Parlamentit të BE-së në Bruksel. Shumë deputetë europianë kishin veshur në shenjë solidariteti bluza me flamurin e Ukrainës, parrullat ishin të lyera ose në blu ose në të verdhë, po me këto ngjyra ishte edhe veshja e komisares së BE-së për Konkurrencën, Margrethe Vestager.

Presidenti ukrainas Volodymyr Selenskyj dha mesazhe të forta përmes një lidhjeje me video-link mbajti një fjalim nga Kievi. Zelenski theksoi se vendi i tij po paguante një cmim të lartë për lirinë. Presidentja e komisionit europian Ursula Von Der Lejen, nga ana e saj u shpreh se ky është momenti i së vërtetës për BE-në, duke iu referuar pritjes së refugjatëve.

“E dinim se do të paguanim një cmim të lartë, por tragjedia që po përjetojmë është e pafund”. Me këtë fjali presidenti ukrainas Zelenski nisi deklaratën e tij për parlamentin europian.

“Jam i lumtur teksa shoh këtë unitet të Bashkimit Europian, por mijëra persona janë vrarë. Po bombardohemi, po na godasin me raketa: mëngjesi i sotëm ishte tragjik. Po japim jetën tonë për lirinë, por nuk e dija se cmimi për t’u paguar do të ishte kaq i lartë.”

Ai ka kërkuar antarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE. “Ne do të fitojmë dhe jam i lumtur që ju nuk jeni vetëm duke folur për këtë por po e shikoni. Ky mengjes ishte tragjik për ne. Më shumë se 20 universitete janë në qytetin që u godit. Shumë të vdekur. Ky është çmimi i lirisë. Ne jemi duke luftuar për tokën tonë dhe për lirinë tonë. Ne po luftojmë për të mbijetuar. Ne jemi duke luftuar gjithashtu që të jemi anëtarë të barabartë në Europë. Besoj se sot ne do t’u tregojmë të gjithëve se kush jemi. Pa ju Ukraina do  të jetë e vetme. Ne kemi treguar forcën tonë. Ne kemi provuar se ne jemi njësoj si ju. Tregoni se jeni me ne. Tregoni se nuk do na lëshoni. Atëherë jeta do të fitojë mbi vdekjen”, tha ai.

Zelensky ka shtuar se: “Çdo ditë për dikë mund të jetë dita e fundit. Unë flas për qytetarët e mi që mbrojnë lirinë me çmim të lartë. Ne e dinim se do të kishte një çmim për të paguar, por tragjedia që po përjetojmë është e madhe. Jam i lumtur që shoh këtë unitet të BE-së, por mijëra njerëz janë vrarë. Jemi nën bombardime, nën sulm me raketa. Ka qenë një mëngjes tragjik. Ne po japim jetën për lirinë: nuk e dija se çmimi për të paguar, do të ishte kaq i lartë”, theksoi ai.

Eurodeputetët e shoqëruan fundin e fjalës së Zelenskit me duartrokitje që zgjatën. Rezoluta e Parlamentit Europian u miratuan, ndonëse konsiderohet si një gjest simbolik,. Ajo përfshin për herë të parë kërkesën për t’i akorduar Ukrainës statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Në rezolutë, eurodeputetët bëjnë thirrje për masa më kufizuese që synojnë dobësimin strategjik të ekonomisë dhe bazës industriale të Rusisë. “Importet e mallrave kryesore të eksportit të Rusisë, si nafta dhe gazi, duhet të kufizohen. Investimet e reja të BE-së në Rusi dhe investimet e reja ruse në BE duhet të ndalen. Qasja e të gjitha bankave ruse në sistemin financiar evropian duhet të bllokohet dhe Rusia duhet të përjashtohet nga sistemi SWIFT. Një seri sanksionesh, duke përfshirë heqjen nga sistemi SWIFT, duhet të shtrihen në Bjellorusi për mbështetjen e saj të drejtpërdrejtë të pushtimit rus të Ukrainës” janë disa nga pikat që përmban rezoluta.

Votohet rezoluta

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara votoi këtë të mërkurën një rezolutë për të dënuar Rusinë për nisjen e pushtimit të Ukrainës. Rezoluta u mbështet nga 141 anëtarë nga 193 që janë gjithsej në OKB. Ajo kërkon që Moska të ndale luftimet dhe të tërheqë pa kushte të gjitha forcat e saj nga ukraina. Ky vendim ka për qëllim izolimin diplomatik të Rusisë në këtë organizatë ndërkombëtare.

35 anëtarë, përfshirë Kinën abstenuan, ndërsa Rusia, Siria, Bjellorusia, Koreja e Veriut dhe Eritrea votuan kundër rezolutës. Prezantimi i rezultatit të votimit u prit me duartrokitje në sallë. Presidenti Ukrainas Zelenski falenderoi për votimin e paprecedentë të rezolutes përmes një mesazhi në rrjetet sociale. Ai shprehu mirënjohjen ndaj të gjithe vendeve që votuan në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se ata kanë zgjedhur anën e duhur të histories. Herën e fundit që ky Këshill kishte thirrur një seancë urgjente të Asamblesë së Përgjithshme ishte në vitin 1982.

Krimet e luftës në Ukrainë prej 10 ditës do hetohen. Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut(UNHRC) ka votuar me shumicë dërmuese për rezolutën që dënon shkeljet e dyshuara të të drejtave të njeriut nga Rusia në Ukrainë dhe për ngritjen e një komisioni hetimor për t’i hetuar ato. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, por është në linjë me Perëndimin.

/pozitivi.org

© 2022, Pozitivi. All rights reserved.